Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 29 maj 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Korçë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Pirateria 2”. Operacioni nga Seksioni për Krimin Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për goditjen e paligjshmërisë. Ushtronin aktivitetin e paligjshëm të piraterisë, duke fshehur të ardhurat e përfituara nga ushtrimi i tij, vihen në pranga dy shtetas. Sekuestrohen aparate që shërbenin për transmetime pirate televizive dhe një sasi lekësh e siguruar nga kjo veprimtari e paligjshme. Në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shkelësve, strukturat e lartpërmendura finalizuan  operacionin policor të koduar “Pirateria 2”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve O. Sh., 27 vjeç dhe K. N., 60 vjeç, banues në Korçë. Arrestimi i tyre u bë pasi, nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasit e mësipërm, duke qenë të palicencuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), si dhe duke shfrytëzuar piraterinë, kryenin abonime për paketa të ndryshme televizive, kundrejt fitimit. Vlerat e përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm këta shtetas nuk i kishin deklaruar pranë organeve tatimore, duke kryer fshehje të ardhurash. Gjatë kontrollit të ushtruar në njësinë e shitjes në pronësi të 27-vjeçarit, në lagjen nr. 10, u gjetën aparate që përdoreshin për transmetime pirate televizive dhe një sasi lekësh të cilat dyshohen të jenë siguruar nga kjo veprimtari, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Shkelja e të drejtave të autorit” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Mat – Qëlloi me armë zjarri në drejtim të një banese, identifikohet, kapet dhe arrestohet autori i dyshuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat kanë marrë informacion se një person i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të portës së jashtme të rrethimit të banesës së shtetasit L. N., banues në njësinë Administrative Komsi, Mat. Menjëherë pas njoftimit të marrë, Policia e Matit ka organizuar punën dhe si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, është bërë i mundur identifikimi në kohë reale i autorit të dyshuar dhe lokalizimi i vendndodhjes së tij. Falë mirorganizmit të punës u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit S. K., 25 vjeç, banues në njësinë Administrative Komsi, i cili për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të banesës së shtetasit L. N. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S. K., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 320 fishekë dhe një granatë. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se ky shtetas, pasi kishte qëlluar me pistoletë në drejtim të portës së jashtme të murit rrethues të banesës së shtetasit L. N. e kishte hedhur armën e zjarrit në një rezervuar.  Polumbarët e RENEA-s do të vijojnë kontrollin në rezervuar, me qëllim gjetjen e armës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Vlorë – Vijon operacioni për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Evidentohen dhe gjobiten dy subjekte të tjera për shkelje në zonën e Bunavisë, Vlorë. Aksioni nga Policia e Vlorës, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit (IKMT). Dy subjekte të Impianteve të Përpunimit të Inerteve, me administratorët përkatës F. H. dhe V. D., në zonën e quajtur Bunavi, Vlorë, kanë përpunuar dhe transportuar inerte në mënyrë të paligjshme, pasi iu është pezulluar leja e shfrytëzimit të aktivitetit të tyre, dhe pa leje mjedisore. Në vijim të veprimeve, Komisariati i Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë DVP Vlorë, ka nisur procedimin penal ndaj administratorëve të këtyre subjekteve, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”. Gjithashtu, IKMT ka ndëshkuar subjektet në fjalë me masë administrative, në total 4.000.000 lekë të rinj, për veprime në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, konkretisht: Subjekti i Impiantit të Përpunimit të Inerteve, me administrator F. H. ka marrë masë administrative 2.000.000 lekë të rinj; Subjekti i Impiantit të Përpunimit të Inerteve, me administrator V. D. ka marrë masë administrative 2.000.000 lekë të rinj. Policia e Shtetit dhe IKMT ftojnë qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje apo dëmtim të mjedisit, në numrin falas 112 ose në Komisariatin Dixhital.

Kukës – Vijon kontrolli i pandërprerë i territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Asgjësohen fidanë e kubikë të kultivuar me fara cannabis sativa. Gjatë kontrollit sekuestrohet dhe një armë zjarri kallashnikov, me një sasi fishekësh luftarak. Vihen në pranga 2 shtetas, si autorë të dyshuar të tentativës për kultivim të bimëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje. Strukturat e DVP Kukës, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, arrestuan në flagrancë shtetasit A. C., 35 vjeç, banues në Tiranë dhe K. E., 20 vjeç, banues në fshatin Zall-Reç, Dibër. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas, në fshatin Barr, në vendin e quajtur “Kepat e Bardhë”, kanë kultivuar fidanë e kubikë me fara të dyshuara narkotike cannabis sativa. Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në vendin ku u kapën në flagrancë këta dy shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov dhe disa fishekë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike, në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake.

