Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 2 korrik 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Berat – Vijon zbatimi i planit të masave për mbrojtjen e territorit dhe parandalimi e krimeve mjedisore. Në vijim të zbatimit të planit të masave për parandalimin e krimeve mjedisore dhe mbrojtjen e territorit, shërbimet policore kanë goditur një rast të krimeve mjedisore, në fshatin Bogovë. Nga specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik është proceduar penalisht shtetasi D. L., 27 vjeç, banues në Skrapar, pasi u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në fshatin Bogovë, duke shkarkuar nga një mjet tip kamion pllaka guri dekorativ, të cilat ishin të pashoqëruara me faturë tatimore. Gjithashtu, këtij shtetasi iu gjetën edhe dy punonjës të pasiguruar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Punësim i paligjshëm”.

Kavajë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Lugina”. Operacioni nga Komisariati i Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit Kavajë, për goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike, pas një hetimi njëmujor. Arrestohen në flagrancë 4 shtetas, shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër, si dhe procedohet penalisht kryeplaku i fshatit Golemas. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike, si rezultat i kontrollit të territorit, bazuar në informacionet e grumbulluara gjatë hetimit njëmujor, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Lugina”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: Xh. L., 58 vjeç, T. L., 33 vjeç, P. L., 24 vjeç dhe I. A., 29 vjeç, banues në Kavajë; U shpall në kërkim shtetasi V. H., 28 vjeç, si dhe u procedua në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit Golemas, shtetasi H. K., 66 vjeç, për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin mbjellë fidanë të dyshuar narkotikë në luginën “Përroi i Mallës” në fshatin Golemas. Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorim detyre”.

Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë/ Stacioni i Policisë Kufitare Kapshticë – Autoritetet e Policisë Greke, kanë njoftuar palën shqiptare se do të lejohet hyrja për në Greqi, për shtetasit shqiptarë me pasaportë, shtetasit me leje qendrimi greke, shtetasit e tjerë europianë, të cilët duhet të jenë të pajisur me testin e COVID-19 dhe të kenë të plotësuar formularin e regjistrimit PLF në adresën ëëë.travel.gov.g. Pasi të kenë marrë konfirmimin, do të lejohen për të hyrë në shtetin grek. Do të lejohen gjithashtu të hyjnë në Greqi, mjetet e tonazhit të rëndë dhe autobusa, drejtuesit e të cilëve duhet të bëjnë regjistrimin e formularit PLF dhe duhet t’i nënshtrohen një testi të shpejtë COVID-19, pranë palës greke të kësaj pike kalimi. Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, do të funksionojë 24 orë, pa orar të limituar.

Tepelenë – Goditen 2 raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bazë të informacioneve të siguruara, në vijim të kontrollit të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivimin e bimëve narkotike, kanë evidentuar dhe goditur 2 raste të kësaj veprimtarie kriminale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tepelenë arrestuan në flagrancë shtetasin A. I., banues në fshatin Lekdush, Tepelenë dhe proceduan penalisht shtetasin Xh. Zh., banues në fshatin Progonat, Tepelenë, pasi kanë tentuar të kultivojnë bimë narkotike në afërsi të banesave të tyre.  Materialet për shtetasit e mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 bënë ndalimin e shtetasit E. H., 36 vjeç, ( i kapur nga Seksioni i kërkimit) pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar me 3 muaj burg për vepren penale “Dhuna në familje”.  Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.3 u bë ndalimi i shtetasit B. Sh alias K. G., 43 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar me 6 muaj burg, për vepren penale “Mosdhënie të mjeteve për jetesë”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: G. Ç., 33 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur në masën 0.64 mg/l ka aksidentuar mjetin me drejtuar A. D. Si pasojë janë dëmtuar 3 pasagjerë të cilët pas marrjes së mjekimit u larguan për në banesë; K. D., 37 vjeçe, Z. G., 56 vjeç, S. S., 52 vjeç, K. M., 26 vjeç dhe B. K., 52 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; A. M., 49 vjeç dhe F. A., 36 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse. Më datë 30.06.2021, shtetasi S. K., 55 vjeç, kallëzon se në plazh në Qerret, Kavajë, i kanë marrë sendet personale dhe një shumë parash, gjatë kohës që ka qenë duke u larë në det. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. U referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit L. M., 29 vjeç, pasi dyshohet se mbremjen e djeshme është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasit F. V dhe E. T. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar 66 penalisht shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 10 janë arrestuar në flagrancë dhe 52 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 5 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 2 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, në Elbasan, ku autorja ëhstë arrestuar në flagrancë.

Në fushën e dhunës në familje është evidentuar 1 rast, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 14 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 10 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 6 raste, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Vlorë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Trafikimi i mjeteve motorike”, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Lezhë dhe 1 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për shkatërrim prone, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë.

 Janë evidentuar 2 raste të “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe 1 tjetër për “Falsifikimi i dokumenteve”.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.

 Në Shkodër është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 raste aksidentesh, me 5 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë proceduar 4 drejtues mjetesh penalisht, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.