Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Morinë, Kukës – Vihet në pranga, me qëllim ekstradimi drejt Mali të Zi, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Shkelje e ligjit të narkotikëve”. Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar Aleksandar Vukicevic, 33 vjeç, banues në Podgoricë, Mali i Zi. Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga NCB Podgorica, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Podgoricë e ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, për veprën penale “Shkelje e ligjit të narkotikëve”, parashikuar nga legjislacioni penal i Malit të Zi. Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Malit të Zi. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet malazeze, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.
Tropojë – Kontrolle intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, në terren të hapur dhe në terren të mbyllur. Finalizohet operacioni policor i koduar “Palçi”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Tropojë. Goditet një rast i kultivimit të bimëve natkotike, në fshatin Palç, arrestohen 2 autorët e dyshuar (babë e bir). Procedohen në gjendje të lirë kryetari i fshatit dhe inspektori i pyjeve, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, pas një hetimi 1-mujor, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, se në fshatin Palç ishin kultivuar bimë narkotike kanabis, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Palçi”. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve N. N., 53 vjeç dhe A. N., 19 vjeç, (babë e bir), banues në fshatin Palç. Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike në territorin e fshatit Palç. Në vijim të veprimeve u proceduan në gjendje të lirë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit: S. P., 33 vjeç, me detyrë kryetar i fshatit Palç, dhe Gj. P., 65 vjeç, me detyrë inspektor i pyjeve dhe mjedisit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Vijon bashkëpunimi me qytetarët, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Falë këtij bashkëpunimi, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 goditën një rast të armëmbajtjes pa leje. Sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak, procedohet penalisht 17-vjeçari që i kishte fshehur në rrugë, afër banesës së tij. Procedohen penalisht edhe 2 shtetas të tjerë, për moskallëzim krimi. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara falë bashkëpunimit me qytetarët, se në rrugën “Gjergj Legisi”, një shtetas kishte fshehur armë zjarri afër banesës së tij, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll të befasishëm në adresën e dhënë. Gjatë kontrollit të ushtruar në afërsi të kësaj banese, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur mes shkurreve, një armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal për shtetasin R. R., 17 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Gjithashtu, u proceduan penalisht për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit B. K., 40 vjeç dhe I. Z., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon qytetarët, për bashkëpunimin, dhe i fton që të vazhdojnë të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast paligjshmërie që ata evidentojnë.
Mirditë/Kontrolle masive të territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Finalizohet një tjetër operacion antikanabis, i koduar “Continues”. Gjenden dhe asgjësohen me anë të djegies, bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Vihen në pranga 2 shtetas (babë e bir). Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Mirditë, bazuar në informacione të marra në rrugë operative, për dy shtetas që kishin kultivuar bimë narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Continues”. Si rezultat i këtij operacioni, në fshatin Blinisht, njësia administrative Orosh, rrethi Mirditë, konkretisht në vendin e quajtur “Përroi i Seftes”, në ambient të hapur, janë gjetur të kultivuara bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies. Në vijim të veprimeve hetimore, janë identifikuar si autorë të dyshuar të kultivimit të bimëve, shtetasit B. Ll., 49 vjeç dhe A. Ll., 20 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Blinisht, Mirditë, të cilët u arrestuan në flagrancë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Krujë – Vijon operacioni policor i koduar “Fati i lojërave”, goditet 1 rast tjetër i veprimtarisë së organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Vinte baste sportive me celular, në një lokal, vihet në pranga 41-vjeçari, procedohet në gjendje të lirë pronari i lokalit. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale, aparati celulari që përdorej për kryerjen e kësaj veprimtarie të paligjshme. Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Krujë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”, që ka si qëllim goditjen e rasteve në fushën e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë vijuar kontrollet në lokale dhe ambiente të tjera, ku mund të organizohen lojëra fati të palejuara. Si rezultat, është bërë e mundur goditja e një rasti tjetër të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Xh. K., 41 vjeç, banues në lagjen nr.4, Krujë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”. Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë, në lokalin ku punonte, duke vënë baste sportive me anë të një aparati celular, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu nisi procedimi penal në gjendje të lirë për pronarin e lokalit, shtetasin M. S., banues në lagjen nr.4 Krujë, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
