Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Krujë – Vijojnë kontrollet nga strukturat e Komisariatit të Policisë Krujë, për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Arrestohet në flagrancë pronari i një lokali, i cili pasi ishte proceduar penalisht 2 herë dhe ishte ndëshkuar disa herë me masë administrative, u konstatua sërish duke organizuar festa familjare në kundërshtim me Aktin Normativ. Procedohet penalisht 1 shtetas tjetër. Strukturat e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të kontrolleve në subjektet që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ, kanë konstatuar në territorin e DVP Durrës, konkretisht në Fushë Krujë, subjektin në pronësi të shtetasit Xh. B., i cili kishte organizuar një festë familjare (fejesë), në kundërshtim me Aktin Normativ. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. B., 46 vjeç, banues në Fushë Krujë, për veprën penale “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”. Ky shtetas, në periudha të ndryshme kohore, është ndëshkuar disa herë me masa administrative, si dhe është proceduar 2 herë, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë duke organizuar ceremoni martesore ose festa familjare në kundërshtim me Aktin Normativ. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi N. H., 20 vjeç (DJ), si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale instrumentet muzikore. Policia e Durrësit apelon për të gjithë pronarët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese që kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Vlorë – Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar. Operacioni nga DVP Vlorë, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Vihet në pranga nga Policia, një 30-vjeçar në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana dhe Departamentin e Policisë Kriminale, mbrëmjen e djeshme kanë bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin provizor të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar G. K., 30 vjeç, banues në Orikum, Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore italiane, pasi Gjykata e Messinas, Itali, ka lëshuar urdhër-arrestin për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.
Elbasan – Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mesditën e djeshme, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, ku gjatë një konflikti të çastit mes dy drejtues automjetesh u përdorën dhe armë zjarri, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, vënia në pranga e njërit prej autorëve dhe shpallja në kërkim e një tjetër autori. Si rezultat i veprimeve hetimore të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, nga specialistët për Hetimin e Krimit kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan u arrestuan në flagrancë shtetasit: F. F., 21 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”; E. C., 21 vjeç, banues në Librazhd, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”. Gjithashtu, si rezultat i këtyre hetimeve është shpallur në kërkim policor, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje” shtetasi A. C., 21 vjeç, banues në Elbasan. Vijon puna për kapjen e tij dhe për kapjen e autorit tjetër, shtetasi M. Q. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.
Kolonjë – Policia zbardh dhe dokumenton ngjarjen e ndodhur në orët e para të datës 25.11.2020, në fshatin Gërmenj, ku u dogj një automjet. Arrestohet në flagrancë autori i dyshuar i zjarrvënies së qëllimshme. Në vijim të punës hetimore intensive për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në datën 25.11.2020, rreth orës 01:30, në fshatin Gërmenj, Kolonjë, ku u gjet i djegur një automjet, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të Policisë, nën koordinim e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kolonjë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit e Pasurisë në DVP Korçë, arrestuan në flagrancë autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin E. C., 53 vjeç, banues në Vorë, Tiranë. Ky shtetas dyshohet se ka djegur me lëndë djegëse, për motive të dobëta, automjetin tip fuoristradë të markës “Nissan”, në pronësi të shtetasit Th. Th., 66 vjeç, banues në Gërmenj, Kolonjë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr, me pasoja të rënda materiale”.
Durrës – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Sekuestrohen 11 doza me heroinë dhe një sasi parash. Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, strukturat e DVP Durrës kanë konstatuar dhe goditur një tjetër rast në lagjen nr. 6, Durrës. Në vijim të veprimeve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi G. B., 17 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 11 doza me lëndë narkotike të dyshuar heroinë dhe 52.000 lekë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 75 shtetas, konkretisht: 23 janë arrestuar, 2 janë ndaluar dhe 50 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Durrës; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Durrës dhe 1 në Berat, 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në Fier, me 2 autorë të flagrancë. Janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste: 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 9 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Fier, 2 në Lezhë, 1 në Shkodër dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, me 3 autorë që po procedohet ën gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 në Tiranë, 1 në Lezhë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Përndjekja”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast shkatërrimit të pronës me zjarr, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 4 raste të “Shkatërrimi i pronës”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 12 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 7 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.