Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
DVP Durrës – Të shpallur në kërkim më parë për vjedhje dhe dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kapen dhe arrestohen në flagrancë 2 shtetas, pasi u kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm. Njëri nga të arrestuarit, i dënuar më parë për disa vepra penale. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kontrollin e automjeteve, me qëllim kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri, që trafikojnë lëndë narkotike apo transportojnë emigrantë të paligjshëm, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Durrës, gjatë kontrolleve, kanë bllokuar një automjet me të cilin 2 shtetas po transportonin 2 emigrantë nga vendet e treta, të cilët kishin hyrë ilegalisht nëpërmjet kufirit me shtetin grek. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: K. Ll., 39 vjeç, banues në Mamurras, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe P. M., 28 vjeç, banues në Tiranë. Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Durrës, duke transportuar në drejtim të Shkodrës, me një automjet të marrë me qira, 2 shtetas sirian, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Gjithashtu, nga verifikimet e mëtejshme ka rezultuar se shtetasi K. Ll. ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 2 Tiranë, më datë 08.11.2021, për veprën penale “Vjedhja”, ndërsa shtetasi P. M. ishte i shpallur në kërkim nga DVP Korçë, më datë 13.09.2021, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” . Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Fier – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin S. M., 38 vjeç, banues në Levan, Fier, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij e cila pasi ka marrë mjekim në spitalin e Fierit, është larguar për në banesë. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Dhuna në familje”.
Lezhë – Drejtonte mjetin pa leje drejtimi dhe posedonte doza me lëndë narkotike, Policia vë në pranga 21-vjeçarin. Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Lezhë, në qytet Laç, kanë ndaluar automjetin tip “Volkswagen” me drejtues shtetasin V. L., i cili pas verifikimeve të kryera rezultoi se e drejtonte mjetin pa leje drejtimi. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin. Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit V. L., 21 vjeç, banues në Kurbin. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt “.
Dibër – U referuan materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për “Ngjarje aksidentale”, për shtetasin Xh. Xh., 26 vjeç, banues në Dibër, pasi duke punuar në tokën e tij, me një automjet bujqësor, aksidentalisht ka dëmtuar nënën e tij, e cila po merr ndihmë mjekësore në spital, jashtë rrezikut për jetën. U referuan materialet procedurale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, për “Ngjarje aksidentale”, për shtetasin S. L., 57 vjeç, banues në Mat, pasi gjatë kryerjes së punimeve për betonimin e një rruge, duke drejtuar makinerinë betoniere, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Për pasojë 57-vjeçari është dëmtuar në trup dhe po merr ndihmë mjekësore në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 77 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 26 janë arrestuar në flagrancë dhe 45 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 4 autorë të arrestuar dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 4 raste të “Kanosja”, 3 në Tiranë dhe 1 në Vlorë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Vlorë dhe 1 në Dibër; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 2 raste, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Korçë.
Në Durrës janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Në Tiranë janë arrestuar në flagrancë 5 shtetas, janë proceduar penalisht 3 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 3 të tjerë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i formularëve”.
Gjithashtu në Tiranë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë.
Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, 1 tjetër për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe 1 për “Pushtim toke”.
Në Lezhë dhe në Tiranë janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, 1 në Kukës, 1 në Fier dhe 1 në Elbasan. Gjithashtu, në Tiranë është arrestuar 1 shtetas, për këtë vepër penale.
Në Fier janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” dhe 1 tjetër për “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.
Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 9 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 7 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.