Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 13 tetor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kuçovë – Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Si rezultat i kontrolleve janë goditur dy raste të aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Arrestohet 1 shtetas dhe procedohet penalisht 1 shtetas tjetër që ushtronin këtë veprimtari.   Në vijim të punës për evidentimin dhe ndëshkimin e paligjshmërisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë në bashkëpunim me AMLF, kanë konstatuar në lagjen “Tafil Skëndo”, Kuçovë dy raste të ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit online.  Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kuçovë arrestuan shtetasin Xh. H., 26 vjeç (i dënuar më parë për këtë vepër penale) dhe proceduan penalisht shtetasin E. H., 29 vjeç, të dy banues në Kuçovë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 11 tableta, të cilat dyshohet se shërbenin për vendosjen e lotove të sportit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme.

Durrës/Informacion paraprak – Më datë 12.10.2021,​ rreth orës 23:00, ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital, shtetasi R. V., 21 vjeç, banues në Fllakë, Durrës. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera që mund të jenë shkaktuar nga mjete të mprehta apo armë zjarri. Paraprakisht dyshohet se mund të ketë humbur jetën për shkak të përdorimit të fotoksinës. Pritet ekspertiza mjeko-ligjore, për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

DVP Lezhë – Kurbin/ Goditet një rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.  Vihet në pranga 1 shtetas që u kap nga shërbimet e Policisë, duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.  Shërbimet e Njësisë së Autostradës Milot-Morinë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin dhe strukturat e DVP Lezhë, në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, pas informacioneve të marra në rrugë policore se në  automjetin tip “Benz ”  po transportoheshin emigrantë të paligjshëm drejt Kosovës, organizuan punën për lokalizimin dhe ndalimin e mjetit. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. S., 35 vjeç, banues në Kamëz. Ky shtetas, është kapur në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Njësisë Operacionale të Autostradës Milot-Morinë, në Skuraj, Kurbin duke transportuar me automjetin e tij “Benz”, 7 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.  Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Dibër – Më datë 12.10.2021, në orët e pasdites, shtetasi P. H., 63 vjeç (shtetas anglez), ka kërkuar ndihmën mjekësore, por gjatë transportit për në spital ka humbur jetën. Nga këqyrja paraprake në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune. Dyshohet se ka humbur jetën nga shkaqe natyrale.

Më datë 12.10.2021, rreth orës 19:30, shtetasi S. M., 62 vjeç, duke punuar në një pemë në tokën e tij, aksidentalisht është rrëzuar dhe për pasojë ka humbur jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër, për ngjarje aksidentale.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 74 shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 22 janë arrestuar në flagrancë dhe 48 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Fier dhe 3  raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje” në Vlorë dhe 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 6 raste, 4 në Tiranë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, 1 rast në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për shkatërrim prone, 1 në Durrës dhe 1 në Fier.

Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për veprën penale ‘Fshehja e të ardhurave”, 1  në Tiranë, 2 në Berat, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër.

Në Berat është arrestuar në flagrancë 1 shtetas edhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Janë evidentuar 2 raste të “Shpërdorim detyre”, 1 në Shkodër dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, në Fier, dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, 1 Në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Pushtim toke”.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 raste aksidentesh, me 9 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.