Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 29 tetor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vlorë – Arrestohen në flagrancë 4 shtetas, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve P. H., 58 vjeç, H. H., 43 vjeç, Q. H., 56 vjeç dhe A. H., 21 vjeç, banues në Dukat, Vlorë. Arrestimi i tyre u bë pasi, në datën 28.10.2020, në Orikum, Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime, shtetasin I. H., 56 vjeç, banues në Orikum, i cili po merr mjekim në spitalin rajonal Vlorë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, operacioni i koduar “Quantity”. Vihen në pranga 3 shtetas. Sekuestrohet dhjetëra doza me  lëndë narkotike cannabis sativa, dhe  3 aparate celular. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për shitjen e lëndëve narkotike të llojit cannabis sativa, ka organizuar dhe finalizuar operacionin të koduar “Quantity”,  për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve G. D., 28 vjeç,  K. O., 26 vjeç  dhe  A. O., 29 vjeç , (vëllezër)  të tre banues në Tiranë . Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se 3 shtetas  merreshin  me shitjen e lëndëve narkotike të llojit cannabis sativa, në një lavazh në rrugën “Alush Frakulla”, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë duke ushtruar kontroll në lavazhin në pronësi të shtetasit A. O., dhe punonjës shtetasin G. D. Si rezultat i kontrollit  është gjetur dhe sekuestruar  një sasi lënde e dyshuar cannabis sativa. Më pas ka vijuar kontrolli në banesën e shtetasit A. O., ku në afërsi të banesës kanë konstatuar shtetasin K. O., (vellain e shtetasin A. O.,), dhe në kontrollin e ambientit ku po qëndronte ky shtetas kanë gjetur dhe sekuestruar  131 doza me  lëndë të dyshuar cannabis sativa, e ndarë në doza gati për shitje, dhe tre aparate celular. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve G. D., K. O dhe A. O., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Tiranë – Ndalohet një shtetas për veprën penale ”Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Kapen dhe ndalohen dhe dy shtetas të tjerë të shpallur në kërkim kombëtar. Nga specialistët e Sektorit  të  Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në DVP  Tiranë, pas një pune të mirorganizuar u bë ndalimi i shtetasit F. Z ., 31 vjeç, banues në Tiranë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi në periudhë kohore të ndryshme ka shtrënguar me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë nëpërmjet rrjeteve sociale, me qëllim dhënien e një shume të konsiderueshme parash shtetasin I. I. Gjithashtu në datën 23.10.2020 dhe 26.10.2020, e ka kanosur për jetën këtë shtetas me qellim që ai ti jepte shumën e kërkuar prej tij. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim nga Strukturat e DVP Tiranë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Florian Abdi, 35 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës Parë Tiranë, e ka dënuar me 1 vit burg, për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”. Ndërkohë, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit R. Sh., 33 vjeç,  i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 67 shtetas, konkretisht: 18 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 45 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 4 raste të “Kanosja”, 3 në Tiranë dhe 1 në Vlorë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Fier; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Elbasan dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, në Vlorë, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 6  kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 1 në Dibër, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 9 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 3 në Durrës, 1 në Fier, 3 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, 1 në Berat, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 në Vlorë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i dokumenteve”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendej të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Korçë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Ngacmimi seksual”, në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 2 raste aksidentesh, me 3 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi, 1 në Elbasan, 1 në Lezhë dhe 1 në Dibër.

Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë dhe 1 në Dibër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.