Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 22 tetor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Lezhë – Goditet një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza. Vihet në pranga drejtuesi i mjetit ku u gjetën doza me lëndë narkotike cannabis sativa. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas që  qarkullonte me automjet, shpërndante lëndë narkotike në doza, në lagjen “Gurra”, Lezhë,  shërbimet e Policisë Lezhë kanë bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e mjetit të dyshuar. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me drejtues shtetasin B. Z., në bagazh, shërbimet e Policisë gjetën doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit, shtetasit B. Z., 40 vjeç, banues në Ungrej, Lezhë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale  “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Tropojë – Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim. Ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim Isa Mulgeci, 45 vjeç, banues në fshatin Lekurtaj, Tropojë. Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Apelit Shkodër ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, e cila e ka dënuar këtë shtetas, me 1 vit e 8 muaj burg, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme.

DVP Berat – Vijon zbatimi i planit të masave për evidentimin dhe parandalimin e krimeve mjedisore. Procedohen penalisht 5 shtetas për vepra të ndryshme penale. Në vijim të kontrollit të ushtruar për evidentimin dhe parandalimin e krimeve mjedisore, shërbimet e Policisë kanë proceduar penalisht 5 shtetas: F. D., 39 vjeç, banues në Novaj, Skrapar, pasi u konstatua nga shërbimet e IKMT, në vendin e quajtur fabrika e ujit “Bogova”, me një mjet të ngarkuar me pllaka guri dekorative pa dokumentacionin përkatës, të cilët dyshohet të jenë nxjerrë në Malin e Tomorit. Gjithashtu, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik proceduan penalisht për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, shtetasit F. Z., 44 vjeç, banues në lagjen “Jani Vruho”, Berat dhe Ç. K., banues në lagjen “Estref Caka”, Çorovodë, pasi u konstatuan nga shërbimet e policisë duke transportuar me mjet, lëndë drusore, pa dokumentacion dhe pa leje përkatëse. Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Stacionin e Policisë Dimal, u procedua penalisht shtetasi N. S., 54 vjeç, banues në Skrevan, Dimal, pasi nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e policisë në bashkëpunim me IKMT, u konstatua duke kryer ndërtim pa leje. Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit. Nga specialistët e Sektorit për Qarkullimin Rrugor u bë arrestimi i shtetasve: A. Sh., 24 vjeç, banues në Berat, pasi në vendin e quajtur “Market Berat”, u kap nga shërbimet e policisë duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi; F. H., 47 vjeç, pasi në aksin rrugor Kombinat-Ypsilon, duke drejtuar mjetin tip “Peugeot”, ka aksidentuar këmbësoren shtetasen A. M., 47 vjeçe, banuese në Berat, e cila pasi mori mjekim në Spitalin Rajonal Berat u transportua për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 87 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 24 janë arrestuar në flagrancë dhe 57 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Dibër dhe 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 5 raste: 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 3 në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Korçë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 14 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste, 1 në Vlorë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 8 raste të ndërtimit pa leje, 4 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Berat dhe 2 në Vlorë, ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 17 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë, 12 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 autor të shpallur në kërkim.

Është ndaluar 1 shtetas, në Fier dhe janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, për veprën penale “Mashtrimi”.

Në Tiranë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Përndjekja”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 në Berat dhe 1 në Shkodër, për “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Janë proceduar 2 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Berat dhe 1 në Gjirokastër.

Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 4 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, në Tiranë.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.