Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 10 shtator 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Policia godet një tjetër rast të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Arrestohet një 39-vjeçar i dënuar më parë në Itali dhe Shqipëri, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 11 doza me lëndë narkotike kokainë dhe një sasi parash të përfituara nga shitja e tyre. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, arrestuan në flagrancë shtetasin P. A., 39 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë në Shqipëri dhe Itali, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, gjatë kontrollit fizik të këtij shtetasi, në një çantë dore i gjetën dhe i sekuestruan në cilësinë e provës materiale 11 doza me lëndë narkotike e dyshuar si kokainë, një shumë parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike dhe një aparat celular. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Arrestohen në flagrancë 2 drejtues mjetesh. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit N. R., 43 vjeç, banues në Borizanë, Fushë Krujë, pasi në rrugën dytësore Borizanë – Fushë  Krujë, duke drejtuar mjetin “Volksëagen”, është përplasur me mjetin tip “Ford”, me drejtues shtetasin F. V., 45 vjeç dhe për pasojë janë lënduar të dy drejtuesit e mjeteve, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve; L. T., 24 vjeç, banues në Durrës, pasi në lagjen nr. 14, Durrës, është konstatuar nga shërbimet e Policisë duke drejtuar motoçikletën pa leje drejtimi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Durrës, për veprime të mëtejshme.

Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”. Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Transportonte 16 emigrantë të paligjshëm dhe drejtonte mjetin në mënyrë të parregullt, vihet në pranga një 26-vjeçar. Ndalohet edhe një shtetas tjetër, si bashkëpunëtor i dyshuar i tij. Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatet e Policisë Korçë e Devoll, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një rast tjetër të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Sh., 26 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasi i mësipërm, është kapur nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Bilisht-Korçë, në afërsi të fshatit Cangonj, duke transportuar me mjetin furgon tip “Citroen” që e drejtonte pa leje drejtimi 16 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt fitimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, bënë ndalimin edhe të shtetasit E. L., 27 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar si i implikuar në këtë ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Tiranë – Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, operacioni policor i koduar “Lapraka”. Vihet në pranga poseduesi dhe shpërndarësi i lëndës narkotike, si dhe procedohen penalisht dy shtetas të tjerë. Sekuestrohen dhjetra doza me lëndë narkotike cannabis sativa dhe 3 aparate celular. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave në doza të vogla, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, u organizua dhe finalizua operacioni i koduar “Lapraka”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O. N., 24 vjeç, lindur në Gjermani dhe banues në Tiranë, poseduesi i lëndës narkotike. Po në kuadër të operacionit u proceduan në gjendje të lirë shtetasit R. L. dhe E. Sh. Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve është marrë informacion në rrugë operative se shtetasi O. N. merrej me shpërndarje të lëndës narkotike të llojit kanabis në zonën e Laprakës, Tiranë, të cilën ia shiste shtetasve të ndryshëm. Mbi bazën e këtyre informacioneve, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe vijuar kontrollet në zonën e Laprakës, ku kanë konstatuar shtetasit R. L. dhe E. Sh., të cilëve gjatë kontrollit fizik të ushtruar, iu është gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde e dyshuar cannabis sativa, për të cilën janë shprehur se ja shiste një shtetas i cili po qëndronte në një ndërtesë dykatëshe të pabanuar, i identifikuar më vonë nga Policia si shtetasi shtetasi O. N. Në vijim të kontrolleve në zonën përreth është konstatuar shtetasi O. N., 24 vjeç. Gjatë kontrollit të zonës ku qëndronte, Policia gjeti dhe sekuestroi 169.4 gramë lëndë të dyshuar kanabis e ndarë në doza gati për shitje si dhe 3 aparate celular. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Tepelenë – Evidentohet dhe goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Vihet në pranga autori. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike, gjatë kontrollit në fshatin Luzat, Tepelenë, në pronën private të shtetasit A. Z., kanë konstatuar të kultivuara disa bimë narkotike cannabis sativa. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë arrestuan në flagrancë shtetasin A. Z., 39 vjeç, banues në Tepelenë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Shkodër – Strukturat e DVP Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, plan masash “Për parandalimin dhe goditjen e kontrabandimit e trafikimit të emigranteve të paligjshëm”. Si rezultat i zbatimit të këtij plani masash është finalizuar operacioni policor i koduar “Irakiani”. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, në kuadër të planit të masave “Për parandalimin dhe goditjen e kontrabandimit e trafikimit të emigrantëve të paligjshëm”, pas një pune të mirorganizuar, u bë finalizimi i operacionit policor të koduar “Irakiani”, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit H. S. 22 vjeç, banues në Irak dhe E. V., 19 vjeç, banues në fshatin Tapizë, Tiranë. Arrestimi i tyre u bë pasi në vendin e quajtur “Rruga e Lulashpepajve”, në fshatin Hot, Malësi e Madhe, janë kapur në flagrancë me mjetin tip “Ford”, që drejtohej nga  shtetasi E. V., i cili në bashkëpunim me shtetasin irakian H. S., po transportonte 14 shtetas të huaj nga vendet e treta, drejt kufirit me Malin e Zi, kundrejt pagesës 120 euro për person, me destinacion final vendet e BE-së.  Gjatë kontrollit të ushtruar shtetasit H. S. iu gjetën 1940 euro, të cilat ia kishte marrë shtetasve të huaj që po transportonte. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Interpol Tirana – Vijon bashkëpunimi me homologët, për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale. Falë bashkëpunimit me Interpol Roma janë ekstraduar nga Italia drejt vendit tonë, 2 shtetas shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Është ekstraduar nga Milano, Itali, drejt vendit tonë, shtetasi shqiptar Juljan Dama, 31 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi me vendimin penal të vitit 2018 është dënuar përfundimisht nga Gjykata e Apelit Durrës, me 4 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Shtetasi Juljan Dama, në vitin 2016, në bashkëpunim me persona të tjerë, në shtëpi të braktisura në zonën e Manzës, Durrës, ka përgatitur për shitje lëndë narkotike të llojit cannabis sativa. Pas kontrolleve në këto ambiente nga DVP Durrës janë sekuestruar rreth 302 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Gjithashtu, në vijim të bashkëpunimit me Interpol Romën, është ekstraduar nga Italia drejt vendit tonë shtetasi shqiptar G. D. (Z.), 43 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, në vitin 2019 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar per kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana cilësuese” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.  Përmbledhje e ngjarjes: Më datë 10.05.2019, shtetasi G. D., në bashkëpunim më 4 shtetas të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një grup personash, në pjesën e jashtme të një lokali në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi dhe ekstradimi i këtyre shtetasve nga Italia drejt vendit tonë.

Tiranë – Vijon operacioni “Sezoni”, shkon në 4 numri i të arrestuarve. Kapet dhe vihet në pranga autori kryesor i vjedhjeve, i shpallur në kërkim gjatë operacionit “Sezoni”. Kapja e 45-vjeçarit, nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore.  Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale euro, lekë dhe sendet e vjedhura në banesa. Në vijim të operacionit policor të koduar “Sezoni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e  vjedhjes, finalizuar një ditë më parë nga Komisariati i Policisë Nr. 2, Tiranë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 3 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas të tjerë, ka vijuar puna me hetime të thelluara, për kapjen e personave të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Në vijim të operacionit, nga shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr. 2, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. R., 45 vjeç, banues në Durrës, autori kryesor i vjedhjeve, i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të arrestuar, vidhte kasaforta, sende me vlerë dhe shuma parash në banesa të ndryshme në Tiranë.  Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendet me vlerë të vjedhura në banesa, shuma të konsiderueshme parash (euro dhe lekë), veshje, 3 aparate celular, njëra prej kasafortave të vjedhura, 1 automjet dhe sendet që autorët përdornin për të kryer vjedhjet. Po në vijim të operacionit u bë i mundur dokumentimi i vjedhjes në banesën e shtetasit E. Ç., ku autorët kanë marrë bizhuteri dhe një shumë parash. Vijon puna për kapjen e shtetases që është shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qarkun e Tiranës, në të cilat mund të jenë të implikuar këta shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Tatimori”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë. Vihet në pranga 1 shtetas, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar “Tatimori”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi E. T., 37 vjeç, me detyrë inspektor në Drejtorinë e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme e Tatimeve. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas iu kërkonte dhe iu merrte shuma të konsiderueshme monetare subjekteve të ndryshme private, si këmbim për të mos i hetuar dhe mos i referuar në prokurori, kur këto subjekte konstatoheshin në shkelje. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma monetare prej 5000 eurosh, të cilën ky shtetas ia kishte marrë administratorit të një subjekti privat. Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari korruptive. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 78 shtetas, konkretisht: 28 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 45 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 10 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Shkodër dhe 1 në Vlorë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 në Dibër, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste: 1 në Tiranë dhe 1në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të falsifikimit të dokumenteve, 2 në Tiranë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Durrës dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i prerjes së pyjeve, në Dibër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 2 në Berat, 4 në Lezhë dhe 1 në Shkodër.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.