Fier – Tentoi të vriste me armë zjarri një shtetas, Policia zbardhi ngjarjen në kohë rekord dhe arrestoi në flagrancë autorin dhe 2 shtetas të tjerë. Në sallën operative të DVP Fier ka ardhur një telefonatë nga shtetasi A. Y., se në fshatin Kreshpan një person kishte tentuar ta vriste. Policia ka vlerësuar menjëherë situatën duke organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e autorit. Falë veprimeve të shpejta operacionale dhe hetimore u bë e mundur zbardhja në kohë rekord e ngjarjes, identifikimi, lokalizmi dhe kapja në flagrancë e autorit, shtetasit E. M., 35 vjeç, banues në Kreshpan, i cili ishte larguar nga vendngjarja. Në vijim të veprimeve hetimore, Policia ka arrestuar në flagrancë edhe 2 shtetas të tjerë (të afërm të shtetasit E. M.), të cilët e kishin ndihmuar autorin duke i fshehur armën me të cilën ai kishte tentuar të vriste për motive të dobëta shtetasin A. Y., 32 vjeç, banues në Kreshpan. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë, për moskallëzim krimi, shtetasit F. M., 69 vjeç dhe Z. M., 47 vjeç, banues në Kreshpan. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e krimit (pistoletë me mulli) dhe 80 fishekë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Moskallëzim krimi, i kryer në bashkëpunim”.

Berat – Drejtonte mjetin në gjendje të dehur, arrestohet në flagrancë nga forcat e Policisë. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit F. Ç., 22 vjeç, banues në Berat, pasi në vendin e quajtur “Rapi”, duke drejtuar mjetin e tij tip “BMË” është përplasur me mjetin tip “Range Rover” dhe është konfliktuar me drejtuesin e tij, shtetasin E. Sh. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e Policisë dhe gjatë kontrollit të ushtruar kanë konstatuar se shtetasi F. Ç. drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.56 mg/l. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”.

Tiranë – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. 10 shtetas në pranga, dy prej të cilëve ishin shpallur në kërkim. Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: E. B., 34 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën ”Petro Marko”, gjatë kontrolli fizik, iu gjet e iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lëndë narkotike e llojit heroinë; D. A., 31 vjeç dhe E. V., 37 vjeç, sepse në rrugën “Petro Marko”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me shitje të lëndëve narkotike (heroinë). Nga kontrolli fizik dhe në banesën e këtyre shtetasve, u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 doza lëndë narkotike të llojit heroinë dhe 1 kokërr e gjysmë metadon. Nga specialistët për Hetimin e krimit të Komisariatit Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. M., 44 vjeç, sepse në rrugën “Aleksander Moisiu”, ka thyer urdhrin e mbrojtjes dhe ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj mbesës. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë janë kapur dhe ndaluar shtetasit J. C., 21 vjeç dhe E. D., 22 vjeç, të shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A. M., 20 vjeç dhe Sh. J., 43 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet pa leje drejtimi; K. Gj., 53 vjeç, pasi në rrugën “Berisha” u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.79 mg/l; E. C., 53 vjeç, pasi tek “Bulevardi i Ri”, u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.15 mg/l. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

OFL, 29 maj – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: A. A., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”; M. K., banues në Durrës, nën hetim për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”; E. K., banues në Durrës, nën hetim për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”;I. O., banues në Durrës, i dënuar në Itali me vendim të njohur nga Gjykata e Durrësit, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim dhe G. M., banues në Durrës, nën hetim për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe ‘Grupi i strukturuar kriminal”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 96 shtetas, konkretisht: 26 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 65 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 14 raste: 2 raste të “Kanosja”,  1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë; 7 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 2 në Berat; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Dibër dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja e mbetur në tentativë”, në Fier, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Elbasan dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 17 raste, 2 në Tiranë, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë;  2 në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 13 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 3 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 3 raste dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 2 raste aksidentesh, me 2 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 11 raste të ndërtimit pa leje, 5 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Fier dhe 4 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 3 në Tiranë, 1 në Berat dhe 1 në Vlorë.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonte mjetin pa leje drejtimi, në Tiranë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.