Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 17 qershor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Lezhë – Goditet një rast i tentativës për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Si rezultat i shkëmbimit të informacionit, bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve mes Drejtorisë Rajonale të SHÇBA Shkodër-Lezhë dhe DVP Lezhë janë vënë në pranga 2 persona që u kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit. Sekuestrohen një automjet, disa bileta udhëtimi dhe dy aparate celular. Nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Lezhë, në bashkëpunim me SHÇBA-në, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative së me një mjet autobus po transportoheshin emigrantë të paligjshëm në drejtim të Shkodrës, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i M+” është bërë lokalizimi dhe ndalimi i mjetit të dyshuar. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin autobus me drejtues shtetasin Gj. L. dhe faturino shtetasin A. A., u konstatuan 10 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, të cilët po transportoheshin në drejtim të Shkodrës, kundrejt fitimit.   Në vijim të veprimeve, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Lezhë u bë arrestimi i shtetasve: Gj. L., 54 vjeç dhe A. A., 31vjeç, banues në Kamzë, Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, disa bileta udhëtimi dhe 2 aparate celular. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.

Durrës – I vodhën një sasi parash një shtetasi të huaj, ndalohen 2 autorët e dyshuar. Arrestohet në flagrancë një 35-vjeçar, për veprën penale “Dhuna në familje”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh, në vijim të punës për parandalimin dhe evidentimin e veprave penale në fushën e vjedhjes, zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve, bënë ndalimin me iniciativë të shtetasve: O. T., 19 vjeç dhe O. M., 17 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës. Ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi më datë 10.06.2021, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, në bregdet, i kanë vjedhur një sasi parash në portofol, shtetasit polak L. Z. Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 35 vjeç, banues në Durrës, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Qarku Korçë – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”. U kap duke transportuar kundrejt shpërblimit 22 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i tij.  Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Forcat Speciale “Shqiponjat” në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit N. R., 41 vjeç, banues në Fier dhe u shpall në kërkim shtetasi F. Q., 28 vjeç, banues në Durrës. Shërbimet e policisë, kanë kapur pranë fshatit Grabovicë, Pogradec, shtetasin N. R., me mjetin tip furgon “Benz”, duke transportuar 22 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.  Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se bashkëpunëtor me 41-vjeçarin, në këtë aktivitet kriminal, ishte edhe shtetasi F. Q., i cili u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. G., 25 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga Forca e Posaçme “Shqiponjat” i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë narkotike kokainë. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: G. L., 41 vjeç, T. L., 37 vjeç, M. Xh., 39 vjeç dhe A. Q., 56 vjeç, pasi janë kapur duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. Më datë 16.06.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasit F. K., 44 vjeç dhe B. I., 44 vjeç, sepse më datë 15.06.2021, në rrugën “Myrteza Këlliçi”, për motive të dobëta, në bashkëpunim kanë goditur me grushta dhe kanë kanosur shtetasit E. H., 39 vjeç dhe L. H., 32 vjeç. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Korçë – Pas publikimit të rastit në emisionin investigativ “Fiks Fare”, procedohet penalisht pronari i hotelit për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Duke marrë shkas nga pamjet filmike të transmetuara më datë 16.06.2021, në emisionin “Fiks Fare”, ku shfaqej pronari i një hoteli që ndodhet në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, duke i premtuar një qytetari se do ta ndihmonte për kalimin e nipit të tij, në drejtim të Greqisë, në këmbim të shumës 1200 euro, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë filluan procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin G. Ç., 44 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 91 shtetas, konkretisht: 33 janë arrestuar në flagrancë dhe 58 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, në Vlorë, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 12 raste, 5 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 3 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Lezhë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Mashtrimi”, 2 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të “Fshehja e të ardhurave, 4 në Lezhë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, 2 në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për shkatërrim prone, 1 në Vlorë dhe 1 në Korçë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 5 persona që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 7 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë proceduar penalisht 4 drejtues mjetesh dhe janë arrestuar në flagrancë 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.