Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 10 qershor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kakavijë – Si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe intervistimit të detajuar nga Policia Kufitare Kakavijë është bërë e mundur kapja dhe prangosja e një personi të shpallur në kërkim kombëtar. Vihet në pranga 47-vjeçari i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Agimi”, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë bënë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim E. K., 47 vjeç, banues në Nikël, Krujë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Krujë, në kuadër të operacionit policor antikanabis të koduar “Agimi”, pasi dyshohet se në bashkëpunim me 8 shtetas të tjerë, ka kultivuar bimë narkotike në fshatin Nikël, Krujë. Si rezultat i operacioni antikanabis “Agimi” që u zhvillua më datë 30.05.2021, në territorin e rrethit të Krujës, u arrestuan në flagrancë 16 shtetas, u proceduan në gjendje të lirë 3 shtetas dhe u shpallën në kërkim 24 të tjerë. Shtetasi E. K. iu dorëzua shërbimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, për procedura të mëtejshme.

Poliçan/Skrapar – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Dhuna në familje”. Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: L. H., 43 vjeç, banues në Poliçan, pasi në mënyrë të vazhdueshme ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht bashkëshorten e tij; S. A., 28 vjeç, banues në Skrapar, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Fier – Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza. Vihet në pranga poseduesi i lëndës narkotike, i cili kundërshtoi punonjësit e Policisë gjatë ndalimit. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat”, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, arrestuan në flagrancë shtetasin G. B. (T)., 28 vjeç, banues në Fier. Në vendin e quajtur “Ish-globi”, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Benz” me të cilin udhëtonte, ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të Policisë për kontroll, duke i kundërshtuar ata. Gjatë kontrollit fizik, në çantën e tij të krahut u gjetën dhe u sekuestruan  doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa. Materialet procedurale për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Nxitja për përdorimin e drogës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Vlorë/Informacion paraprak – Në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, në një objekt në ndërtim por që prej vitesh janë ndërprerë punimet, në pronësi të shtetasit D. K., dyshohet se gjatë natës ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse, ku si pasojë ka vetëm dëme të vogla materiale. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor ku vijon veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Tiranë – Nga specialistët për Hetimin e Krimit Financiar dhe Ekonomik u bë ndalimi i shtetasve: Arben Kacos, 52 vjeç (i kapur nga shërbimet e Policisë Kavajë), pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 4 vite burg, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”; Mario Prenga, 25 vjeç, sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar me 6 muaj burg, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. Q., 43 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: I. H., 17 vjeç dhe E. L., 19 vjeç, pasi në Yrshek, për motive të dobëta, kanë goditur me një mjet prerës shtetasin e mitur me iniciale A. Ç., 17 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve; J. N., 23 vjeç, pasi gjatë natës në Astir, ka vjedhur mjetin tip “Toyota” dhe më pas e ka shitur për skrap. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A. H., 29 vjeç, B. A., 47 vjeç dhe A. R., 24 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; D. Gj., 28 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse. Gjithashtu ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim për veprën penale “Mashtrimi”.•Më datë 09.06.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin A. D., 36 vjeç, sepse në rrugën “5 Maji”, për motive të dobëta, ka goditur me mjete të forta shtetasin D. Xh., 39 vjeç, i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital, u largua për në banesë. Punohet për kapjen dhe shoqërimin e shtetasit A. D. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Kapshticë – Paraqiti pasaportë të dyshuar si të falsifikuar në kufi, arrestohet në flagrancë 45-vjeçari me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër jetës. Nga shërbimet e Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, është arrestuar në flagrancë shtetasi B. Ç., 45 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me paramendim”). Ky shtetas është paraqitur në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, me një pasaportë në emrin e një shtetasi tjetër, e dyshuar si e falsifikuar, e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 88 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 27 janë arrestuar në flagrancë dhe 56 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 4 raste, 1 në Tiranë dhe 2 në Berat, ku autorrët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 12 raste në të gjithë vendin, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja e energjisë elektrike”, në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Në Gjirokastër është proceduar penalisht dhe 1 shtetas tjetër, për falsifikim dokumentesh.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Mashtrimi”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Kukës dhe 1 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, 1 për “Shkatërrim prone” dhe 1 për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Në Korçë është arrestuar në flagrancë 1 shtetase, për “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, ndërsa 1 shtetas tjetër është arrestuar për “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, 1 në Tiranë dhe 1 në Kukës.

Në Dibër është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”. Në Dibër janë proceduar penalisht edhe 2 shtetas të tjerë, për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”, 1 në Tiranë dhe 1 në Kukës.

Në Kukës është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Është evidentuar 1 rast i “Organizmi i lotarive të palejuara”, në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 4 persona që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 7 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 10 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.