Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 27 maj 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vlorë – Një tjetër person në kërkim ndërkombëtar bie në pranga. Kapet 37-vjeçari i dënuar për disa vepra penale në Itali. Operacioni nga DVP Vlorë, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana, Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe autoriteteve policore italiane, misioni Interfoza, u bë i mundur nga shërbimet e DVP Vlorë, lokalizimi në Vlorë dhe arrestimi i shtetasit Ergust Dumitru (Bubeqi), 37 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Apelit Aquila, Itali, në vitin 2018, e ka dënuar këtë shtetas me 9 vjet e 10 muaj burg, për kryerjen e veprave penale “Shfrytëzim prostitucioni”, “Trafik narkotikësh” dhe “Vjedhja me dhunë”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka shfrytëzuar për prostitucion disa vajza rumune, duke i detyruar ato përmes dhunës që të ushtronin prostitucion në qytetet Montesilvano, Città Sant’Angelo, Silvi dhe Pescara, gjatë periudhës janar-qershor 2007. Arrestimi provizor u krye me qellim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” dhe marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet, nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë.

Dibër – Vijon kontrolli masiv i territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje. Evidentohet dhe goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Vihet në pranga autori i dyshuar dhe shpallet në kërkim djali i tij, i cili ka thyer dhe masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Në pranga edhe kryeplaku i fshatit Tomin, për shpërdorim detyre. Po gjatë kontrolleve evidentohet dhe goditet dhe një rast i armëmbajtjes pa leje. Sekuestrohen dy armë zjarri, vihet në pranga poseduesi. Në zbatim të Planit të Veprimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për marrjen e masave operacionale në terren, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, strukturat e Drejtorisë  Vendore të Policisë Dibër kanë vijuar kontrollin masiv të territorit dhe si rezultat, në një zonë të pyllëzuar të fshatit Tomin, kanë konstatuar të kultivuara disa fidanë bimë narkotike. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. SH., 43 vjeç, banues në fshatin Tomin, Dibër dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit E. Sh. (person me masë sigurie “Arrest në shtëpi”) djali i shtetasit G. Sh., i cili nuk u gjet në banesë dhe vijon puna për kapjen e tij. Po në lidhje me këtë rast u bë arrestimi i shtetasit F. K., 52 vjeç, me detyrë kryeplaku i fshatit Tomin, pasi nuk ka informuar në Polici për territorin që mbulonte. Në vijim të kontrollit të territorit, strukturat e Policisë Dibër, në bazë dhe të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë goditur një rast të armëmbajtjes pa leje, duke vënë në pranga shtetasin G. H., 34 vjeç, banues në fshatin Tomin, pasi gjatë kontrollit në ambientet në administrim të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, një armë gjahu çifte dhe një sasi municioni luftarak, të cilat i posedonte pa leje. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Dibrës, për hetime të mëtejshme.

Durrës – Finalizohet operacioni policor i koduar “BOOKING”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik. Operacioni nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Klononin karta bankare, kryesisht të shtetasve të huaj, duke përfituar shumën 84 mijë euro, evidentohen dhe vihen në pranga 3 shtetas. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kompjuterike, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë për Krimet Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, zhvilloi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “BOOKING”. Pas një hetimi disamujor u siguruan prova bindëse për veprimtarinë kriminale të 3 shtetasve, për të cilët Prokuroria urdhëroi ndalimin e tyre, konkretisht B. G., 43 vjeçe, S. G., 24 vjeçe dhe M. B., 31 vjeç, banues në Durrës. Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përfituar shumën 84.000 euro, nëpërmjet kartave të klonuara, duke mashtruar shtetas të huaj që kryenin rezervime në hotele për turizëm. Materialet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve, do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Mallakastër – Vijon kontrolli masiv i territorit, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Vihen në pranga 3 shtetas. Shërbimet e Policisë Mallakastër, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, me qëllim  parandalimin, evidentimin dhe goditjen e atyre personave që tentojnë të kultivojnë bimë narkotike, kanë konstatuar të kultivuara në pyllin e fshatit Lofkënd, disa fidanë narkotikë. Nga veprimet operacionale dhe hetimore, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Policisë kanë bërë kapjen e 3 shtetasve, si autorë të dyshuar të tentativës për kultivimin e fidanëve narkotikë. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër bënë arrestimin e  shtetasve O. M., 30 vjeç,  N. M., 24 vjeç dhe S. F., 30 vjeç, të tre banues në Patos. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

