Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 10 dhjetor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Bien në prangat e Policisë 2 shtetas të shpallur në kërkim. Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, procedohen penalisht 2 organizatorët. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës dhe Komisariatin e Policisë Shijak, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasit: A. Z., 39 vjeç, banues në Durrës, pasi në vitin 2015, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e ka dënuar me 1 vit e 10 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”; B. T., 33 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, pasi më datë 01.12.2020, ka ushtruar dhunë ndaj nipit të tij, për motive të dobëta. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës proceduan penalisht, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, shtetasit A. B., 30 vjeç dhe Sh. M., 26 vjeç, banues në Durrës. Më datë 09.12.2020, rreth orës 17:00, këta shtetas kanë organizuar një grumbullim me rreth 40 persona, pa lejen e organeve kompetente. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, arrestohen në flagrancë 3 shtetas, procedohen në gjendje të lire 4 shtetas, si dhe shpallen në kërkim 8 shtetas të tjerë. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit,” arrestuan në flagrancë, persona të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe” Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” shtetasit: R. P., 21 vjeç, banues në Tiranë, A. K., 29 vjeç, banues në Durrës dhe V. K., 23 vjeç. Si dhe u proceduan në gjendje të lire 4 shtetas dhe u shpallën në kërkim 8 shtetas. Këta shtetas ditën e djeshme, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, duke kundërshtuar me dhunë dhe goditur me sende të forta punonjësit e policisë si dhe në vende të ndryshme kanë shkatërruar pronën shtetërore dhe atë private.  Gjithashtu kanë qëlluar herë pas herë në drejtim të forcave të Policisë, me sende të forta,lëndë piroteknike  duke lënduar 16 punonjës policie në detyrë. Punonjësit e lënduar janë efektivë të Patrullave të Përgjithshme dhe të forcës së ndërhyrjes së shpejtë.  Si dhe kanë thyer me gurë disa automjete të policisë. Vijon puna  për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar për pjesëmarrjen në këtë tubim dhe për kryerjen e veprimeve te kundërligjshme. Policia e Shtetit apelon për respektim në maksimum të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe u bën thirrje qytetarëve që problematiken dhe shqetësimin që kanë ta adresojnë pranë institucioneve dhe organeve kompetente, pa krijuar grumbullime, pasi grumbullimet dhe tubimet janë në shkelje të Aktit Normativ për parandalimin e pandemisë COVID-19. Njëkohësisht, Policia u bën thirrje qytetarëve që të mos bëhen pjesë e protestave të paligjshme, pasi do të marrë masa dhe nuk do lejojë të zhvillohen protesta të tilla, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit do të përballen me forcën e ligjit.

Tiranë/Informacion paraprak – Më datë 09.12.2020, ora 19:00, në rrugën “Ndre Mjeda”, tek kompleksi “Kontakt”, dy persona ende  të paidentifikuar dyshohet se i kanë vjedhur me dhunë portofolin shtetasit M. P., 28 vjeç, banues në Durrës, ku ka pasur një sasi parash, lejen e drejtimit dhe kartën e identitetit. Punohet për identifikimin, kapjen e autorit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 61 shtetas, konkretisht: 13 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 43 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 1 rast i “Kanosja”; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 2 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste: 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe autorë që po procedohen në gjendje të lirë; dhe 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Shpërdorimi i detyrës”, në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi në kredi”, në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

 Është evidentuar 1 rast “Falsifikimi i monedhave”, në Kukës, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 rast të “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, 1 në Tiranë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.