Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 20 maj 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Krujë – Vijon kontrolli masiv në terren, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.  Vihet në pranga një 28-vjeçar dhe procedohet në gjendje të lirë një shtetas tjetër. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale fidanë e kubikë të kultivuar me fara cannabis sativa. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të kontrollit masiv për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, arrestuan në flagrancë shtetasin B. C., 28 vjeç, banues në fshatin Larushk, Fushë Krujë, pasi gjatë kontrollit në oborrin e banesës së tij, u gjetën të kultivuar fidanë të dyshuar canabis sativa. Po gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën në oborrin e banesës së shtetasit  I. C., 80 vjeç, banues në Larushk, Fushë Krujë, fidanë e kubikë të kultivuar me fara cannabis sativa. Për shkak të moshës,  shtetasi I. C. u procedua penalisht në gjendje të lirë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Durrës – Ndalohen dy shtetas të shpallur në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës dhe Krujë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasit: G. D., 46 vjeç, banues në Sukth, sepse Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e ka dënuar me 1 vit burg,  për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”; G. K., 32 vjeç, banues në fshatin Picrrakë, Krujë, sepse Gjykata e Apelit Tiranë i ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Fier – Vijon kontrolli masiv i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrollit u godit një tjetër tentativë për kultivim të bimëve narkotike. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër, si dhe procedohet penalisht roja i pyllit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, kanë bërë të mundur që në fshatin Darzezë të parandalojnë dhe të godasin një tentativë të kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrollit, në pyllin e Semanit, në tokën në përdorim të shtetasit F. K., u gjetën dhe u sekuestruan fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa. Në vijim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. K., 55 vjeç, banues në Fier dhe u shpall në kërkim shtetasi A. G., 48 vjeç, banues në Fier. Gjithashtu u procedua penalisht, për moskallëzim krimi, roja i pyllit, shtetasi A. S., 51 vjeç, banues në Seman. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Moskallëzim krimi”.

Berat – Vijon puna për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim, vihet në pranga 1 shtetas. Sekuestrohen fidanë narkotikë, fara dhe një sasi cannabis sativa. Shërbimet e Policisë Berat, në vijim të kontrollit të pandërprerë për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe falë informacioneve të marra në rrugë operative nga qytetarët, kanë bërë të mundur që në qytetin e Kuçovës të parandalojnë dhe të godasin një tentativë të kultivimit të bimëve narkotike, duke vënë në pranga shtetasin A. L., 45 vjeç, banues në Kuçovë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, disa fidanë narkotikë, fara të dyshuara si cannabis sativa dhe një sasi e vogël lënde e dyshuar si cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Kukës – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Shënmëri 2020”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Operacion i shtrirë në disa qarqe të vendit si Kukës, Lezhë, Shkodër, Tiranë dhe Gjirokastër, me mbështetjen e Forcave Lëvizëse Operacionale. 19 persona në pranga, sekuestrohet një armë zjarri kallashnikov. Në zbatim të Planit të Veprimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për marrjen e masave operacionale në terren, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, me mbështetjen e FLO-së, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe në bashkëpunim me SHÇBA-në, nën Drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, në orët e para të mëngjesit finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Shënmëri 2020”, si rezultat i të cilit u bë ekzekutimi i masave të sigurisë për 19 shtetas, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike, në bashkëpunim” dhe konkretisht: SH. S., 29 vjeç, A. T., 50 vjeç, F. M., 20 vjeç, P. P., 61 vjeç, A. B., 36 vjeç, A. B., 52 vjeç, B. D.,  27 vjeç, T. V., 40 vjeç, P. P. 46 vjeç, B. K., 36 vjeç, Sh. T., 46 vjeç, Z. M., 44 vjeç dhe R. T., 24 vjeç, nga këto 10 shtetas janë banorë të Kukësit, një shtetas banor i Lezhës, 1 i Pukës dhe 1 i Gjirokastrës. Për shtetasit S. K., 41 vjeç, K. M., 26 vjeç dhe A. H., 34 vjeç, u bë njoftimi i masës së sigurisë “Arrest në burg” në IEVP Tiranë, pasi janë arrestuar për vepra të tjera penale. Gjithashtu në kuadër të operacionit u bë shpallja në kërkim e 3 shtetasve: B. K., Z. M. dhe B. C. Nga strukturat e SHÇBA-së pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës janë arrestuar dy punonjës policie, shtetasi A. K., 49 vjeç dhe shtetasi R. C, 59 vjeç, për veprën penale ” Shpërdorimi i detyrës”. Dokumentimi i këtij aktiviteti kriminal është bërë pas një hetimi disa mujor nga strukturat e DVP Kukës në bashkëpunim me SHÇBA-në, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, duke aplikuar format dhe metodat speciale të hetimit, në kuadër të procedimit penal të nisur në vitin 2018, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Ndërsa për oficerin e Policisë N. K, u mor masa e pezullimit nga detyra. Po gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi S. V., 41 vjeç, banues në Shtanë, Kukës, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Armëmbajtja pa leje”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në banesën e tij u gjet dhe sekuestrua një armë zjarri tip automatik, si dhe në ambientet e jashtme u gjetën 54 kubikë me bimë të dyshuar narkotike kanabis. Strukturat e DVP Kukës do të intensifikojnë masat për garantimin e rendit publik dhe për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në Qarkun Kukës, duke bashkëpunuar me të gjithë institucionet ligjzbatuese dhe aktorët e tjerë.

Tiranë – Bien në prangat e Policisë 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes, arrestohet në flagrancë 48-vjeçari. Arrestohen dhe 4 shtetas të tjerë, për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë arrestimin në flagrancë, për veprën penale “Dhuna në familje”, të shtetasit Z. C., 48 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, në banesë. Ndërkohë, nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: R. Z., 22 vjeç, pasi në vendin e quajtur “Bulevardi Blu” është kapur në flagrancë duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi; J. N., 49 vjeç, pasi në vendin e quajtur “Nënkalimi i Kodrës së Dellit” është kapur në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.32 mg/l; G. G., 50 vjeç, pasi në Surrel është kapur në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.31 mg/l; B. K., 50 vjeç, pasi në rrugën “Teodor Keko” është kapur në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.82 mg/l. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

OFL, 20 maj – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: F. G., banues në Fier, pasi Gjykata e Milanos, Itali, e ka dënuar me burg për veprën penale “Organizatë kriminale, me qëllim trafikim droge”; S. M., banues në Fier, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet italiane kanë lëshuar urdhrin e arrestit për kryerjen e veprës penale “Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike”; F. K., banues në Fier, pasi Gjykata Penale e Romës, Itali, ka vendosur dënimin e tij për veprën penale “Shoqatë kriminale, trafikim, prodhim dhe posedim i lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope”, ndërsa Gjykata Penale e Milanos, Itali, e ka dënuar për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale dhe shkelja e ligjit për narkotikët” dhe S. G., banues në Fier, i arrestuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotikëve”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 96 shtetas, konkretisht: 9 janë arrestuar, 2 janë ndaluar dhe 85 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 21 raste: 10 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 5 në Vlorë, 1 në Dibër dhe 1 në Gjirokastër; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Vlorë, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë; 8 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 5 në Tiranë, 2 në Lezhë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, 4 në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 2 në Fier dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste, 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 6 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 12 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë, 2 në Durrës, 2 në Kukës, 2 në Korçë dhe 3 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, në Tiranë.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.