Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 3 nëntor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Ndalohet një 33-vjeçar i shpallur në kërkim kombëtar. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DVP Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin D. C., 33 vjeç, banues në Durrës, sepse Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, në vitin 2019 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Vjedhja” dhe “Armëmbajtja pa leje”.  Ky shtetas ishte shpallur në kërkim si autor i dyshuar për një vjedhje të ndodhur në lagjen nr. 13, në Durrës, në vitin 2018. Pas kësaj ngjarjeje, shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e marrë me qira nga shtetasi D. C., kanë gjetur sendet e vjedhura, një sasi lëndë narkotike dhe municion luftarak. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin E. H., 37 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka vjedhur pompën e ujit në një pallat në lagjen nr. 13, Durrës. Gjithashtu dyshohet si autor i vjedhjes së tre pompave të ujit në banesën e shtetasit A. M., më datë 27.05.2020. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin L. K., 37 vjeç, banues në Xhafzotaj, Durrës, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin tip “Ford” në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Lezhë – Arrestohen në flagrancë 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bënë arrestimin e shtetasve A. V., 23 vjeç, banues në Shëngjin, pasi ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë dhe është konstatuar nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në qytet; G. Gj., 48 vjeç, banues në fshatin Tresh, Lezhë, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij, në banesë. Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë është bërë ndalimi i shtetasit S. P., 18 vjeç, banues në Pukë dhe është shpallur në kërkim shtetasi M. P., banues në Lezhë, pasi dyshohet se bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin E. V., 33 vjeç, banues në Milot, Kurbin, pasi duke drejtuar mjetin tip “Peugeot”, nën ndikimin e alkoolit, është përplasur me mjetin tip “Renault” dhe për pasojë janë dëmtuar lehtë 2 shtetas që ishin pasagjerë në këtë mjet. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar. Kapen dhe ndalohen 4 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve Zamir Kalej, 53 vjeç dhe Bukurije Kalej, 48 vjeçe (bashkëshortë), banues në Shkodër. Këta dy shtetas ishin shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e ka dënuar secilin prej tyre me 5 vjet dënim, për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të rënda” kryer në bashkëpunim. Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit Albano Beqiraj, 29 vjeç, i cili, me vendimet penale të Gjykatës Shkallës Parë për Krimet e Rënda Tiranë dhe Gjykatës Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, është dënuar me 4 vite burgim, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë kapja dhe ndalimi, për veprën penale “Largim i  të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, i shtetases R. S., 20 vjeçe, pasi ka qenë me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”, por gjatë kontrolleve nga shërbimet e Policisë, kjo shtetase nuk është gjetur në banesë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 69 shtetas, konkretisht: 6 janë arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 57 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 1 rast i “Kanosja” në Vlorë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, në Vlorë; 1 rast i “Plagosja me dashje”, në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 në Lezhë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.  Janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 16 raste: 3 në Tiranë, 1 në Elbasan, 2 në Fier dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i dokumenteve”, në Kukës, me dy autorë të arrestuar në flagrancë

Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në Tiranë, me 8 aurtorë që po procedohen  në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 2 në Shkodër dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.