Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 20 Gusht 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes i lëndëve narkotike në doza të vogla. Sekuestrohen 257 gr. lëndë narkotike Cannabis Sativa. Në pranga shpërndarësi i lëndës narkotike. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë, gjatë patrullimit në territor, kanë marrë informacion se një shtetas posedonte lëndë narkotike dhe merrej me shpërndarjen në doza të vogla. Bazuar në informacionin e siguruar, Specialistët për Hetimin e Krimit në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme, në rrugën “Sulejman Delvina”, kanë identifikuar autorin e dyshuar, shtetasin A.V., 52 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 257 gr. lëndë narkotike Cannabis Sativa. Në përfundim të veprimeve të para hetimore në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A.V. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Korçë – Specialistët e Seksionit për Narkotikët, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve D.L, 19 vjeç dhe Xh.L, 51 vjeç, (atë e bir), banues në fshatin Gjonomadh, Korçë. Arrestimi i tyre u bë pasi, gjatë kontrollit që shërbimet e Njësisë Operacionale të Rendit Publik Korçë, ushtruan në mjetin tip “Volksëagen”, në lagjen nr. 17, shtetasit D.L, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike kanabis.  Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre në fshatin Gjonomadh, u gjetën të kultivuara bimë të dyshuara narkotike kanabis. Lidhur me këtë rast, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit” edhe ndaj shtetasit N.S, 40 vjeç, me detyrë kryetar i fshatit Gjonomadh.

Fier – Kapet dhe ndalohet një shtetas i kërkuar për veprat penale “Armbajtja pa leje” dhe “Kanosja”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit D.M, 31 vjeç, banues në Patos. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier e ka dënuar me 1 vit burg për veprat penale “Kanosja” dhe “Armbajtja pa leje”. Në datën 16.04.2015, në qytetin e Patosit, pas një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë zjarri shtetasin A.Sh.

Tiranë – Më datë 19.08.2019, rreth orës 22:14, në rrugën “Mujo Ulqinaku”, në Kamëz, në oborrin afër derës së banesës së shtetasit Gj. K, ka shpërthyer një sasi e vogël lënde e dyshuar plasëse, duke shkaktuar dëme të vogla materiale. Në momentin e shpërthimit në banesë nuk ka patur njeri. Pas veprimeve të para hetimore Policia ka identifikuar autorin e dyshuar dhe po punon per kapjen e tij. Per arsye hetimore nuk bëhen me dije të dhënat e tij. Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna hetimore për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 73 shtetas, konkretisht: 10 janë arrestuar në flagrancë, 2 janë ndalur dhe 61 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, 2 në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 2 në Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 7 raste të “Kanosja”, 3 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Berat, 1 në Vlorë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në qarkun Tiranë dhe 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, 1 në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 7 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 5 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 10 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 1 në Elbasan, 3 në Korçë, 3 në Vlorë, 1 në Lezhë, 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja e energjisë elektrike”, në qarkun Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 10 raste aksidentesh, me 16 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Fier.

 

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.