Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 19 Gusht 2020

Pogradec/Zaptuan hapësirë publike (plazh) duke vendosur shezlongë pa leje, procedohen penalisht 4 pronarë subjektesh.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të kontrolleve të ushtruara për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, konstatuan 4 subjekte të cilët kishin zaptuar hapësirën publike (plazh), duke vendosur shezlongë pa lejen e autoriteteve përkatëse.
Në vijim të veprimeve të para, specialistët për Hetimin e Krimeve filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve:
• O. D., 54 vjeç, banues në fshatin Udënisht, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në hotelin në pronësi të tij në këtë fshat, në anë të liqenit iu gjetën të vendosura disa shezlonge pa leje.
• R. K., 40 vjeç, banues në Librazhd, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në hotelin në pronësi të tij në fshatin Tushemisht, në anë të liqenit iu gjetën të vendosura disa shezlonge pa leje.
• K. H., 35 vjeç, banues në Buçimas, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e tij, përgjatë rrugës Pogradec-Tushemisht, në anë të liqenit iu gjetën të vendosura disa shezlonge pa licensën përkatëse.
• I. H., 27 vjeç, banues në Buçimas, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e tij, përgjatë rrugës Pogradec-Tushemisht, në anë të liqenit iu gjetën të vendosura disa shezlonge pa licensën përkatëse.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.

Elbasan / Përndiqte dhe ushtronte dhunë fizike e psikologjike ndaj një shtetaseje të mitur, vihet në pranga 18-vjeçari.
Gjithashtu arrestohet edhe babai i të miturës dhe shpallen në kërkim dy persona të tjerë, të cilët ushtruan dhunë fizike dhe i hoqën lirinë për disa orë 18-vjeçarit.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
A. K., 49 vjeç dhe L. H.,18 vjeç, banues në Elbasan.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasve:
G. Sh., 46 vjeç dhe O. K., 20 vjeç, banues në Elbasan. Arrestimi i shtetasit L. H., u bë pasi nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se ky shtetas, ka përndjekur dhe ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj një shtetaseje të mitur 14-vjeçare.
Ndërsa arrestimi i shtetasit A. K., (i ati i vajzës) dhe shpallja në kërkim e dy të tjerëve, u bë pasi këta shtetas në bashkëpunim mes tyre, ditën e djeshme dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj 18-vjeçarit L. H., si edhe i kanë hequr lirinë këtij të fundit, duke e mbajtur në një automjet për disa orë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Tiranë / Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm, duke evituar një ngjarje të rëndë kriminale në familje.
Goditi me thikë bashkëshorten në banesë, vihet në pranga 73-vjeçari, me precedent të meparshëm penale në krimet kundër personit. Sekuestrohet thika me të cilën autori kryeu plagosjen. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, me të marrë njoftim se në rrugën “Manhatan”, në Kamëz, kishte konflikt në familje, menjëherë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë. Në momentin që shërbimet e Policisë janë afruar për të hyrë në banesë, shtetasi N. P., 73 vjeç, sapo ka parë punonjësit e Policisë ka tentuar të largohet, por fale ndërhyrjes së shpejtë dhe veprimeve profesionale është kapur dhe arrestuar nga sherbimet e Policisë. Shtetasi N. P., pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me thikë bashkëshorten e tij, e cila ndodhet në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit N. P., për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Informacion paraprak. Më datë 19.08.2020, rreth orës 03:30, është njoftuar salla operative se gjatë natës, në Vorë në brendesi të një kompleksi janë vjedhur2 nargjile dhe një sasi të vogwl parash. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Durrës /Vijojnë kontrollet për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. Ndëshkohen me masë administrative 1.000.000 lekë 2 subjekte në Durrës konkretisht pronari dhe administratori i tyre, pasi u konstatuan duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme për monitorimin e zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë konstatuar subjektin me pronar shtetasin R.Ç., në lagjen nr. 13 dhe subjektin me administrator shtetasin E.D., në lagjen nr.1, të cilët po ushtronin aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar protokollet e sigurisë.
Për të dy subjektet, shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë. Arrestohet në flagrancë një 23-vjeçar, për disa vepra penale.

Specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve të ushtruara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, arrestuan në flagrancë shtetasin: A.K., 23 vjeç, banues në Sukth, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në lagjen nr.13, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Golf” në gjendje të dehur dhe pas kontrollit në mjetin që drejtonte, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike e dyshuar si mariuhanë dhe një shkop metalik (si ato të policisë). Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Tiranë /Vihen në pranga 8 persona për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr.3, bënë ndalimin për veprën penale “Vjedhja” të shtetasit F.B., 41 vjeç, pasi dyshohet se është autorë i disa ngjarjeve konkretisht: Me date 19.06.2020, në rrugën e “Dajtit”, ka vjedhur motorrin në pronësi të shtetasit G.K. Me datë 11.08.2020, në rrugën “Muhamed Deliu” ka vjedhur biçikletën në pronësi të shtetasit A.M.Me datë 15.08.2020, në rrugën “E Dibrës” ka vjedhur motorrin në pronësi të shtetasit B.L. Gjithashtu, ky shtetas ka qënë i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr.3, pasi dyshohej si autor i vjedhjes së biçikletes të shtetasit A.D.
Nga specialistët e Komisariatit të Policisë Nr.6, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” u bë ndalimi i shtetasit F.A., 47 vjeç, i cili ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”, e kryer në bashkëpunim.

Nga specialistët e Komisariatit të Policisë Nr.2, u bë egzekutimi i urdhërit të prokurorit për shtetasin në kërkim E.K., 53 vjeç, sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar me 9 muaj burg, për veprën penale “Mosdhënia e mjeteve për jetesë”.
Sherbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Q.G., 44 vjeç, pasi në rrugën e “Dibrës”, në ambientet e një bar-kafeje, u konstatua nga punonjësit e OSHEE-së, duke rilidhur energjinë elektrike në mënyrë të paligjshme .
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve R.G., 38 vjeç, O.S., 35 vjeç ., I.ZH., 46 vjeç,dhe A.XH., 21 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatese në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Gjirokastër, Memaliaj/Arrestohen në flagrancë 1 shtetas për veprën penale “Vjedhe” (e mbetur në tentativë) dhe 2 shtetas të tjerë për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin E. N., 36 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në lagjen “Granica”, Gjirokastër, pasi rreth orës 00:30 të datës 18.08.2020, në lagjen “Kodra e Shtufit”, u kap në tentativë për të vjedhur banesën e shtetasit B. I.

Gjithashtu, shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj arrestuan shtetasit A. B., 55 vjeç dhe E. B., 29 vjeç, banues në fshatin Vasjar, Memaliaj, pasi në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, në fshatin Vasjar, Bashkia Memaliaj, në një banesë të pabanuar, për të cilën kujdesheshin shtetasit e mësipërm, u gjetën të kultivuara dhe asgjësuan disa bimë narkotike.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 61 shtetas, konkretisht: 14 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 44 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 18 raste: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Elbasan, 1 në Fier dhe 2 në Vlorë; 2 raste të “Plagosja e rëndë me dashje”, në Tiranë dhe Berat; 11 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë, 2 në Vlorë, 1 në Berat, 2 në Fier , 2 në Durrës dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Fier.
Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 4 raste, 1 në Durrës ku autorët janë shpallur në kërkim, 1 rast në Elbasan dhe 2 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast “Mashtrimi”, në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Falsifikimi i dokumenteve”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 raste të “Ndërtimit të paligjshëm”, në Dibër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste “Pushtim toke”, 2 në Korçë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 5 shtetas të lënduar lehtë, jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 4 shtetas, që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, ku është arrestuar në flagrancë 1 shtetas në Dibër dhe janë proceduar 3 të tjerë në Lezhë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.