Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 04 mars 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Liqeni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 6. Sekuestrohen 2 armë zjarri, 1 pushkë sportive dhe municion luftarak. Vihet në pranga poseduesi i tyre, procedohet penalisht djali i tij.   Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas mbante armë zjarri në banesë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Liqeni”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. Xh., 50 vjeç, banues në rrugën “Hamdi Cenoimeri”, në afërsi të liqenit, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.  Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni u procedua penalisht dhe djali i tij, shtetasi A. Xh., 16 vjeç.  Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit N. Xh, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, një armë zjarri pistoletë, një pushkë sportive dhe sasi municioni luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Tiranë – Finalizohet operacioni i koduar “Braka 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë. Goditen dy raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza. Vihen në pranga 3 shtetasit që posedonin dhe shpërndanin lëndën narkotike.   Sekuestrohet lëndë narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza, gati për shitje, tre aparate celulare dhe një automjet. Specialistët e Sektorit të Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur dy raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. F., 18 vjeç, dhe M. K., 17 vjeç, të dy banues në Tiranë. Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, e shisnin atë në doza të vogla, në Babrru, Kamzë dhe në Paskuqan. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me drejtues shtetasin E. F. dhe pasagjer shtetasin M. K., u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa, e ndarë në doza, gati për shitje, e cila u sekustrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe dy aparate celulare. Gjithashtu, po në kuadër të operacionit “Braka 2” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. F., 21 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas siguronte sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa dhe më pas e shiste atë në doza të vogla, në zona të ndryshme të Tiranës. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza gati për shitje, si dhe një aparat celular.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Kurbin – Nga specialistët për Hetimin e Krimit u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi G. S., 43 vjeç, pasi dyshohet se në ambientet e një lokali, ka kanosur me një pistoletë sportive, bashkëshorten e tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtje. Në momentin e shoqërimit, shtetasi G. S. ka kundërshtuar punonjësit e policisë dhe është larguar me shpejtësi. Punohet për kapjen e tij.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 78 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 27 janë arrestuar në flagrancë dhe 48 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste: 2 raste të “Kanosja”, 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 1 rast i “Dëmtime të tjera më dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 17 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 4 raste me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për vepren penale “Mashtrimi”, dhe 2 të tjerë, për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”,  1 në Berat dhe 1 në Lezhë.

Në Elbasan është proceduar penalisht 1 shtetas, për shkatërrim prone.

Në Korçë janë arrestuar në flagrancë 5 shtetas, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Në Kukës është proceduar penalisht 1 shtetas, për prerje të paligjshme të pyjeve.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 aksidente, me 5 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 8 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.