Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 24 gusht 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Vijojnë kontrollet e pandërprera për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri me vete apo që janë të shpallur në kërkim. Si rezultat i kontrolleve kapet në një lokal, një 48-vjeçar që mbante armë zjarri me vete. Në pranga dhe një tjetër shtetas, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Sekuestrohet një armë zjarri dhe municion luftarak.  Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bazë të informacione se në ambientet e një lokali në lagjen “Ali Demi”, ndodhej një shtetas i cili mbante armë zjarri me vete, kanë organizuar punën dhe kanë bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit F. P., 48 vjeç. Gjatë kontrollit të ushtruar në tavolinën ku po qëndronte ky shtetas, u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri dhe një krehër me 5 fishekë. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi B. Gj., 47 vjeç, pasi kishte dijeni për armën, por nuk ka treguar.   Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Vlorë – Policia parandalon një ngjarje kriminale në familje. Ndërhyrja në kohë dhe me profesionalizëm e shërbimeve të Policisë Vlorë parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të ngjarjes.  Kanosi me mjet prerës djalin e tij, vihet në pranga 47-vjeçari. Sekuestrohet një mjet prerës (thikë). Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas njoftimit se në lagjen “Pavarësia”, në ambientet e banesës, shtetasi A. B. kishte ushtruar dhunë fizike dhe po kanoste me mjet prerës (thikë) djalin e tij, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës dhe shoqërimin e shtetasit A. B. Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B., 47 vjeç, banues në Vlorë.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Dhuna në familje”. Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë ndalimi i shtetasit A. B., 48 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, pasi në mënyrë të përsëritur ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëjetueses së tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit: D. S., 66 vjeç, banues në Vlorë, pasi mbrëmjen e djeshme, dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me një mjet tip “Kama”. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar drejtuesi i mjetit “Kama”, shtetasi B. D., 54 vjeç dhe dy pasagjerët, shtetasit G. D., 15 vjeç dhe R. D., 54 vjeçe, e cila ndodhet e shtruar në spital, jashtë rrezikut për jetën; A. D., 46 vjeç, banues në Vlorë, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Vihen në prangat e Policisë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës në familje, arrestuan në flagrancë shtetasit: K. P., 59 vjeç, banues në Durrës, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij; B. M., 25 vjeç, banues në Durrës, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj babait të tij. Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi M. Xh., 58 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, duke kryer punime pa leje në tokën në pronësi të tij.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 75 shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 18 janë arrestuar në flagrancë dhe 53 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 raste në Fier, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe autor që po procedohet në gjendje të lirë; 2 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e rëndë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 12 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 14 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 23 raste, 1 në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë, 7 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 14 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 7 raste, 1 në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë, 3 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të “Shkatërrim prone me zjarr”, 3 në Lezhë, 2 në Berat, 1 në Lezhë.

Është evidentuar 1 rast i “Trafikimi i mjeteve motorike”, në  Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Durrës, 2 në Korçë dhe 2 në Shkodër.

Në Kukës është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Në  Tiranë  është  arrestuar 1 shtetas, për  armëmbajtje pa leje.

Në Durrës janë proceduar penalisht 2 shtetas, për “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” dhe 1 shtetas, për “Mashtrimi”.

Në Fier është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”, në Korçë.

Në Elbasan është proceduar penalisht 1 shtetas, për shkatërrim prone.

Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për shkatërrim prone me zjarr.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 12 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.