Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 12 maj 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Pogradec – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Restart”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e ushtrimit e shfrytëzimit të prostitucionit. Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Pogradec dhe Sektori për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë Pogradec, pas një pune hetimore disajavore. Vihen në pranga 4 shtetas, midis tyre pronari dhe administratorja e hotelit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec, në vijim të punës për goditjen e aktiviteteve kriminale të ushtrimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Restart”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve R. C., 35 vjeç, M. K., 34 vjeçe, E. Z., 36 vjeçe dhe M. S., 17 vjeçe, banues në Pogradec. Në bazë të punës hetimore disajavore, provave të grumbulluara dhe kontrollit të ushtruar në një subjekt bar-kafe dhe hotel në Tushemisht, Pogradec, në pronësi të shtetasit R. C., u arrit të  dokumentohej se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasen M. K. (në rolin e administratores) dhe dy shtetaset e tjera, në mënyrë të organizuar lejonin dhe ushtronin veprimtarinë e prostitucionit në ambientet e këtij hoteli. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se shtetasja M. K. nuk kishte kryer regjistrimin e subjektit pranë organeve tatimore. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprat penale “Prostitucioni”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” kryer në bashkëpunim, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Durrës – Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Taksisti”. Vihen në pranga 4 shtetas.  Sekuestrohen 900 gramë lëndë narkotike kokainë. Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikeve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Durrës, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar  “Taksisti”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve E. Sh., 30 vjeç, V. M, 29 vjeç (i dënuar me pare me korrupsion aktiv), A. Gj., 55 vjeç, të tre banues në Durrës dhe A. B., 52 vjeç, banues në Tiranë. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, pas një informacioni të marrë në rrugë operative se shtetasi A. Gj. kishte ardhur në zonën e Plazhit, me mjetin e tij taksi, së bashku me shtetasin A. B. (pasagjer), për të blerë një sasi lënde narkotike tek dy shtetas të tjerë, kanë organizuar punën për kapjen e tyre. Në momentin e konstatimit dhe të ndërhyrjes së Policisë, shtetasit E. Sh. dhe V. M., të cilët posedonin lëndën narkotike, ndodheshin në një lokal në zonën e plazhit  dhe sapo kanë vënë re prezencën e Policisë kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanë tentuar të largohen, por janë neutralizuar dhe arrestuar nga Policia gjatë ndjekjes. Gjatë tentativës për t’u larguar, këta shtetas kanë hedhur një pako, e cila më pas u konstatua si lëndë narkotike e llojit kokainë, me peshë rreth 900 gramë. Gjatë operacionit u bë kapja dhe arrestimi edhe i dy shtetasve të tjerë A. Gj. dhe A. B., të cilët do blinin lëndën narkotike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, automjeti taksi dhe 6 aparate celular. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Shkodër – Finalizohet operacioni policor i koduar “SANTORINI”. Kapet dhe vihet në pranga një 26-vjeçar i shpallur në kërkim për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe arrestohet në flagrancë bashkëmoshatari i tij, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë operacionit, këtyre shtetasve Policia iu gjeti dhe sekuestroi dhe 3000 fara cannabis sativa. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat” , bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, u organizua dhe finalizua me sukses operacioni policor i koduar “SANTORINI”, si rezultat i të cilit u kap dhe u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim R. C., 26 vjeç banues në Krujë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim. Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i shtetasit J. L. 26 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë. Shtetasit e lartpërmendur janë kapur nga shërbimet e Policisë, në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, duke qarkulluar me një automjet. Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 3000 fara cannabis sativa.  Shtetasi  R. C. dyshohet si një nga bashkëpunëtorët e ngjarjes së datës 03.11.2020, në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, ku ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë automjeti kamion me drejtues shtetasin shqiptar E. C., 40 vjeç dhe në afërsi të qytetit të Tuzit, Mal i Zi, strukturat e antikontrabandës malazeze, gjatë kontrollit të ushtruar në këtë kamion, gjetën një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të dyshuar si cannabis sativa. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Krujë – Vijojnë kontrollet nga Policia e Krujës, në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Parandalohen dhe goditen dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Vihen në pranga 2 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim po për kultivim të bimëve narkotike. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në zbatim të planit të masave për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe informacioneve të mara në rrugë operative, kanë evidentuar dhe goditur 1 rast të tentativës dhe 1 rast të kultivimit të bimëve narkotike cannabis sativa, në Njësinë Administrative Thumanë, Krujë.  Në vijim të veprimeve, u ndalua shtetasi Sh. S., 42 vjeç, banues në Gramëz, Krujë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për të njëjtën vepër penale. Në momentin e kapjes, në fshatin Mallkuç, efektivet e Policisë kanë konstatuar këtë shtetas duke hapur 50 gropa si ato që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike canabis sativa. Gjithashtu, shërbimet e Policisë Krujë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin T. Sh., 47 vjeç, banues në Mallkuç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në oborrin e banesës së tij, kanë gjetur të kultivuara disa bimë cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Korçë – Arrestohen në flagrancë për veprën penale “Kallëzimi i rremë”, i vetëplagosuri i ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme dhe shoku i tij. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në qytetin e Korçës, ku u vetëplagos me armë zjarri 33-vjeçari M. R., banues në Korçë, pas veprimeve hetimore të kryera bënë arrestimin në flagrancë të tij dhe shokut të tij shtetasit A. A., 32 vjeç, banues në Pogradec. Shtetasit e mësipërm, kanë krijuar prova të rreme, me qëllim shmangien nga e vërteta e ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme hetimore.

