Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor antikanabis i koduar “Kimisti”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve nën drejtimin e Prokurorisë. Kishin përshtatur banesën si një ambient të përshtatur si laborator, që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, vihen në pranga 4 persona. Sekuestrohen pajisjet e montuara në banesën e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike,fara dhe fidanë canabis, 2 automjete dhe sende të tjera të kundërligjshme. Strukturat e DVP Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit me qëllim parandalimin e kultivimit të canabisit si rezultat e një punë disa mujore kanë zhvilluar me sukses operacionin policor të koduar “Kimisti” në kuadër e të cilit u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” në bashkëpunim, të shtetasve : E. Sh., 30 vjeç, G.D., 37 vjeç, S. I., 44 vjeç dhe J. V., 17 vjeç. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur banesën e marrë me qira nga shtetasi E. Sh., me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike. Gjatë kontrollit të banesës u gjetën fidanë të dyshuar narkotik kanabis, të kultivuar në kushte laboratorike, fara kanabisi dhe 1 peshore elektronike të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu nga kontrolli i ushtruar në automjetet me të cilën këta shtetas qarkullonin u gjetën dhe u sekuestruan fidanë të dyshuar kanabis, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.
DVP Lezhë – Vijon zbatimi i planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Bllokohet nga Policia, 1 automjet që transportonte lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme. Procedohet penalisht drejtuesi i mjetit që po transportonte lëndën drusore. Në kuadër të bashkëpunimit me strukturat e DVP Lezhë dhe në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Njësisë Operacionale për Autostradën Milot-Morinë, kanë konstatuar dhe ndaluar në Skuraj, Kurbin, një mjet tip kamion që transportonte lëndë drusore. Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se drejtuesi i mjetit, shtetasi A.B., po transportonte lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin kanë proceduar penalisht shtetasin A.B. 57 vjeç, banues në Thumanë. Materialet në ngarkim të tij janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme. Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.
Fier, Lushnjë – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin F. L., 40 vjeç, banues në Varibob, Fier, pasi për motive të dobëta ka goditur me sende të forta kushëririn e tij, shtetasin R. K., 30 vjeç. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 46 vjeç, banues në Lushnjë, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases Dh. M., 34 vjeçe. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Tiranë – Bien në prangat e Policisë 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve Y. K., 20 vjeç, E. K., 20 vjeç dhe M. I., 19 vjeç pasi gjatë kontrolleve fizike të ushtruar nga Forca e Posaçme “Shqiponjat” iu gjetën dhe iu sekuestruan sasi me lëndë të dyshuar kanabis. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë ndalimi për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” i shtetasit K. T., 23 vjeç, pasi me datë 23.05.2021, në Rrugën e Kavajës ka vjedhur me dhunë një dyqan. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë narkotike kanabis. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. M., 31 vjeç dhe u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për shtetasin A. Sh., 41 vjeç, sepse më datë 01.06.2021, në fshatin Vrrozen, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me grusht shtetasin M. B. Nga specialistët e Qarkullimit rrugor u bë ndalimi i shtetasit M. P., 48 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Po nga specialistët e Qarkullimit rrugor u bë arrestimi në flagrancë I. R., 51 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
DVP Elbasan – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Goditet një rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Sekuestrohen doza me lëndë narkotike kokainë, 3 aparate celular dhe para të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, gjatë kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasit: A. B., 25 vjeç dhe A. K., 37 vjeç, të dy banues në Elbasan. Si dhe janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve: K. C., 23 vjeç dhe E. Q., 20 vjeç, të dy banues në Elbasan, bashkëpunëtorë me shtetasit e arrestuar. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, 3 aparate celularë dhe një sasi parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Elbasan u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit H. H., 37 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Apelit Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, shtetasin M. J., 27 vjeç, banues në Elbasan, pasi në lagjen “Kongresi”, Elbasan, gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin J. V., 25 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasit R. R., 29 vjeç, banues në fshatin Vashaj, Peqin dhe Xh. Rr.,17 vjeç, banues në fshatin Lolaj, Peqin, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore duke drejtuar motoçikleta pa leje drejtimi. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Dibër – Lejuan qytetarët që të kryenin ndërtime pa leje, procedohen penalisht 4 punonjës të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit. Evidentohen dhe goditen nga Policia dhe 3 raste të prerjes së paligjshme të pyjeve. Sekuestrohet lëndë drusore, mjete pune dhe automjetet që do të bënin transportin e tyre. