Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 28 janar 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kukës – Goditet një rast i kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë. Sekuestrohen 800 kg duhan. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, kanë goditur një rast të kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë. Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi E. A., 38 vjeç, banues në Grudë Fushë, Malësi e Madhe. Në aksin rrugor Kukës-Morinë është ndaluar mjeti tip furgon me drejtues shtetasin E. A. Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, brenda në furgon u gjetën dhe u sekuestruan 800 kg duhan (gjethe duhani të thata), pa faturë shoqërimi. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Drejtoria Vendore e Policisë Kukës do të vijojë punën për goditjen e paligjshmërisë, ndaj fton qytetarët e qarkut për të denoncuar çdo rast të paligjshmërisë në nr. 129, në aplikacionin “Komisariati Dixhital” ose në faqen zyrtare të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e profesional.

DVP Durrës – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet operacioni policor i koduar “Tranzit”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca Operacionale në DVP Durrës. Sekuestrohen rreth 8 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e disponuara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, u organizua puna dhe finalizua me sukses operacioni i koduar “Tranzit”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: R. U., 25 vjeç, banues në fshatin Larushkë, Krujë dhe E. S., 31 vjeç, banues në fshatin Gramëz, Fushë Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Arrestimi i tyre u bë pasi, në Fushë Krujë, gjatë kontrollit në mjetin tip “Audi” në pronësi të shtetasit R. U., ku ndodheshin dhe shtetasit A. Xh. dhe E. S. (posedues të lëndës narkotike), u gjet një sasi prej 8 kg e 200 gr. lëndë narkotike cannabis sativa, të cilën do ta blinte shtetasi R. U.  Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. Xh., 37 vjeç, banues në fshatin Larushkë, Krujë dhe po punohet për kapjen e tij. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 8 kg e 200 gr lëndë narkotike cannabis sativa dhe mjeti tip “Audi”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin S. K., 28 vjeç, banues në Durrës, pasi më datë 27.01.2021, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin E. H., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që drejtojnë mjetin në mënyrë të parregullt, arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 29 vjeç, banues në Durrës, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 13, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Opel”, në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi. Në momentin e konstatimit, ky shtetas ka tentuar të largohet, por është kapur nga shërbimet e Policisë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” në ngarkim të shtetasit S. K. dhe për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, në ngarkim të shtetasit E. K.

Korçë – Më datë 27.01.2021, rreth orës 10:35, në lagjen nr. 7, Korçë, një shtetas i paidentifikuar dyshohet se ka vjedhur me dhunë tri varëse floriri në një dyqan argjendarie në pronësi të shtetases M. Z., 50 vjeçe, banuese në Korçë. Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Berat – Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 40 vjeç, banues në lagjen ‘’Muzakaj’’, Berat.  Arrestimi i tij u bë pasi, në lagjen ‘’Dëshmorët e Kombit’’, u kap nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar pa leje drejtimi, pa dokumentacionin përkatës dhe pa targa një motoçikletë që ishte denoncuar e vjedhur.  Shtetasit A. M., gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lëndë narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me mjetin motor. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Vjedhja”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Fier – Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Kapet dhe arrestohet një shtetas pasi në datë 21.01.2021 vodhi një automjet në fshatin Varibob, si edhe procedohet një tjetër pasi vodhi një sasi të vogël lekësh në një shkollë në Fier. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të pronës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, si rezultat i punës operative, hetimore dhe profesionale, arrestuan shtetasin V. Sh., 36 vjeç, banues në lagjen “Sheq i Madh”, Fier. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në datë 21.01.2021, në fshatin Varibob, ka vjedhur automjetin tip “Benz” në pronësi të shtetasit A. V., 48 vjeç. U sekuestrua në cilësinë e provës materiale automjeti i vjedhur dhe 2 aparate celularë. Gjithashtu, u bë e mundur edhe zbardhja e vjedhjes së një shkolle 9-vjeçare në Fier, ku u procedua penalisht autori i dyshuar, shtetasi K. Gj., 16 vjeç, i cili në datë 18.11.2020, ka vjedhur një sasi të vogël lekësh në zyrën e drejtoreshës. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja”.

Fier – Përdorte kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara, bie në prangat e policisë 25-vjeçari. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të monedhave, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier bënë ndalimin e shtetasit E. N., 25 vjeç, banues në Mamaj, Tepelenë. Ndalim i këtij shtetasi u bë pasi në datë 25.01.2021, ka furnizuar me karburant automjetin tip “Opel” në një pikë karburanti në lagjen “1 Maji”, Fier, dhe pagesën e ka bërë me një kartëmonedhë 50 euro e dyshuar e falsifikuar. Gjithashtu, në datë 26.01.2021, ky shtetas ka blerë produkte në një dyqan në Mallakastër me kartëmonedhë 50 euro të dyshuar të falsifikuar. U sekuestrua në cilësinë e provës materiale automjeti tip “Opel” dhe dy kartëmonedha 50 euro të dyshuara të falsifikuara. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”.

Fier – Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier filloi procedimi penal për shtetasin P. O., 16 vjeç, banues në Levan, Fier, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një vajzë 12-vjeçare. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Ngacmimi seksual”.

Vlorë – Policia vë në pranga 2 shtetas. Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë u bë arrestimi i shtetasit S. S., 60 vjeç, banues në Vlorë, pasi në datën 26.01.2021, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se ky shtetas ishte larguar nga banesa, duke mos zbatuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor, në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me aksidentin rrugor të ndodhur mesditën e djeshme, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, u bë arrestimi  i shtetasit Y. L., 66 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale” Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Bulqizë – Më datë 27.01.2021, shtetasi A. D., 22 vjeç, banues në Bulqizë, gjatë punës në minierën e kromit, është rrëzuar aksidentalisht dhe ka dëmtuar këmbën. Pasi mori ndihmën e parë në spitali, u largua në banesë, pa probleme për jetën. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për ngjarje aksidentale.

Elbasan – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar. Kapet dhe ndalohet 27-vjeçari i shpallur në kërkim për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan në bashkëpunim me Forcën e Posaçme ” Shqiponja”, në DVP Elbasan,  kapën dhe ndaluan shtetasin Xh. M., 27 vjeç, banues në fshatin Katund i Ri, Elbasan. Ky shtetas, në datën 10.01.2021, është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin M. M., 33 vjeç, banues në fshatin Katund i Ri, Elbasan dhe e ka goditur atë me mjet të mprehtë (thikë). Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.

Lezhë – Nga specialistët për Hetimin e Krimit është ndaluar me iniciativë shtetasi S. Z., 29 vjeç, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një shtetase të mitur 15 vjeçe. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Arrestohen në flagrancë 2 drejtues mjetesh. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve K. P., 26 vjeç dhe E. T., 19 vjeç, pasi u kapën më flagrancë duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë u bë shpallja në kërkim e shtetases A. Sh., 24 vjeçe, pasi dyshohet se  ka mashtruar një shtetase të mitur 15-vjeçare dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të. Punohet për kapjen e shtetases A. Sh.  dhe për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 55 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 12 janë arrestuar dhe 40 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 4 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Lezhë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Berat; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, 1 në Berat dhe 1 në Kurbin, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste: 1 në Berat dhe 1 në Kurbin, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 5 raste, 1 në Korçë, 2 në Berat, 1 në Fier dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Fier, 1 në Korçë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Njoftim i rremë në organet e rendit”, në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Kontrabanda me mallra për të cilët paguhet akcizë”, në Kukës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Goditje për shkak të detyrës”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin e vendit kanë ndodhur 7 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 8 të dëmtuar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.