Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tepelenë – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet operacioni i koduar “Përpunimi”. Operacioni nga Komisariati i Policisë Tepelenë në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P. Gjirokastër. Sekuestrohet rreth 35 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, një pjesë në formë çokollate si dhe kubikë të kultivuara me fara kanabis. Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre. Në kuadër të luftës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve,në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, si dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasi K.M dispononte lëndë narkotike të cilën po e përpunonte në formë çokollate, nga ana e Komisariatit të Policisë Tepelenë në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P. Gjirokastër është organizuar dhe finalizuar operacioni “Përpunimi”. Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K.M., 46 vjeç, banues në Tiranë. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij në fshatin Turan, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 35 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa (ku 1.6 kilogramë ishte në formë çokollate), si dhe 14 kubikë ku ishin kultivuar fara kanabis. Materialet i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Elbasan – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Floriri”. Zbardhen tre raste të vjedhjes me dhunë të varëseve të floririt. Arrestohet në flagrancë 32-vjeçari. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e vjedhjes me dhunë nga qafa të varëseve të floririt, si dhe për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, është marrë informacion se një shtetas në kohë dhe vende të ndryshme realizonte vjedhje te varëseve te floririt nga qafa të shtetaseve në qytetin e Elbasanit. Si rezultat i punës se mirëorganizuar dhe reagimit të shpejtë të strukturave policore, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan në kuadër të operacionit “Floriri”, kanë bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit G.V., 32 vjeç, banues në Elbasan. Arrestimi i tij u bë pasi në lagjen “5 Maji” Elbasan, dyshohet se ka vjedhur me dhunë varësen nga qafa të një shtetaseje që po kalonte në rrugë. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas është autor edhe i 2 vjedhjeve të tjera me dhunë, konkretisht: Më datë 15.05.2019 në lagjen “Luigj Gurakuqi” Elbasan, dyshohet se i ka vjedhur me dhunë varesen e floririt shtetases A. B; Më datë 10.06.2019 në lagjen “5 Maji” Elbasan, dyshohet se ka i vjedhur me dhunë varësen e floririt shtetases V.B. Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjeve të tjera të vjedhjes me dhunë që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas, si dhe identifikimin e personave të tjerë me të cilët bashkëpunonte për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.
Vorë, Tiranë – Finalizohet operacioni i koduar “Mesnata”, në fushën e armëmbajtjes pa leje. Qarkullonte me armë zjarri, vihet në pranga 30 vjeçari, me precedent penal në fushën e narkotikëve dhe krimeve ndaj personit. Operacioni nga Komisariati i Policisë Vorë. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri Pistoletë dhe një krëhër me 7 fishekë. Shërbimet e komisariatit Vorë në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas me precedent penal të mëparshëm qarkullonte me armë zjarri me vete, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Mesnata”. Si rezultat i operacionit ne rrugën dytësore në hyrje të Vorës u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. H., 30 vjeç, banues në Vorë, i dënuar më parë me 6 vite burg, ekstraduar nga Kroacia për veprën penale “Trafikim i narkotikëve” si dhe proceduar për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Gjatë kontrollit të ushtuar në automjetin tip Audi, në çantën e dorës së këtij shtetasi, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri Pistoletë me një krehër me 7 fishekë, që e mbante pa leje. Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Durrës – Tentoi të digjte më lëndë djegëse për motive të dobëta një shtetas, arrestohet në flagrancë autori. Seksioni për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës në bashkëpunim me Shërbimet e Policisë së Rendit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin I.R., 65 vjeç, banues në lagjen Nr.6, Durrës. Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas për motive të dobëta ka tentuar të djegë me lëndë djegëse shtetasin K . Sh., 67 vjeç, i cili u transportua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës në ngarkim të shtetasit I.R., për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” parashikuar në nenin 88 të Kodit Penal.
Elbasan – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, arrestuan në flagrancë shtetasin B.H., 25 vjeç, banues në Elbasan, si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi A.B., 19 vjeç, banues në Elbasan, pasi në fshatin Mengël të Elbasanit këta shtetas në bashkëpunim me njëri – tjetrin për motive të dobëta kanë kanosur me sende të forta shtetasin A.Ll. Shtetasi B.H më pas është larguar nga vendngjarja me mjetin e tij dhe në lagjen “5 Maji” Elbasan është përplasur me borduren e rrugës. Gjatë shoqërimit për në Polici, shtetasi B.H ka kundërshtuar punonjësit e policisë. Materiale hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprimet e mëtejshme.
Peqin – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Peqin, arrestuan në flagrancë shtetasin I.Q., 28 vjeç, banues në Bulqizë, për veprën penale ” Veprimet që pengojnë zbulimin e së vërtetës|”, si dhe është shpallur në kërkim policor dhe po punohet për kapjen e shtetasit L.Rr., 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale ” Heqje e paligjshme e lirisë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasi L.Rr., në një banesë të braktisur në Peqin ka mbajtur për disa orë nën kërcënimin e armës së zjarrit pistoletë për motive ende të paqarta shtetasin I.Q. Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes, si dhe për kapjen dhe arrestimin e shtetasit të shpallur në kërkim.
Pogradec – Policia arreston në flagrancë dy shtetas, të cilët pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, plagosën rëndë dy shtetas të tjerë. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit F.Xh, 18 vjeç, si edhe filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj babait të tij shtetasit B.Xh, 53 vjeç, banues në Pogradec. Ditën e djeshme në lagjen nr.1 në Pogradec, këta dy shtetas në bashkëpunim mes tyre, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, dyshohet se kanë goditur me sende të forta dhe grushta shtetasit Sh.S, 57 vjeç dhe K.S, 47 vjeç, (kushërinj) banues në fshatin Baçallëk, Pogradec, të cilët aktualisht ndodhen në Spital nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.
Kapshticë – Arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale të “Evazionit fiskal në 199 raste”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale. Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar të Kapshticës, shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Interpol Tirana, bënë arrestimin me qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë, të shtetasit A.H, 39 vjeç, lindur në Irak dhe banues në Angli. Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Augzburg, Gjermani, ka lëshuar urdhërin e arrestit ndërkombëtar ndaj tij, për veprën penale “Evazion fiskal në 199 raste” kryer në kuadrin e organizatës kriminale, parashikuar nga Kodi Penal Gjerman.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 74 shtetas, konkretisht: 16 janë arrestuar në flagrancë, 3 janë ndalur dhe 56 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, konkretisht: 3 në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast në qarkun Gjirokastër, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja”, 1 rast në qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 rast në qarkun Elbasan, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet ne gjendje të lirë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në qarkun Dibër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 14 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Fier dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar, si edhe janë plotësuar 9 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 4 në qarkun Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në qarkun Dibër, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 8 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 10 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 4 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Korçë, 3 në Berat dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i kalimit të paligjshëm të kufirit, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 10 raste aksidentesh, me 14 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në qarkun Tiranë dhe 1 në Elbasan, të cilët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Fier.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.
Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.