Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Vijon zbatimi i planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. U kapën duke transportuar lëndë drusore pa dokumentacionin përkatës, procedohen penalisht 3 shtetas. Sekuestrohen 3 mjete dhe lënda drusore. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4, në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në rrugën e Dajtit, disa persona po transportonin lëndë drusore pa dokumentacionin përkatës, dhe në vijim të kontrolleve të ushtruara, konkretisht në guroren e ish-minierës, kanë konstatuar 3 automjete të ngarkuara me 12m3 lëndë drusore, për të cilën drejtuesit e mjeteve nuk dispononin dokumentacionin përkatës. Në përfundim të veprimeve filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit S. H., 25 vjeç, E. M., 23 vjeç dhe L. C., 54 vjeç dhe materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Tiranë – Shkeli vendimin e gjykatës dhe ushtroi dhunë ndaj motrës së tij, arrestohet në flagrancë 42-vjeçari. Në pranga edhe 2 drejtues mjetesh. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Dh., 42 vjeç, pasi në kundërshtim me vendimin e gjykatës, e cila e kishte pajisur me urdhër-mbrojtjeje motrën e tij, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. P., 30 vjeç, pasi ditën e djeshme, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Golemit”, është përfshirë në një aksident me mjetin motor me drejtues A. Gj. dhe pasagjere shtetasen L. Gj., ku për pasojë shtetasi A. Gj. ka humbur jetën, ndërsa shtetasja L. Gj. ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën; F. Sh., 39 vjeç, pasi në rrugën “Llazi Miho”, u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.56 mg/l. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës në familje, arrestuan në flagrancë shtetasin K. L., 25 vjeç, banues në Arapaj, Durrës, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj babait të tij, në banesë. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit B. Ç., 46 vjeç, banues në Kavajë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në Shijak, duke drejtuar mjetin tip “Citroen” në gjendje të dehur dhe është përplasur me një tjetër mjet duke shkaktuar dëme materiale; D. M., 21 vjeç, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në lagjen nr. 1, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Audi” pa leje drejtimi dhe është përplasur me një tjetër mjet duke shkaktuar dëme materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Gjirokastër – U kap duke transportuar një emigrant të paligjshëm kundrejt fitimit, bie në pranga 24-vjeçari. Sekuestrohet një automjet. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, arrestuan në flagrancë shtetasin A. Sh., 24 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi mesditën e datës 30.11.2020, në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur “Ura e Kardhiqit”, u kap duke transportuar me automjetin e tij tip “Mercedez Benz”, një emigrant të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti që drejtonte shtetasi A. Sh. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni i koduar “Brothers”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes dhe të narkotikëve. Vodhën bizhuteri me vlerë 8 milionë lekë të vjetra në një argjendari, vihen në pranga 2 vëllezër. Të dy vëllezërit me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes. Sekuestrohen një sasi me lëndë narkotike kokainë, disa sende me vlerë të dyshuara të vjedhura, një sasi parash të dyshuara të përfituara nga shitja e sendeve me vlerë, veshjet e përdorura gjatë vjedhjes, automjeti me të cilën u larguan autorët dhe sende të tjera të kundërligjshme. Shërbimet e Komisariatit Nr. 2, pas njoftimit të marrë se në rrugën “Muhamet Gjollesha”, dy shtetas kishin vjedhur argjendarinë në pronësi të shtetases Z. S. dhe më pas ishin larguar me një automjet tip “Benz”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Brothers”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. S., 27 vjeç dhe A. S., 29 vjeç ( vëllezër), banues në Tiranë, të dy të dënuar në Itali, për veprën penale “Vjedhja”. Gjatë kontrollit të banesës së këtyre shtetasve u gjetën dhe u sekuestruan një sasi me lëndë narkotike kokainë, disa sende me vlerë të dyshuara të vjedhura, një sasi parash të dyshuara të përfituara nga shitja e sende me vlerë, veshjet e përdorura gjatë vjedhjes, automjeti tip “Benz” me të cilin janë larguar, 2 aparate celular dhe një sasi valute. Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qarkun e Tiranës, në të cilat mund të jenë të implikuar këta shtetas. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 37 shtetas, konkretisht: 9 janë arrestuar dhe 28 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 3 në Tiranë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, në Tiranë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Gjirokastër, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.