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në DVP Dibër, referuan materialet procedurale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, dhe filloi procedimi penal ndaj shtetasve: E. Xh., 37 vjeç, me detyrë Kryeinspektor pranë Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Dibër; J.O., 32 vjeç; F.R., 33 vjeç; SH.I., 51 vjeç, të tre me detyrë Inspektor pranë Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Dibër. Procedimi penal ndaj tyre ka filluar pasi dyshohet se kanë konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi duke mos kryer detyrat e tyre funksionale për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme, kanë lejuar qytetarë që të kryenin ndërtime pa leje në territorin e Bashkisë Dibër. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, filloi procedimi penal ndaj shtetasve V. D. dhe E. K., 22 vjeç, banues në Bulqizë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar për mbrojtjen e territorit nga prerja e paligjshme e pyjeve, shërbimet e Policisë Bulqizë në bashkëpunim me specialistët e Shërbimit Pyjor, pranë Bashkisë Bulqizë, konstatuan shtetasit e lart përmendur duke prerë lëndë drusore në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu ka filluar procedimi penal ndaj shtetasve R. Sh., 33 vjeç; A. C., 52 vjeç, pasi janë kapur nga shërbimet e policisë duke transportuar me automjetet e tyre, lëndë drusore pa dokumentacion përkatës. Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lart përmendur i janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Policia e Dibrës do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.
Vlorë – Vijon puna nga strukturat e DVP Vlorë, për goditjen e paligjshmërisë. Vihen në pranga 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Goditen nga Policia, 5 raste të ndërtimeve të paligjshme. Nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, shtetasi S. G., 39 vjeç, banues në Vranisht, Vlorë, pasi gjatë kontrollit përreth banesës së tij, u gjetën të kultivuar në kubikë fidanë cannabis sativa. Strukturat e DVP Vlorë, në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, si rezultat i kontrollit të pandërprerë të territorit, kanë evidentuar dhe goditur 5 raste të ndërtimeve të paligjshme. Si rezultat është arrestuar në flagrancë shtetasi R. Ç., 37 vjeç, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë duke ndërtuar dy objekte në fshatin Lukovë, Himarë, pa lejen e organeve përkatëse. Si dhe janë proceduar penalisht shtetasit A. L., D. L., A. L. (vëllezër), pasi janë konstatuar nga shërbimet e Policisë duke ndërtuar një objekt në fshatin Radhimë, Orikum, pa lejen e organeve përkatëse; F. I., pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë duke ndërtuar një objekt në fshatin Radhimë, Orikum, pa lejen e organeve përkatëse; S. M., pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë duke ndërtuar një objekt në fshatin Lukovë, Himarë, pa lejen e organeve përkatëse;G. H., pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë duke ndërtuar një objekt në lagjen nr. 3, Ksamil, pa lejen e organeve përkatëse. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit: E. J., 46 vjeç, banues në Vlorë, pasi është konstatuar nga shërbimet duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur; R. Xh., 29 vjeç, banues në Finiq, pasi ditën e djeshme, në rrugën Krane-Qafë Botë, ka aksidentuar këmbësoren me iniciale E. K., 79 vjeçe dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Vau i Dejës – Më datë 02.06.2021, rreth orës 03:10, në fshatin Stajka, Vau i Dejës, dyshohet se persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur shumën 50.000 lekë dhe bizhuteri në banesën e shtetasit P. M. dhe janë larguar pa u diktuar nga i zoti i banesës. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plote të kësaj ngjarjeje.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 89 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 25 janë arrestuar në flagrancë dhe 57 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 8 autorë të arrestuar në flagrancë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 12 raste: 2 raste të “Kanosja” 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” 1 në Durrës, 1 në Dibër, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë dhe 2 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Vrasja”, në Gjirokastër, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 4 raste, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 2 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 3 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 16 raste në të gjithë vendin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 18 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Trafikimi i mjeteve motorike”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Mashtrimi”, në Tiranë, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Po në Tiranë është proceduar penalisht dhe 1 shtetas, për veprën penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.
Janë proceduar penalisht për veprën penale “Shpërdorim detyre”, 9 shtetas, 4 në Dibër, 1 në Vlorë, 1 në Kukës, 1 në Shkodër dhe 2 në Lezhë.
Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Ndotja e ajrit”.
Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në Dibër është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Në Shkodër është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Në Elbasan është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 raste aksidentesh, me 4 persona që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.