Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Gramsh – Goditet një tjetër rast i prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Kodovjat”. Vihen në pranga 3 shtetas. Sekuestrohen rreth 13 kg lëndë narkotike kanabis dhe automjetet me të cilat udhëtonin. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Kodovjat”, në kuadër të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: V. P., 31 vjeç, N. B., 44 vjeç dhe Xh. K., 29 vjeç, lindur në Gramsh. Arrestimi i tyre u bë pasi në aksin rrugor Gramsh-Kodovjat, shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Opel” kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike cannabis sativa. Në vijim të operacionit, specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë bërë të mundur gjetjen edhe të sasisë tjetër të lëndës narkotike, të fshehur nga këta persona në aksin rrugor Gramsh-Kodovjat, ku në total u gjetën dhe u sekuestruan rreth 13 kg lëndë narkotike kanabis dhe dy automjete. Policia vijon punën për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Durrës – Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Arrestohet në flagrancë një 26-vjeçar. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një armë zjarri, municion luftarak dhe kapele me mbishkrimin policia. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me arnë zjarri me vete, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, arrestuan në flagrancë shtetasin G. M., 26 vjeç, banues në Durrës. Pas kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e tij, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “TT”, disa fishekë, si dhe 2 kapele me mbishkrimin policia. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Prodhimi i mjeteve për falsifikim të dokumenteve”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 71 shtetas, konkretisht: 20 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 48 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, në Vlorë, dhe 1 në Shkodër; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 3 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja me dashje”, në Vlorë dhe 1 rast i “Vrasja”, në Durrës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dghe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 4 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, një rast i vjedhjes me thyerje të një farmacie në Paper Elbasan dhe 9 raste vjedhje të thjeshta, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike është evidentuar 1 rast, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar i rast i shkatërrimit të pronës, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Berat, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Gjirokastër.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Dibër.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.