Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 25 shkurt 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

DVP Tiranë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Fraud”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Vihen në pranga 3 shtetas, për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Sekuestrohen katër njësi kompjuterike dhe aparate celulare.  Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Fraud”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Gj. Rr., 27 vjeç, R. M., 30 vjeç, banues në Tiranë dhe G. M., 26 vjeç, banues në Elbasan. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, duke qenë të punësuar në një call center në rrugën “Sulejman Delvina”, prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe i mashtronin shtetasit e huaj, që të investonin në Forex.  Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, këta shtetas, për të penguar zbulimin e kësaj veprimtarie kriminale, kanë fikur serverin kryesor, me qëllim që të fshihnin të dhënat. Në vijim të operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale katër njësi kompjuterike, aparate celulare dhe lista me të dhënat e personave që dyshohen se janë mashtruar nga tre të rinjtë e arrestuar. Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Tiranë – Vijon operacioni policor i koduar “Lastra”. Shkon në 3 numri i të arrestuarve. Pas arrestimit të shtetasit Z. N., ditën e djeshme, vihet në pranga një tjetër shtetase e huaj e përfshirë në aktivitetin kriminal të falsifikimit të monedhave.  Gjatë kontrollit në banesën e saj, Policia ka gjetur lastra dhe produkte të tjera që shërbejne për përgatitjen e kartëmonedhave të falsifikuara. Në vijim të operacionit policor të koduar “Lastra”, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e falsifikimit të kartëmonedhave dhe tentativës për t’i futur ato në vendin tonë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë bënë arrestimin në flagrancë të shtetases: J. Ch., 39 vjeçe, lindur në Zvicër dhe banuese në Tiranë.  Më parë, në kuadër operacionit policor të koduar “Lastra”, janë arrestuar shtetasit J. N., 53 vjeç dhe Z. N., 45 vjeç. Shtetasja J. Ch., në bashkëpunim me këta dy shtetas, dyshohet se kanë tentuar të fusin në vendin tonë, rreth 1 milion euro të falsifikuara.  Gjatë kontrollit në banesën e kësaj shtetaseje, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, lastra dhe produkte të tjera që shërbejnë për përgatitjen e kartëmonedhave të falsifikuara. Materialet iu referuan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 93 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 20 janë arrestuar në flagrancë dhe 66 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste: 4 raste të “Kanosja”;5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje” dhe 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 7 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 16 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4, 2 raste me dy autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, me 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për vjedhje të energjisë elektrike.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për shkatërrim prone, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Berat dhe 1 në Vlorë.

Në Vlorë janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, 1 për korrupsion aktiv dhe 1 për “Keqtrajtimi i të miturit”.

Në Tiranë janë arrestuar 3 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Fsehja e të ardhurave”.  Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, 1 për “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe 1 për “Përndjekja”.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Mashtrimi” dhe 1 për “Falsifikimi i dokumenteve”.

Në Berat është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprat penale “Shkatërrim prone” dhe “Fsehja e të ardhurave”.

Në Shkodër është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Në Korçë janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për prerje të paligjshme të pyjeve”.

Në Kukës është proceduar penalisht 1 shtetas, për falsifikim dokumentesh.

Në Dibër janë ndaluar 4 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 aksidente, me 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas dhe janë arrestuar 2 të tjerë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë proceduar penalisht 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.