Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 24 nëntor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

POLICIA E SHTETIT – Finalizohet operacioni policor “KËRCËNIMI”. Operacioni i zhvilluar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale. Zbardhet pas 6 muajsh hetime, kanosja për vrasje e një punonjësi police, për shkak të detyrës, nëpërmjet rrjeteve sociale. Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i ngjarjes. Në vijim të punës për parandalimin, hetimin dhe zbardhjen e krimeve kibernetike, nga Njësia C për  Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit u zhvillua dhe finalizua me sukses operacioni policor “KËRCËNIMI”. Pas një hetimi 6-mujor, duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia e Hetimit të Krimeve Kibernetike ka kryer hetime të plota në lidhje me kallëzimin e marrë nga një punonjës policie i cili ndihej i kërcënuar në rrjetet sociale, për shkak të detyrës, nga një shtetas i panjohur. Pas kryerjes së hetimeve, Njësia C për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Kavajë për masën e sigurisë “Arrest në burg”për shtetasin A. S., 24 vjeç, banues në Gosë, Kavajë, me precedentë të mëparshëm kriminal, pasi dyshohet se ka konsumuar veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”. Materiali hetimor i ndjekur nga Njësia C – Hetimi i Krimeve Kibernetike kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se ky shtetas kishte hapur një numër të madh profilesh të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme. Nëpërmjet mesazheve që dërgonte nga këto profile të rrjeteve sociale kanoste në mënyrë të vazhdueshme punonjësin e policisë dhe familjarët e tij, për shkak të detyrës që ky punonjës kishte kryer. Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtij shtetasi, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një telefon celular i markës “Samsung”. Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe personat që mund të jenë të lidhur me këtë shtetas. Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale.

DVP Durrës – Ndalohet një 22-vjeçar i shpallur në kërkim për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Arrestohen në flagrancë 4 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin E. A., 22 vjeç, banues në Krujë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim. Ky shtetas, më datë 01.10.2020, në Krujë, pas një konflikti të çastit, ka goditur me sende të forta shtetasit A. B. dhe F. B. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Dhuna në familje”, shtetasin D. D., 49 vjeç, banues në Vadardhë, Durrës, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj motrës së tij. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 204 gr. lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa dhe një mjet prerës. Nga Seksioni për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm në DVP Durrës u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, shtetasi B. S., 44 vjeç, banues në Tiranë dhe u procedua penalisht për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, shtetasi S. M., 47 vjeç, banues në Lezhë, pasi ky i fundit u konstatua në PKK Durrës, i fshehur në kabinën e mjetit tip “Renault” me drejtues shtetasin B. S., me qëllim për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit B. L., 43 vjeç, banues në Durrës dhe M. P., 26 vjeç, banues në Shkodër. Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 23.11.2020, në aksin rrugor Fushë Krujë – Laç, në Thumanë, shtetasi B. L., duke drejtuar mjetin tip “Man” (trajler) është përplasur me mjetin tip “Opel” me drejtues shtetasin M. P. dhe për pasojë janë dëmtuar shtetaset F. G., 39 vjeçe dhe Gj. P., 57 vjeçe, të cilat kanë ndërruar jetë në spital.  Shtetasi M. P. ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Kapet dhe ndalohet nga shërbimet e Komisariatit Nr. 2, një shtetas i shpallur në kërkim kombëtar. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit për shtetasin A. B., 45 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Përndjekja”. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, goditi një tjetër rast duke vënë në pranga shtetasin A. H., 28 vjeç, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe u sekuestruan një sasi lënde narkotike kokainë dhe një sasi lëndë narkotike e dyshuar kanabis. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. N., 41 vjeç, pasi duke qenë me masë sigurie “Arrest në shtëpi” është larguar nga vendi i qëndrimit dhe ka përndjekur një 28-vjeçare, duke i krijuar asaj gjendje frike dhe pasigurie. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Shkodër – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim.  Kapen dhe ndalohen 3 shtetas të shpallur në kërkim për vepra penale të ndryshme. Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i tre personave të shpallur në kërkim L. T., 42 vjeç, banues në lagjen “Bahçallëk”, Shkodër, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në datën 20.11.2020, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; E. K., 38 vjeç, banues në lagjen “Manush Alimani”, Shkodër, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në datën 20.11.2020, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim; S. J., 25 vjeç, banues në lagjen “Manush Alimani”, Shkodër, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në datën 20.11.2020, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 59 shtetas, konkretisht: 11 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 44 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, në Durrës dhe 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste: 1 në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë; 2 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 11 raste të ndërtimit pa leje, 4 në Tiranë, 3 në Durrës, 2 ne Vlorë, 1 në Shkodër dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, 1 në Tiranë dhe Berat, ku autorët janë arrestuar në flagrancë .

Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë arrestuar dy shtetas, në Durrës, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 6 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.