Maliq – Finalizohet një tjetër operacion policor për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit

Pas një hetimi të kryer nga DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, u finalizua operacioni i koduar “Kryqëzimi”.

Kapen duke transportuar 8 shtetas të huaj, arrestohen në flagrancë 4 shtetas dhe 1 tjetër shpallet në kërkim.

Nga strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Kryqëzimi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

K. S., 24 vjeçe, banuese në Vlorë; F. K., 24 vjeç; R. D., 19 vjeç; R. H., 20 vjeç, banues në Durrës.

Si edhe u shpall në kërkim shtetasi R. K., 17 vjeç, banues në Durrës.

Shtetasit e mësipërm janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, pranë kryqëzimit të fshatit Libonik, Maliq, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetet tip “SAAB”, “Fiat” dhe “Mercedes Benz”, tetë shtetas të huaj, të cilëve nga hetimet e kryera rezulton se iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës prej 150 euro secilit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 automjete dhe 6 celularë.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”, e cila dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.