Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Lushnjë – I vodhën automjetin një shtetasi, falë reagimit në kohë të Policisë arrestohen në flagrancë 2 autorët e dyshuar, njëri prej të cilëve ishte me “Arrest në shtëpi”. Sekuestrohen automjeti i vjedhur dhe një automjet tjetër që përdorën autorët për kryerjen e vjedhjes. Në vijim të veprimeve hetimore, Policia zbardhi dhe 3 raste të tjera të vjedhjes të automjeteve të ndodhura më parë që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas. Në orët e para të mëngjesit, pas njoftimit të marrë nga shtetasi N. K., se në fshatin Eskaj, Lushnjë, i kishin vjedhur automjetin tip kamionçinë “Ford Tranzit” që e kishte lënë të parkuar, menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë organizuar punën për identifikimin e autorëve dhe gjetjen e automjetit. Falë punës së mirorganizuar, shërbimet e Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, kanë bërë të mundur që brenda një kohë të shkurtër të identifikojnë dhe të arrestojnë në flagrancë dy autorët e dyshuar, si dhe të bllokojnë automjetin e vjedhur dhe një automjet tjetër që përdorën autorët për kryerjen e kësaj vjedhjeje. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A. O., 19 vjeç, banues në Tepelenë, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; M. K., 25 vjeç, banues në Tepelenë, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpie” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Shtetasit e lartpërmendur janë dhe autorë të dyshuar edhe të vjedhjes të 3 kamionçinave, konkretisht në datën 24.02.2021 në fshatin Hysgjokaj, në datën 26.03.2021 në fshatin Gjuzaj dhe në datë 08.05.2021, në fshatin Konjat. Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qarkun e Fierit, në të cilat mund të jenë të implikuar këta shtetas. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.
Lezhë – Policia e Lezhës, kontrolle të shtuara në të gjithë qarkun, për kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike. Si rezultat i kontrolleve është vënë në prangat një 14-vjeçar që qarkullonte me armë zjarri pistoletë. Gjithashtu, u shoqëruan për verifikim edhe 5 persona të tjerë me precedent të mëparshëm penal. Në zbatim të planit të masave për mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale, kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo lëndë narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për persona që qarkullojnë me armë zjarri në automjet, shërbimet e Policisë Lezhë ushtruan kontrolle në disa automjete në Shëngjin, Lezhë e Milot. Si rezultat, gjatë kontrollit të ushtruar në një mjet taksi në të cilin ishte pasagjer një 14-vjeçar, në çantën e tij, shërbimet e Policisë Lezhë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. T., banues në Lezhë, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.Kontrollet kanë vijuar edhe në Shëngjin, ku gjatë kontrolleve janë shoqëruar për verifikim 5 persona me precedent të mëparshëm kriminal. Policia e Lezhës falënderon qytetarët për mbështetjen dhe besimin dhe i fton ata për të denoncuar në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, çdo rast të paligjshmërisë, duke iu siguruar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Berat – Tentoi të vidhte në një banesë, arrestohet në flagrancë 23-vjeçari, i cili dyshohet dhe si autor i një vjedhje të ndodhur më parë. Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Z., 23 vjeç, banues në lagjen “30 Vjetori”, Berat, pasi ka tentuar të vjedhë dy aparate celular dhe një portofol në banesën e shtetases E. H. Gjithashtu dyshohet dhe si autor i një vjedhjeje të ndodhur më parë në banesën e shtetasit B. S., ku ka marrë një sasi lekësh. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.
Durrës – Vijon puna për kapjen e personave në kërkim kombëtar. Kapet dhe ndalohet një 24-vjeçar i dënuar me 5 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Qafë Plloça”, i finalizuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë më datë 03.03.2020, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin Eralind Pirraçi, 24 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Korçë e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj burg për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Ky shtetas, më datë 03.03.2020, në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë (të arrestuar në kuadër të këtij operacioni), janë kapur duke transportuar me një mjet tip “Volksëagen” dhe një mjet tip “Benz”, 8 emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit prej 300-350 euro, me qëllim kalimin drejt vendeve të BE-së. Shtetasi Eralind Pirraçi i dorëzua Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, për veprime të mëtejshme.
Morinë, Kukës – Vihet në pranga, me qëllim ekstradimi drejt Belgjikës, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja”. Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar Djelal Ferati, 38 vjeç, banues në Shkup. Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Bruksel/Belgjikë, pasi autoritetet gjyqësore në Antëerp, Belgjikë e kanë dënuar me 3 vite burg për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja”, parashikuar nga legjislacioni penal i Belgjikës. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Belgjikës, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.
Elbasan – Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Procedohen penalisht dhe 2 shtetas që ushtronin veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit në subjektet e tyre. Vijojnë kontrollet e pandërprera në të gjithë qarkun Elbasan, në zbatim të planit të masave për evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Elbasan proceduan penalisht shtetasit: F. D., 41 vjeç dhe K. Z., 58 vjeç, pasi nga kontrolli i ushtruar në ambientet e lokaleve në pronësi të tyre u konstatua se ushtronin aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 aparate celulare me faqe të hapura për baste sportive. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan u arrestuan në flagrancë shtetasit: S. S., 38 vjeç, banues në Cërrik, pasi u kap nga shërbimet e Policisë Rrugore duke drejtuar motoçikletën pa leje drejtimi; M. B., 27 vjeç, banues në fshatin Babje, Librazhd, pasi duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur, ka goditur nga mbrapa dy mjete të parkuara. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan u arrestua në flagrancë shtetasi M. C., 18 vjeç, banues në Elbasan, pasi ka përndjekur dhe shqetësuar vazhdimisht ish të dashurën. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale.
Divjakë – Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 50 vjeç, banues në Divjakë, pasi u kap nga shërbimet e Policisë që patrullojnë në plazhin e Divjakës, me një armë të ftohtë (thikë), të cilën e mbante me vete në brez. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin O. D., 31 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj motrës së tij, shtetases K. D., 28 vjeçe, dhe ka shkatërruar disa pajisje në qendrën e saj estetike. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Dhunë në familje”.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar 86 penalisht shtetas, konkretisht: 8 janë ndaluar, 32 janë arrestuar në flagrancë dhe 64 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Gjirokastër; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 5 raste, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste në Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 18 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 3 në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë; në Berat dhe 1 në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 7 raste, 2 në Tiranë, 2 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 2 në Dibër, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrim prone”, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Falsifikimi i dokumenteve” dhe 1 për “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin gjykatës”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier.
Janë evidentuar 2 raste të armëmbajtjes pa leje, 1 në Lezhë dhe 1 ën Durrës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.
Në Durrës janë proceduar penalisht 2 shtetas, për “Shpërdorim detyre”, 1 për “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe 1 për “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore”.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi’”, 1 në Tiranë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Elbasan.
Në Shkodër është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, si dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për “Punësim i paligjshëm”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 raste aksidentesh, me 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 11 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.