Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Interpol Tirana – Vijon bashkëpunimi me homologët, për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Falë bashkëpunimit me homologët italianë janë kapur dhe ekstraduar nga Italia drejt vendit tonë, 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Është ekstraduar nga Roma/Itali drejt vendit tonë shtetasi shqiptar Ardjan Hoxhaj, 49 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Vlorë e ka dënuar me 16 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim. Shtetasi Ardjan Hoxhaj, në vitin 1995, në Vlorë, ka vrarë duke e goditur me thikë në kraharor shtetasin A. A. dhe ka plagosur vëllanë e tij, shtetasin G. A. Gjithashtu është kryer ekstradimi nga Italia drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Arian Katreli, 50 vjeç, të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 10 vite burgim, për veprën penale “Mashtrimi”. Personat e ekstraduar në PKK Rinas i janë dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Poliçan/Skrapar – Evidentohen dhe goditen dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Arrestohen në flagrancë 3 persona të dyshuar si autorë të tentativës për kultivim. Sekuestrohet një armë zjarri pushkë. Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit, për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Shërbimet e Policisë Poliçan dhe Skrapar, në bazë të informacioneve të siguruara, në vijim të kontrollit të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, kanë evidentuar në fshatrat Barçë, Skrapar dhe Tomor, kubikë ku ishin kultivuar fara të dyshuara cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Poliçan dhe në Komisariatin e Policisë Skrapar arrestuan në flagrancë shtetasit: S. H., 47 vjeç, dhe Y. H., 38 vjeç, banues në fshatin Braçë, pasi në tokat në pronësi të tyre u gjetën kubikë në të cilët ishin kultivuar fara të dyshuara cannabis sativa; Sh. B., 40 vjeç, banues në fshatin Tomorr, Poliçan, pasi në një miniserë në ambientet e banesës së tij u gjetën kubikë në të cilët ishin kultivuar fara të dyshuara cannabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës u gjet dhe u sekuestrua dhe një armë zjarri pushkë. Në vijim të veprimeve u procedua penalisht dhe kryeplaku i fshatit Barçë, shtetasi A. R., 35 vjeç, pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorim detyre”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.
DVP Fier – Vijon kontrolli masiv i territorit nga shërbimet e Policisë, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Goditen dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Bien në prangat e Policisë 3 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër. Sekuestrohen fara kanabisi dhe fidanë kanabis të mbjellë në kubikë.*Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, shtetasit F. S., 25 vjeç dhe V. Sh., 27 vjeç, të dy banues në Sheq Marinas, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke kultivuar në kubikë fidanë cannabis sativa, në pyllin e fshatit Seman. Gjithashtu për këtë rast është shpallur në kërkim edhe një tjetër bashkëpunëtor, shtetasi E. M. *Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër u arrestua në flagrancë shtetasi G. H., 35 vjeç, banues në Vlosh, Roskovec, i cili u kap në flagrancë në fshatin Lofkënd, Mallakastër, duke transportuar në automjetin e tij tip “Toyota Rav 4”, fidanë narkotikë të mbjellë në kubikë, një sasi tub uji dhe rrjetë teli. Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 192 fara si ato të bimëve narkotike, si dhe kubikë me fidanë narkotikë cannabis sativa. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Tiranë – Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë ekzekutimi i vendimit për shtetasin Florian Mansaku, 43 vjeç, pasi Gjykata e Apelit Tiranë ka bërë njohjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Firence/Itali, e cila e ka dënuar këtë shtetas me 6 vite burg, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Organizata kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Sipas Kodit të Procedurës Penale, Gjykata e Apelit ka bërë konvertimin e dënimit me një dënim prej 5 vitesh burg, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Pjesëmarrjes në organizata kriminale”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. P., 19 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga Forca e Posaçme “Shqiponjat” iu gjet dhe iu sekuestrua një armë e ftohtë (thikë). Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë ndalimi i shtetasit R. Q., 43 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ndalimin e shtetasit B. Gj., 32 vjeç (i kapur nga seksioni i kërkimit), pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Përndjekja”. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. M., 19 vjeç, pasi në rrugën ”Shote Galica”, për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin S. P., 19 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve L. Gj., 30 vjeç dhe K. B., 62 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse.•Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, në rrugën “Thoma Goxhaj”, kanë tentuar të vjedhin zyrat e OSHEE-së dhe të një marketi. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.•Më datë 18.05.2021, tek lulishtja pranë Muzeut Kombëtar, kanë goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin Sh. C., 58 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Më datë 18.05.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasit M. H., 56 vjeç, me detyrë punonjës i bashkisë Kamzë dhe P. B., 55 vjeç, sepse shtetasi Sh. B., 57 vjeç, ka kallëzuar se shtetasi M. H. ka shpërdoruar detyrën dhe ka falsifikuar dokumentet, duke ndihmuar në regjistrimin e paligjshëm me certifikatë pronësie të tokës së Sh. B në emër të shtetasit P. B. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Berat – Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi i shtetasit A. Ç., 55 vjeç, banues në Kutalli, pasi ka bërë kallëzim një shtetase 13-vjeçare se ky shtetas e ka ngacmuar seksualisht. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Ngacmim seksual”.
Durrës – Vijon puna për goditjen e paligjshmërisë Vihen në pranga 4 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, të cilët janë konfliktuar për motive pronësie. Bie në pranga dhe një shtetas tjetër, për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë kanë arrestuar në flagrancë shtetasit A. Gj., 32 vjeç, T. Gj., 30 vjeç (vëllezër), R. H., 45 vjeç dhe H. Gj., 30 vjeç, banues në Manzë, Radë. Këta shtetas, pas një konflikti të përsëritur për motive pronësie, kanë goditur me sende të forta njëri-tjetrin. Për pasojë shtetasit H. Gj. i janë shkaktuar dëmtime të lehta në trup. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit H. Gj. u gjet dhe u sekuestrua armë e ftohtë (thikë), të cilën e kishte pa leje. Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë shtetasi B. Gj. (i ati i shtetasit H. Gj.), 64 vjeç, banues në Manzë, Radë. Specialistët e Qarkullimit Rrugor kanë arrestuar në flagrancë shtetasin E. Sh., 28 vjeç, banues në Durrës, pasi në lagjen nr. 4, duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin ka humbur kontrollin dhe është përplasur me bordurën, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 94 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 22 janë arrestuar në flagrancë dhe 67 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 12 raste: 2 raste të ‘Kanosja”, 1 në Durrës dhe 1 në Berat; ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje, 1 në Tiranë, 2 në Elbasan dhe 2 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë , 1 në Durrës, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 6 raste, 2 në Tiranë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 3 në Berat dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 11 raste, 2 në Tiranë, 4 në Durrës, 2 në Elbasan, 2 në Gjirokastër dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të shkatërrimit të pronës, 3 në Durrës, 1 në Lezhë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”, 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 2 në Durrës dhe 1 në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”, 1 për “Fshehja e të ardhurave”, 1 për “Kundërshtimi i punonjësve të policisë” dhe 1 për “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore”.
Janë evidentuar 3 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, 1 në Durrës dhe 1 në Kukës.
Në Gjirokastër është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”.
Janë evidentuar 2 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”,1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 raste aksidentesh, me 6 persona të lënduar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 9 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.