Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Mirditë, Lezhë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Lumthi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Operacioni i zhvilluar nga Forca Operacionale në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve dhe Komisariatin e Policisë Mirditë. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe doza me lëndë narkotike. Vihen në pranga 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër. Në vijim të kontrolleve të ushtruara në të gjitha rrugët kryesore dhe dytësore në qarkun e Lezhës, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në në vendin e quajtur “Ura e Fanit”, Mirditë, një shtetas qarkullonte me automjet, me armë zjarri pa leje dhe doza me lëndë narkotike gati për shitje, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Lumthi”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve B. Gj., 38 vjeç dhe A. L., 43 vjeç, banues në Rrëshen, Mirditë. Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim e shtetasit E. Gj., 33 vjeç, banues në Mirditë dhe punohet për kapjen e tij. Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar mjetin e dyshuar tip “Audi” me drejtues shtetasin E. Gj., ku gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe lëndë të dyshuar narkotike e dyshuar kokainë. Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit B. Gj. dhe A. L., si dhe u shpall në kërkim drejtuesi i mjetit, shtetasi E. Gj., i cili duke përfituar nga errësira ka mundur të largohet. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” për shtetasin E. Gj. dhe për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” për shtetasit B. Gj. dhe A. L.
Gramsh – Finalizohet operacioni policor i koduar “Gramsh 2022”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe lojërave të paligjshme të fatit. Vihen në pranga 3 shtetas. Sekuestrohen qindra doza me lëndë narkotike dhe sende të tjera të kundërligjshme. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve pranë DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale pranë DVP Elbasan dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, pas një punë hetimore disamujore proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Gramsh 2022”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. B., 38 vjeç, banues në Gramsh, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë; K. T., 33 vjeç, banues në Gramsh, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”; I. R., 59 vjeç, banues në Gramsh, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Moskallëzimi i krimit”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”. Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e shtetasit I. R., Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi dozash me lëndë narkotike që i përkisnin shtetasit A. B., i cili në bashkëpunim me shtetasin K. T., i shpërndante kundrejt fitimit, në qytetin e Gramshit. Gjithashtu, në momentin e ndalimit, shtetasit I. R. i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një aparat celular që e përdorte për baste sportive online. Po në kuadër të operaconit, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. B., Policia gjeti qindra doza me lëndë narkotike dhe qese farmaceutike për paketimin e tyre, ndërsa në banesën e shtetasit K. T. gjeti një sasi fishekësh për armë zjarri dhe për armë gjahu. Nga veprimet hetimore rezulton se shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, prej disa kohësh ushtronin aktivitetin kriminal të shpërndarjes/shitjes së lëndës narkotike cannabis sativa, me përdorues të ndryshëm, në qytetin e Gramshit. Materialet proceduarale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 85 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 30 janë arrestuar në flagrancë dhe 53 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 12 raste, me 10 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste: 2 raste të “Kanosja”, në Berat; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Vlorë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje” 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, me 1 autorë të arrestuar dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 5 raste, 3 raste me 3 autorë që po procedohen në në gjendje të lirë; 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, në Tiranë për veprat penale “Mashtrimi”, “Fsehja e të ardhurave” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”; 2 të tjerë janë procedur penalisht për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Pushtim toke”, 1 në Kukës, 1 në Lezhë dhe 1 në Elbasan.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 aksidente, me 2 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 8 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 8 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.