Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 11 Tetor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj tre Inspektorëve të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Durrës, konkretisht: S. M., 43  vjeç, B. M., 37 vjeç dhe D. M., 35 vjeç, banues në Durrës. Nga verifikimet e kryera nga ana e specialistëve të krimit ekonomik ka rezultuar se shtetasit e mësipërm, megjithëse kanë kryer dhe kanë mbajtur procesverbalet e konstatimit dhe të prishjes së objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në zonën e Manzës, Durrës, nuk kanë marrë masa për prishjen e tyre. Gjithashtu, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Gj. Z., 63 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pasi dyshohet se ka ndërtuar një objekt pa leje në vlerën 70 000 €, me para të ardhura nga veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 119 shtetas, konkretisht: 29 janë arrestuar, 3 janë ndalur dhe 77 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste, në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 13 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë dhe 1 në Dibër; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë dhe 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në qarkun Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë;  1 rast i “Vrasja”, në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Dibër, ku autori është arrestuar në flagrancë, 1 në Dibër dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 4 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në qarkun Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 18 raste, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Berat dhe 1 në Elbasan, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Dibër dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe 12 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 2 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 3 në Tiranë, 2 në Durrës, 2 në Berast dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 12 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 7 shtetas që arrestonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 3 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 2 në Korçë.

Janë evidentuar dhe proceduar 9 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Elbasan, 3 në Fier, 3 në Lezhë, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.