Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 18 dhjetor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kukës – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Morina”. Operacioni nga DVP Kukës dhe forcat speciale “Renea”, për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit. Kapet dhe ndalohet 1 shtetas i dënuar për vrasje. Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu teke, dylbi dhe municion luftarak. Në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore të shpallur në kërkim për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, si dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, gjatë orëve të para të mëngjesit strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me forcat speciale “Renea”, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Morina”, si rezultat i të cilit, në fshatin Morinë,  u bë e mundur kapja dhe ndalimi i personit të shpallur në kërkim për vrasje, konkretisht: Burim Duraku, 31 vjeç, banues në fshatin Morinë, Kukës. Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Armëmbajtja pa leje”, “Vjedhja me dhunë” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit, në bashkëpunim”. Gjatë operacionit, forcat “Renea” kanë ushtruar kontroll në banesën e tij, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale  1  armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, 2 palë dylbi dhe fishekë luftarakë. Më datë 26.03.2010,  në vendin e quajtur Argostoli te Kefalinias, dyshohet se shtetasi Burim Duraku, në bashkëpunim me shtetasin Sh. D., të maskuar kanë hyrë tek banesa e një shtetaseje greke, ndaj të cilës kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, si dhe i kanë marrë një sasi monedhash. Më datë 06.04.2010, në vendin e quajtur Trapezaki Livathi te Kefalinias, dyshohet se shtetasi Burim Duraku, në bashkëpunim me shtetasin Sh. D. kanë thyer derën e banesës së një shtetasi grek, ku kanë marrë sende me vlerë. Më datë 16.04.2010 në vendin e quajtur Argostoli te Kefalinias, dyshohet se këta dy shtetas kanë hyrë në banesën e një shtetaseje greke, të cilën e kanë lidhur dhe kërcënuar me thikë dhe pasi i kanë marrë një sasi lekësh, janë larguar duke e lënë me gojë të mbyllur. Më datë 01.05.2010, në vendin e quajtur Argostoli te Kefalinias të Greqisë, shtetasi Burim Duraku, në bashkëpunim me shtetasin Sh. D., të maskuar janë futur në banesën private të shtetases greke A. V. Pasi kanë tentuar pa sukses të shpërthenin me një mjet të mprehtë derën midis kuzhinës dhe sallonit,  e cila ka qenë e kyçur, e kanë thyer derën dhe janë futur brenda. Aty kanë gjetur shtetasen  greke A. V., të cilës i kanë lidhur duart dhe këmbët me një shirit vetëngjitës. Më pas kanë grisur me thikën një copë xhakete dhe e kanë mbështjellë me shiritin vetëngjitës duke i zënë frymën e më pas i kanë vënë në kokë një qese plastike dhe si pasojë  e asfiksisë ajo ka gjetur vdekjen. Këta dy shtetas më pas i kanë vjedhur një shumë të hollash dhe disa sende të çmuara. Gjithashtu, ka rezultuar se këta dy shtetas kanë hyrë në shtetin grek në mënyrë të paligjshme, pa respektuar formalitetet ligjore të kalimit kufitar nëpërmjet ndonjë pikë kufitare të atij shteti.Ministria e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë ka pranuar kërkesën e Autoriteteve të Drejtësisë së Greqisë, mbi transferimin e procedimit penal në ngarkim të shtetasve shqiptarë Burim Duraku dhe Sh. D., të cilët dyshohen se kanë kryer veprat penale “Vrasja me dashje, në bashkëpunim”, “Vjedhja me dhune”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Materialet  i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme.

Mat – Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, falë bashkëpunimit me qytetarët, godasin një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Finalizohet operacioni policor i koduar “Livadhet”. Qëlluan me armë zjarri në ajër, vihet në pranga një 19-vjeçar, si dhe procedohet në gjendje të lirë një tjetër. Sekuestrohet një armë zjarri tip kallashnikov. Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen paligjshmërisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, falë bashkëpunimit me qytetarët, të cilët kanë njoftuar në sallën operative për dy të rinj që qëllonin me armë zjarri në ajër, kanë organizuar punën duke finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Livadhet”. Si rezultat i operacionit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi I. K., 19 vjeç, banues në Burrel dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi K. K., 18 vjeç, banues në Burrel. Këta shtetas u kapën gjatë operacionit, në tentativë për t’u larguar, në aksin rrugor Burrel-Komsi, së bashku me armën e zjarrit,  me të cilën këta shtetas kishin qëlluar në ajër në livadhet e fshatit Batër e Vogël. Nga veprimet e para hetimore të kryera në vendngjarje u gjetën dhe u sekuestruan 10 gëzhoja, të qitura nga arma e sekuestruar nga shërbimet e Policisë gjatë operacionit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 18 janë arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 55 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 4 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë; 3 raste të “Plagosja e rëndë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 2 në Vlorë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, 4 në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 13 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, 2 në Tiranë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 10 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 6 raste, 3 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Fier dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 5 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 3 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.