Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
DVP Elbasan – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim. Arrestohet një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Kapen dhe ndalohen 3 shtetas të tjerë të shpallur në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, pas një pune të mirorganizuar, lokalizuan, kapën dhe arrestuan përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar P. H., 34 vjeç, banues në Peqin. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Brescias, Itali, në datën 26.02.2020, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Veprimet e mëtejshme për këtë shtetas do të kryhen nga Zyra e Interpolit Tiranë. Në vijim të punës për kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim kombëtar, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan kapën dhe ndaluan shtetasin F. H., 38 vjeç, banues në Elbasan, pasi më datë 13.02.2021, në lagjen “Shënkoll”, Elbasan, nën kërcënimin e një arme zjarri pistolet dhe të një mjeti të mprehtë (thikë), ka vjedhur një market në pronësi të shtetasit F. H. Specilaistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Librazhd kapën dhe ndaluan shtetasit A. Ç., 31 vjeç, banues në fshatin Polis, Librazhd, të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan e ka dënuar me 1 vit burg për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi gjatë një konflikti ka ushtruar dhunë fizike ndaj xhaxhit të tij; Sh. A., 28 vjeç, banues në fshatin Polis, Librazhd, të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan e ka dënuar me 4 muaj burg për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, pasi gjatë kohës që punonjësit e Policisë kanë qenë duke ekzekutuar vendimin penal për një të afërm të tij, ai ka kundërshtuar punonjësit e Policisë. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gramsh, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Peqin dhe Shijak, kapën dhe ndaluan shtetasin E.K., 38 vjeç, banues në fshatin Kotorr, Gramsh, pasi Gjykata e Apelit Durrës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Prodhim dhe shitjen e lëndëve narkotike”. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Kontakt”, për kapjen e personave në kërkim. Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2. Kapet dhe vihet në pranga një person i shpallur në kërkim për “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë. Gjatë operacionit është vënë në pranga edhe një shtetas tjetër. Gjithashtu, gjatë operacionit, është vënë në pranga një oficer policie që u kap në banesë me personin në kërkim. Sekuestrohen lëndë narkotike dhe një shumë parash të përfituara nga shitja e saj. Nga ana e strukturave per Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi të kërkuar për vrasje të mbetur në tentativë, u zhvillua operacioni “Kontakt”. Si rezultat i veprimeve të kryera, në rrugën “Ndre Mjeda” u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B., 32 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim në vitin 2019, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tirane, pasi Gjykata pranë Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas, në vitin 2019, dyshohet se ka tentuar të vrasë shtetasin E. K. Gjatë operacionit, në momentin e kapjes në flagrancë nga shërbimet e Policisë, ky shtetas ishte në banesë me oficerin e Policisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, shtetasin D. H., 30 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë nga strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Gjithashtu, gjatë operacionit, bazuar në informacionet se shtetasi në kërkim A. B. posedonte edhe një banesë tjetër, është ushtruar kontroll në ambientet e saj, ku është konstatuar një sasi lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë rreth 2.3 kilogramë. Në momentin e kontrollit në banesën tjetër që dispononte personi në kërkim është gjetur duke paketuar lëndë narkotike shtetasi I. P., 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 250.000 lekë të rinj, që dyshohet se këta persona i kanë përfituar nga shitja e lëndës narkotike. Materialet proceduariale do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Bien në prangat e Policisë 8 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim. Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit për shtetasin E. L., 23 vjeç, pasi nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas ka qenë poseduesi i 64 dozave me lëndë narkotike të llojit cannabis sativa që janë gjetur në datën 04.09.2020, në rrugën “Mihal Popi”. Po nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. P., 22 vjeç, pasi në rrugën “Ndre Mjeda”, gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga punonjësit e policisë të Seksionit të Forcës së Posaçme “Shigjetat”, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë narkotike kanabis. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë ndalimi i shtetasit A. Ç., 30 vjeç, pasi më datë 11.02.2021, ka aksidentuar dhe është larguar nga vendngjarja, shtetasin R. A., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë ndalimin me iniciativë të shtetasve A. E., 20 vjeçe dhe K. A., 22 vjeç, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë ndalimi për veprat penale “Vjedhja” dhe “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, i shtetasit A. Sh., 25 vjeç, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe ka kryer një vjedhje. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit F. C., 32 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. L., 51 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.65 mg/l, është përfshirë në aksident me dy mjete dhe për pasojë është dëmtuar vetë drejtuesi i mjeti S. L., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Më datë 15.02.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit S. Z., 43 vjeç, pasi në rrugën “Fan Noli”, Kamzë, gjatë një konflikti për motive të dobëta dyshohet se i ka vënë zjarrin me lëndë djegëse mjetit në pronësi të shtetasit A. A. Më datë 15.02.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasen M. Ç.,(S), 32 vjeçe, banuese në Berat, sepse prej datës 28.01.2021 dhe në vazhdim, ka shqetësuar me telefonata të shumta, shtetasen N. Ç. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Kukës – Denoncohet në faqen zyrtare të DVP Kukës, nga djali i tij, për dhunë ndaj vëllait të mitur, Policia pas hetimeve të kryera vuri në pranga 48-vjeçarin. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kukës, pas njoftimit të marrë në faqen e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, për një shtetas që denonconte babanë për dhunë në familje, vlerësuan informacionin dhe filluan menjëherë hetimet. Si rezultat i hetimeve të kryera u arrestua në flagrancë shtetasi I. H., 48 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj djalit të tij të mitur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Kukës fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital, në numrin pa pagesë 112 ose në faqen zyrtare të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, duke iu siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.Delvinë – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar. Kapet dhe ndalohet 30-vjeçari i shpallur në kërkim për veprat penale “Goditje e sportistit, trajnerit, arbitrit” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Delvinë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin A. H., 30 vjeç, banues në Delvinë, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Goditje e sportistit, trajnerit, arbitrit” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi në datën 19.12.2020, gjatë zhvillimit të një ndeshjeje në Delvinë, ka hyrë në fushë dhe ka goditur me sende të forta në kokë arbitrin e ndeshjes, shtetasin E. P. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Durrës – Më datë 16.02.2021, në orën 02:50, në lagjen nr. 8, Durrës, ka marrë flakë në oborrin e banesës, dyshohet si pasojë e një shkëndije elektrike, mjeti tip “Citroen” në pronësi të shtetasit N. K., 49 vjeç. Për pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për ngjarje aksidentale.
Shkodër – Vihen në pranga 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve G. L., 29 vjeç dhe V. R., 25 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, kryer në bashkëpunim dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar ambientet e lokalit në pronësi të tyre, në lagjen “Manush Alimani”, Shkodër, janë gjetur dhe sekuestruar 1 tavolinë pokeri, 3 pako me letra pokeri dhe disa çipsa që përdoren për lojën e pokerit. Nga Forca e Posaçme “Shqiponjat” e DVP Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të DVP Shkodër, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 17 vjeç, banues në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga Forca e Posaçme “Shqiponjat”, këtij shtetasi i është gjetur një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 49 shtetas, konkretisht: 18 janë ndaluar,10 janë arrestuar dhe 21 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 8 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 në Berat, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në Kukës, ku autori është arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 2 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste: 1 në Tiranë, me dy autorë të ndaluar, 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 2 raste, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizmi i lotarive të palejuara”, në Shkodër, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “Flasifikimi i dokumenteve”, në Elbasan , ku autori është arrestuar në flagrancë
Janë evidentuar 2 raste të “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, 1 në Vlorë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është ndaluar 1 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit,
Në të gjithë territorin e vendit kanë ndodhur 2 raste aksidentesh, me 3 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 5 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.