Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e shtetit, 2 Qershor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

-Pukë/Në vijim të planit të masave për kontrollin e territorit dhe parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, arrestohet nga policia një shtetas në tentativë për të kultivuar bimë narkotike. Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Pukë në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe si rezultat i kontrollit të pandërprerë të territorit, u arrestua në flagrancë shtetasi G. M. 26 vjeç, lindur në fshatin Ukth, Pukë dhe banues në Shkodër. Arrestimi i tij u bë pasi gjatë kontrollit të territorit, në afërsi të banesës në fshatin “Mogurush”, Pukë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 170 kubikë me fidanë të dyshuar kanabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë për veprën penale të “Kultivimi i bimëve narkotike” parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal.

-Peqin/Policia në kohë rekord zbardh ngjarjen, identifikon dhe shpall në kërkim 24 vjeçarin si autor i dyshuar i vjedhjes së një banese. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Peqin, pas një pune të mirë- organizuar hetimore dhe pas analizimit të pamjeve filmike e provave të tjera të grumbulluara bënë identifikimin dhe shpalljen në kërkim policor të shtetasit D.T., 24 vjeç. Në fshatin Çelhakaj, të Peqinit dyshohet se ka vjedhur banesën e shtetasit I.B., ku ka marrë një sasi të konsiderueshme parash. Vijon puna intensive për kapjen e autorit të shpallur në kërkim. Materiale hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprën penale “Vjedhja”.

Ndërko gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 54 shtetas, konkretisht: 10 janë arrestuar në flagrancë, 4 janë ndalur dhe 40 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim: 1 në qarkun Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”; 2 në PKK Rinas, 1 i dënuar për veprën penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”, 1 i dënuar për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”; 1 në PKK Qafë Thanë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, konkretisht: 1 rast i “Kanosja”, në qarkun Korçë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”,në qarkun Tiranë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Lezhë, 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 1 në qarkun Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, sie dhe janë plotësuar 2 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 2 në qarkun Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në qarkun Shkodër, ku autori është arrestuar në flagrancë, si edhe 6 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Vlorë, 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vjedhja e energjisë elektrike”, 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës është evidentuar 1 rast, në qarkun Vlorë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Prishja e qetësisë publike”, 1 në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 në Vlorë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 4 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, 3 në qarkun Tiranë, të cilët janë arrestuar në flagrancë dhe 1 në Durrës, i cili po procedohet në gjendje të lirë

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.