Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 12 tetor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Dokumentohet ngjarja e ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme, në rrugën “Kongresi i Manastirit”. Vihet në pranga 1 shtetas, procedohen penalisht 6 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër shtetas. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë. Në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. F., 39 vjeç dhe proceduan penalisht shtetasit E. K., 30 vjeç, E. Q., 41 vjeç, E. K., 32 vjeç., N. Q., 43 vjeç, L. D., 41 vjeç, si dhe shpallën në kërkim shtetasin A. T., 27 vjeç. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se në një lokal në afërsi të një shkolle në rrugën “Kongresi i Manastirit”, fillimisht janë konfliktuar verbalisht, për motive të dobëta (për vend qëndrimi në lokal) shtetasja E. Q., 46 vjeçe dhe D. T., 53 vjeçe (mësuese). Më pas janë përfshirë në konflikt duke përdorur sende të forta, të afërmit përkatës të tyre, konkretisht shtetasit E. F., E. Q., 41 vjeç, N. Q., 43 vjeç dhe L. D., 41 vjeç (të afërmit e shtetases E. Q.) dhe shtetasit E. K., 32 vjeç, E. K., 30 vjeç dhe A. T., 27 vjeç (të afërmit e shtetases D. T). Si pasojë e konfliktit është dëmtuar me sende të forta shtetasi E. K., 32 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, gjatë konfliktit dyshohet se shtetasi E. F. (i arrestuar) ka qëlluar në ajër me një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.   Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 59 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 13 janë arrestuar në flagrancë dhe 41 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë; 3 raste të raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Fier; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 5 raste, 1 në Berat, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Durrës dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 1 në Durrës, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Tiranë janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për kundërshtim të punonjësit të policisë dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për “Falsifikimi i dokumenteve”.

Në Fier janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 për veprën penale “Mashtrimi” dhe 1 për “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 raste aksidentesh, me 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.