Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Qarkullonte me armë zjarri me vete, forcat e posaçme “Shqiponjat” dhe “Shigjetat” e vënë në pranga. Në pranga edhe drejtuesi i mjetit me të cilin qarkullonte 30-vjeçari, për moskallëzim krimi. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Në zbatim të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, kapjen dhe prangosjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo që janë të shpallur në kërkim, nga forcat e posaçme “Shqiponjat” dhe “Shigjetat”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në rrugën “Hyqmet Buzi”, gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve K. H., 30 vjeç, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe S. S., 24 vjeç, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Në pikën e kontrollit të ngritur nga ana e Shqiponjave dhe Shigjetave, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Farkës” u bë ndalimi i mjetit tip “Audi” që drejtohej nga shtetasi S. S. dhe kishte pasagjer shtetasi K. H. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj mjetit dhe këtyre shtetasve, në çantën e dorës të shtetasit K. H., shërbimet e Policisë gjetën një armë pistoletë dhe fishekë luftarak. Në vijim të veprimeve gjatë kontrollit të banesës të shtetasit S.S., iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi municioni luftarak. Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kamzë, Tiranë – Ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti të ashpër mes dy shtetasve, për motive pronësie. Qëlloi me armë gjahu çifte në drejtim të një shtetasi, arrestohet në flagrancë 51-vjeçari. Sekuestrohet arma e gjahut çifte, të cilën 51-vjeçari e kishte me leje. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit G. N., 51 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas, pas një konflikti për motive pronësie me shtetasin G. B., me vetëgjyqësi ka qëlluar në drejtim të këtij shtetasi, pa e dëmtuar atë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike. Falë reagimit dhe ndërhyrjes në kohë të Policisë u bë parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të këtij konflikti dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Kanosja”, “Vetëgjyqësia” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Kurbin – Vijon kontrolli masiv i territorit, për parandalimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike. Vihet në pranga një 47-vjeçar që tentoi kultivonte bimë narkotike. Sekuestrohen bimë narkotike dhe 8.3 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë zhvilluar kontrolle të pandërprera në territorin e qarkut Lezhë. Si rezultat i kontrolleve është evidentuar dhe goditur një tjetër rast i tentativës për kultivim të kanabisit dhe u arrestua në flagrancë shtetasi K. Gj., 47 vjeç, banues në Adriatik, Kurbin. Arrestimi i tij u bë pasi ka tentuar të kultivojë bimë narkotike në fshatin Godull, Kurbin. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa nga bimët e dyshuara narkotike canabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 8.3 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa. Materialet procedurale në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.
Elbasan – Më datë 24.09.2020, ora 20:00, në lagjen Nr. 2 Cërrik, është vjedhur me thyerje banesa e shtetasit N. D., 66 vjeç, ku është marrë një shumë monetare në paund. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Bulqizë – Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Arrestohen dy vëllezër, pasi tentuan të kultivonin bimë narkotike në banesat e tyre. Specialistët për Hetimin e Krimit në DVP Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e atyre personave që tentojnë të kultivojnë apo trafikojnë lëndë narkotike, bazuar edhe në informacione të marra në rrugë operative kanë ushtruar kontrolle në disa banesa në fshatin Zerqan dhe zonën përrreth dhe si rezultat u goditën dy raste të tentativës për kultivim. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë dy shtetas, pasi në banesat e tyre kishin tentuar të kultivojnë bimë narkotike, konkretisht:N. S., 58 vjeç dhe B. S., 46 vjeç (vëllezër), banues në Zerqan, Bulqizë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Dibër – U referuan materialet procedurale në Prokurorinë e Dibrës, pasi më datë 24.09.2020, në hyrje të fshatit Radomirë, shtetasi E. GJ., 31 vjeç, banues në Lezhë, duke drejtuar mjetin kamion, gjatë kryerjes së punimeve për shtrimin e rrugës së fshatit Radomirë, ka humbur kontrollin dhe mjeti ka dalë jashtë rrugës. Si pasojë është dëmtuar drejtuesi i mjetit, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Bulqizë – U referuan materialet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër dhe po punohet kapjen e autorit, pasi shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit për parandalimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të lëndëve narkotike, kanë evidentuar në një zonë të pyllëzuar të Njësisë Administrative Martanesh, bimë narkotike të kultivuara. Gjatë këqyrjes në vendin e ngjarjes u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pushkë dhe fishekë luftarak.
Qarku Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas dhe shpallen në kërkim policor 3 të tjerë. Sekuestrohen 3 armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike dhe 2 automjete. Në kuadër të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që lëvizin me armë zjarri, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në qytet, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë vijuar me kontrollet në të gjithë qarkun e Durrësit. Në vijim të kontrolleve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë u arrestua në flagrancë shtetasi E. K., 42, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, në çantën e dorës, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë “Luger”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasin S. L., 58 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim policor djemtë e tij, shtetasit T. (E.) L., 35 vjeç, D.(Y.) L., 37 vjeç dhe E. L., 26 vjeç, banues në Thumanë. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. L., në një magazinë të cilën e kishte përshtatur me llamba për kultivim të bimëve narkotike, u konstatuan kubikë të kultivuar me fara të dyshuara cannabis sativa, 1 kallashnikov, municion luftarak, 1 armë gjahu dhe një sasi e vogël lënde narkotike. Nga specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve u arrestua në flagrancë shtetasi P. L., 34 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në mjetin me të cilin po lëvizte (të cilin e kishte marrë me qira), iu gjetën 2 palë çelësa mjetesh, ku njëri prej tyre i përkiste një mjeti të vjedhur, i cili rezultoi se ishte i vjedhur në Lushnjë më datë 09.09.2020 dhe u gjend i parkuar në afërsi të banesës së këtij shtetasi. Gjithashtu gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale rreth 1 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
Durrës – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës në familje, arrestuan në flagrancë shtetasin I. Sh., 47 vjeç, banues në Durrës, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin F. Xh., 44 vjeç, banues në Borizanë, Krujë, pasi në aksin Fushë Krujë-Borizanë, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur ka humbur kontrollin e mjetit dhe për pasojë është lënduar lehtë. Në vijim të kontrolleve në kuadër të Planit të Masave, shërbimet e Policisë konstatuan dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit: D. D., 22 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në mjetin në të cilin ishte pasagjer, në xhep iu gjet një mjet prerës (thikë); A. Sh., 24 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lëndë narkotike cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 87 shtetas, konkretisht: 19 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 64 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 84 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste: 5 raste të “Kanosja”, 4 në Tiranë dhe 1 në Shkodër; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Korçë dhe 1 në Berat; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Durrës dhe 1 në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 1 në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Fier, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të falsifikimit të dokumenteve, 1 në Elbasan dhe 2 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Shpërdorimi i detyrës”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të armëmbajtjes pa leje, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 7 raste të mashtrimit, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Kukës dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i falsifikimit të dokumenteve, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Vlorë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 në Fier dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë .
Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 11 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 6 shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur, 3 në Durrës, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 3 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.