Krujë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Krasta”. Operacioni, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe të kultivimit të bimëve narkotike. Vihet në pranga një 24-vjeçar që qarkullonte me armë zjarri, në automjet. Në vijim të operacionit, falë hetimeve të kryera, është vënë në pranga edhe një 31-vjeçar, pasi kishte kultivuar bimë narkotike. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, asgjësohen bimët narkotike që ishin kultivuar në një zonë të pyllëzuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe asaj të kultivimit të bimëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas po qarkullonte me armë zjari në automjet, kanë lokalizuar, me anë të dronit, në fshatin Krastë, automjetin që drejtohej nga personi i dyshuar. Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë, në automjetin tip “Golf 5”, që drejtohej nga shtetasi H. S., 24 vjeç, u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri pistoletë me municion luftarak. Në vijim të operacionit, si rezultat i veprimeve proaktive, u bë e mundur që në një zonë të pyllëzuar të fshatit Krastë, të zbulohej një sipërfaqje toke në të cilën ishin kultivuar bimë narkotike kanabis. Në vijim të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë si autor i dyshuar i kultivimit të tyre, 31-vjeçari K. S., i cili ka lidhje shoqërore me shtetasin H. S. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Dibër – Goditi, për shkak të detyrës, punonjësin e Policisë, kapet dhe ndalohet 39-vjeçari. Shërbimet e policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, ndaluan shtetasin A. V., 39 vjeç, banues në fshatin Kllobçisht, Dibër, i shpallur në kërkim për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”. Ndalimi i tij u bë pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka goditur për shkak të detyrës, një punonjës policie të Pikës së Kalimit Kufitar Bllatë, gjatë kohës që ky i fundit ka qenë i angazhuar për kontrollin e territorit, në kuadër të parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Ruger”. Operacioni, i zhvilluar nga Sektori kundër Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2 dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”. Sekuestrohen 7 armë zjarri, 4 silenciatorë, municion luftarak, krehra, lëndë e dyshuar narkotike, 2 radio si ato të Policisë, dorashka, 7 maska, një thikë, dokumente të dyshuara të falsifikuara, targa të huaja dhe 2 automjete. Vihen në pranga 2 shtetasit që mbanin armët dhe sendet e tjera të paligjshme, në ambientet e banesave të tyre. Specialistët e Sektorit kundër Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2 dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar ‘Ruger”. Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve K. Gj., 25 vjeç dhe F. K., 22 vjeçe, aktualisht banues me qira, në Tiranë. Shërbimet e Policisë, në bulevardin “Gjergj Fishta”, kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin K. Gj., të cilit gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të ushtruar në 2 banesa të ndryshme, të marra me qira nga ky shtetas (në njërën prej të cilave jetonte shtetasja F. K.), shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 4 armë zjarri pistoleta, 2 armë zjarri automatike, 4 silenciatorë, 7 maska, 2 radio si ato të Policisë, një thikë, sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, fishekë të kalibrave të ndryshëm, dorashka, krehra, dokumente të dyshuara të flasifikuara, targa të huaja dhe 2 automjetet që përdornin shtetasit e arrestuar. Po punohet për identifkimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Gjatë 48 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 93 shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 20 janë arrestuar në flagrancë dhe 69 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 6 autorë të arrestuar dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste: 3 raste të “Kanosja”, 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, me autorë të dyshuar që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje është evidentuar 1 rast, me 1 autor të dyshuar që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 11 raste, prej tyre 9 raste janë me autorë ende të paidentifikuar dhe 2 raste me nga 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve janë evidentuar 3 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 2 raste, me me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, për secilin rast.
Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 1 autor të dyshuar, të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 2 raste të “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, me 2 autorë të dyshuar, të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Mashtrimi”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 të tjerë që po procedohen në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 8 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 2 të ndaluar dhe 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar 8 raste në fushën e krimeve mjedisore, me 10 autorë të dyshuar, që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evdientuar 1 rast i “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, me tre shtetas që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evdientuar 1 rast i organizimit të lotarive të palejuara, me 1 autor të arrestuar dhe 1 të proceduar në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”.
Janë proceduar penalisht 7shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, si pasojë e të cilëve janë dëmtuar 7 shtetas dhe ka humbur jetën 1 tjetër.
Janë evidentuar 7 raste të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 të tjerë të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar në total 11 raste të veprës penale”Drejtimi i automjeteve në nënyrë të parregullt, me 3 shtetas të arrestuar dhe 8 të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.