Skrapar – Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Skrapar u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O. S., 34 vjeç, banues në Skrapar, pasi ka bërë kallëzim një shtetase 26 vjeçe, se ky shtetas e ka përndjekur, ngacmuar dhe ka tentuar të hyjë me dhunë në banesën e saj.    Gjithashtu, ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj familjarëve të tij, në mënyrë të vazhdueshme. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Dhuna në familje”.

Tiranë – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. Xh., 18 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një dorezë metalike (përforcues grushti). Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. S., 58 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”. Specialistët e Seksionit të Krimit Ekonomik dhe Financiar bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. C., për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë ndalimi i shtetasve A. B., 52 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 1 vit burg, për veprën penale ”Kundërshtimi i punonjësit të policisë të rendit publik”; F. Y., 26 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë ndalimin e shtetasit D. P., 32 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 4 muaj burg, për veprën penale “Dhuna në familje”. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë ndalimi i shtetasit M. Sh., 41 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës Parë Tiranë e ka dënuar me 3 muaj burg, për veprën penale “Dhuna në familje”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. L., 19 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., 39 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë ndalimin e shtetasit Z. B., 46 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kavajë i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja”.   Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve I. B., 48 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin ciklomotor në gjendje të dehur dhe pa lejen përkatëse; A. M., 39 vjeçe, pasi ditën e djeshme është përfshirë në një aksident me mjetin motor me drejtues shtetasin F. A., i cili për pasojë ka ndërruar jetë në vendngjarje.•Më datë 11.05.2021, gjatë në zonën e Malit të Robit, Golem, kanë tentuar të vjedhin me thyerje bankomatin që ndodhet në ambientet e marketit në pronësi të shtetasit D. B. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. •Më datë 11.05.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” në ngarkim të shtetasit T. G., 35 vjeç, me detyrë inxhinier zbatimi dhe përgjegjës për instruktazhin teknik të punëtorëve në punë, sepse tek rezidenca “Kodra e Diellit 2”, duke punuar me kthimin e hekurave është dëmtuar një punëtor, shtetasi Z. H., 41 vjeç, i cili pasi ka rënë në rrugë është dëmtuar dhe në këmbë nga një kamion. I dëmtuari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.•Më datë 11.05.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit në kërkim E. K., 34 vjeç, sepse në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur ish të dashurën e tij 22-vjeçare. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Vlorë – Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kanë goditur një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke arrestuar në flagrancë shtetasin J. H., 48 vjeç, banues në Orikum. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Benz” që drejtohej nga ky shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 130 doza me lëndë narkotike kanabis si dhe një peshore elektronike. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 114 shtetas, konkretisht: 15 janë ndaluar, 33 janë arrestuar në flagrancë dhe 66 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 12 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 8 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 1 rast i ‘Kanosja”, në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Dibër, me 3 autorë të shpallur në kërkim; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, në Elbasan, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 4 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 14 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 2 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 9 raste, 1 në Tiranë, 2 në Elbasan, 4 në Fier dhe 2 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Mashtrimi”, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë, 2 në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Korçë, 1 në Berat, 1 në Lezhë, 1 në Kukës dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Shpërdorimi i detyrës”, 2 në Kukës dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”, 2 janë proceduar për “Keqtrajtimi i të miturit” dhe 2 të tjerë për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë.

Në Durrës janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Pushtim toke”.

Në Fier është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Kanosja e gjyqtarit”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 12 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 17 persona të lënduar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë proceduar penalisht 4 drejtues mjetesh dhe është arrestuar në flagrancë 1 tjetër, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.