OFL, 27 maj – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve A. M., banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”; K. D., banues në Elbasan, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”; E. H., banues në Elbasan, i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”; Xh. Xh., banues në Elbasan, i dënuar ne Itali për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Maliq – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Kapen duke transportuar emigrantë të paligjshëm, arrestohen në flagrancë tre shtetas, midis tyre një i huaj. Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve Xh. Sh., 24 vjeç, banues në Fushë-Milot, Lezhë, K. T., 23 vjeçe, banuese në Cërrik, Elbasan dhe S. M., 39 vjeç, shtetas sirian, me banim të përkohshëm në Tiranë. Arrestimi i tyre u bë pasi janë kapur nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Maliq-Lozhan, duke transportuar me dy automjete në drejtim të Tiranës, tre shtetas të huaj emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 150 euro secilit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.

Tiranë – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 3 shtetas, për dhunë në familje. Nga specialistët për Hetimin e Krimit u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit A. I., 43 vjeç, pasi në fshatin Koçaj, pas një konflikti për motive pronësie me dy vëllezërit e tij, shtetasit Y. I dhe D. I., ka pushtuar me anë të forcës dhe dhunës tokën në pronësi të tyre, duke ushtruar dhunë fizike. Nga specialistet për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Dhuna në familje”, i shtetasit F. K., 32 vjeç, sepse ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike sistematikisht ndaj bashkëshortes, në banesë. Po nga specialistet për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. Zh., 38 vjeç, sepse ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes, në banesë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Kurbin – Vijon operacioni kundër krimeve mjedisore. Operacioni nga Policia e Kurbinit, në bashkëpunim me IKMT-në. Kontrolle të imtësishme përgjatë shtratit të lumit Mat. Kapen nga Policia duke gërryer shtratin e lumit dhe duke marrë zhavorrin, procedohen penalisht 2 shtetas. Gjithashtu këta shtetas gjobiten IKMT-ja, me masë administrative 2 milionë lekë të reja secili. Bllokohen mjete të rënda ekskavatorë që shërbenin për të gërryer shtratin e lumit Mat. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me IKMT-në, kanë vijuar kontrollin përgjatë shtratit të lumit Mat, bazuar edhe në informacionet e marra për disa persona që gërryenin shtratin e lumit, duke marrë zhavorr  në mënyrë të paligjshme. Si rezultat i kontrollit u kap në flagrancë dhe u procedua penalisht shtetasi L. M., 51 vjeç, banues në Lezhë, pasi në Fushë Milot, Kurbin, në shtratin e lumit Mat, u kap duke gërryer,  duke grumbulluar dhe duke marrë zhavorr. Po gjatë kontrollit u kap dhe u procedua penalisht shtetasi B. A., 55 vjeç, banues në Milot, Kurbin, pasi në Fushë Milot, Kurbin, në shtratin e lumit Mat, u kap duke gërryer,  duke grumbulluar dhe duke marrë zhavorr. Nga ana e IKMT-së, të dy këta shtetas janë gjobitur me masë administrative 2 milionë lekë të reja secili.  Kontrollet do të vijojnë për penalizmin e çdo subjekti që tenton të marrë inerte pa leje në shtratin e lumit Mat apo që kryen krime mjedisore, si ndërtime pa leje, prerje të paligjshme të pyjeve, ndotje të ambientit dhe lumenjve apo zjarrvënie të qëllimshme pyjeve dhe kullotave.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 88 shtetas, konkretisht: 18 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 67 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 4 në Tiranë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 16 raste, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Vlorë dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 11 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në Librazhd gjatë natës,  në marketin në pronësi të shtetasve A.K., dhe B.Q., persona ende të paidentifikuar ka vjedhur rreth 55 000 lekë dhe steka me cigare të markave të ndryshme.Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Lezhë dhe 3 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 3 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 9 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë, 3 në Durrës, 2 në Korçë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar dhe proceduar 1 shtetas që drejtonte mjetin pa leje drejtimi, në Durrës.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.