Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 22 dhjetor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kukës – Vijon puna për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore. Kapet dhe ndalohet 27-vjeçari i dënuar me 5 muaj burg për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. Efektivët e DVP Kukës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim E. O., 27 vjeç, banues në Kukës. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës e ka dënuar këtë shtetas me 5 muaj burg,  për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

DVP Lezhë – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Vihen në pranga 5 shtetas, 2 prej tyre të shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. P., 42 vjeç, banues në fshatin Sanxhak, Kurbin, pasi ka goditur me sende të forta kunatin e tij, shtetasin N. B., për motive të dobëta. Shërbimet e Policisë Kurbin, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasve: E. S., 23 vjeç, banues në Kurbin, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja”; E. B.,27 vjeç,banues në Kamzë, Tiranë, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky  shtetas, në qershor të 2011, ka vjedhur me dhunë në bashkëpunim me shtetasin F. B., një ish-punonjës të Policisë së I.E.V.P. Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Ll., 19 vjeç, banues në Mirditë. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. B., 35 vjeç, banues në fshatin Torovicë, Lezhë. Ky shtetas, në aksin rrugor Shkodër-Lezhë, duke drejtuar mjetin e tij tip “Benz”, ka aksidentuar mjetin tip motoçikletë me drejtues shtetasin P. L., 62 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Traumës, Tiranë. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Vlorë – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit. Vihet në pranga një 36-vjeçar.  Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit I. H., 36 vjeç, banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalimin e paligjshëm të kufirit”. Hetimet për këtë shtetas janë kryer  nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë, për një periudhë 7-mujore, pasi shtetasi I. H. është përfshirë në veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror, 20 shtetasve nga vendet e treta. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Më datë 21.12.2020 janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin E. D., pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht djalin e tij të mitur 7 vjeç.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 51 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 5 janë arrestuar dhe 41 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Elbasan dhe 1 në Gjirokastër ; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Kukës, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste: 1 në Fier, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 3 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Fier, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vepra të turpshme”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Berat dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjete pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.