Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 04 mars 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.  Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale.  Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, në bashkëpunim me Sektorin e Monitorimit dhe Hetimit të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. K., 62 vjeç, pasi nga kontrolli i ushtruar në subjektin e tij tregtar u konstatua se ky shtetas  kishte të ndryshuara datat e skadencës të disa produkteve që prodhonte, kishte paraqitur të rremë etiketimin e disa produkteve ushqimore që shiste dhe disa produkte të tjera i kishte të papajisura me fatura tatimore me TVSH.  Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. R., 41 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë të dyshuar heroinë.  Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë ndalimi i shtetasit K. N., 23 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.  Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Xh. R., 29 vjeç, sepse në rrugën “Frederik Shiroka”, në lokalin që kishte marrë me qira u konstatua duke ushtruar veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit (baste sportive).  Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë ndalimin e shtetasve A. A., 50 vjeç dhe M. Z., 34 vjeç, të dy të dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, sepse në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur portofolin e shtetases M. C. Specialistët e Qarkullimit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A. R., 49 vjeç, për veprat penale veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, pasi më datë 01.03.2021, ka aksidentuar dhe është larguar nga vendngjarja, shtetasin I. I., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve; F. V., 68 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur është përfshirë në një aksident vetëm me dëme materiale; E. H., 34 vjeç dhe S. B., 27 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur.

Më datë 03.03.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasen me iniciale D. B., me detyrë mjeke, e dyshuar për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm” (pas kallëzimit të një shtetaseje). Punohet për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes.

Më datë 03.03.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit O. M., 26 vjeç, banues në Tiranë, sepse dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetase të mitur.

Më datë 03.03.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen dhe shoqërimin e shtetasit Sh. N., 35 vjeç, sepse me anë të mashtrimit i ka marrë një shumë parash shtetasit A. H. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Mirditë, Lezhë – Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Falsifikim i monedhave”. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik – Financiar në Drejtorinë e Policisë Lezhë, pas njoftimit të marrë se një shtetas kishte blerë disa produkte në një dyqan, në qytet Rrëshen, duke paguar me një kartëmonedhë të dyshuar të falsifikuar, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e këtij shtetasi. Si rezultat është arrestuar në flagrancë shtetasi Gj. N., 21 vjeç, banues në Rrëshen, Mirditë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një kartëmonedhë e dyshuar e falsifikuar.  Materialet procedurale në ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Vlorë – Ndalohet 1 shtetas, për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”. Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë dhe Forcën Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit E. R., 24 vjeç, banues në Tiranë. Ndalimi i tij u bë pasi shtetasja E. Gj. ka bërë kallëzim se në periudha të ndryshme kohore, nëpërmjet shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie, shtetasi E. R. i ka marrë një sasi lekësh. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Fier – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim A. F., 32 vjeç, banues në Fier. Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 26.01.2021, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Vjedhje me dhunë e mbetur në tentativë”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” të kryera në bashkëpunim. 32-vjeçari, në bashkëpunim me shtetasit E. G. dhe G. F., (të cilët janë ndaluar nga Policia në datë 24.01.2021) dhe shtetasin G. B., (i cili është shpallur në kërkim), në datë 17.01.2021 kanë tentuar të vjedhin me thyerje dyqanin e celularëve në pronësi të shtetasit R. C. Gjatë tentativës për vjedhje, autorët janë pikasur nga një punonjës i policisë i cili ka ndërhyrë për të parandaluar vjedhjen duke u përplasur fizikisht me autorët, të cilët gjatë largimit kanë goditur me automjetin e tyre tip “Ford” mjetin privat të punonjësit të policisë. Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e shtetasit G. B., 33 vjeç, banues në Fier.

Lushnjë – Më datë 03.03.2021, në fshatin Stan Karbunarë, në banesë, është vetëhelmuar me fotoksinë, një shtetase 14 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë në spitalin e Lushnjës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për vlerësim.

Dibër – Evidentohet dhe goditet një rast i aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Sekuestrohen 20 pajisje elektronike, procedohet penalisht pronari i lokalit, dhe shpallet në kërkim policor një tjetër. Në Bulqizë është arrestuar në flagrancë nga Policia një 24-vjeçar, për veprën penale “Përndjekje”. Dibër/ Si  rezultat i kontrolleve të shtuara për ndëshkimin e atyre personave që tentojnë të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në lokalin e shtetasit Q. T.(N).,në Peshkopi, kanë gjetur  e sekuestruar 20 pajisje elektronike, 9 prej tyre ishin në gjendje pune,  ku dyshohej se ushtrohej aktivitet i kundërligjshëm i lojërave të fatit. Po gjatë kontrollit u konstatua se në ambientet e lokalit ishte bërë  lidhje te paligjshme e energjisë elektrike. Në përfundim të veprimeve hetimore nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi Q. T ( N)., 57 vjeç, banues në Peshkopi, dhe u shpall në kërkim policor shtetasi A. D., 30 vjeç,(i punësuar në lokal),  për veprat penale “Organizim i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara”, “Vjedhja e energjisë elektrike”. Bulqizë – Përndiqte dhe shantazhonte një shtetase, arrestohet në flagrancë nga policia. Nga specialistët  për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit  E. T., 24 vjeç, banues në Bulqizë, për veprën penale “Përndjekja”. Arrestimi i tij u bë pasi  në mënyrë të përsëritur ka shantazhuar dhe përndjekur  një 18-vjeçare. Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur  i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

Bulqizë/ Më date 04.03.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për ngjarje aksidentale, pasi shtetasi Y. Gj., 51 vjeç, banues në Bulqizë, gjatë punën në një galeri kromi në Bulqizë, ka rrëshkitur dhe si pasojë ka marrë dëmtime të lehta, jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 76 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 19 janë arrestuar dhe 52 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Dibër; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Korçë, 1 në Berat dhe 1 në Fier; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, në Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 4 raste me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohet në gjendje të lirë dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 7 raste, 3 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 3 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast “Mashtrimi”, në Gjirokastër, ku autori po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Trafikimi i mjeteve motorike”, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i falsifikimi i dokumenteve, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Lezhë, me autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Dibër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Përndjekja”, në Dibër, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja e energjisë elektrike”, në Tiranë , me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Përdorimi i me keqdashje i thirrjeve telefonike”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në Lezhë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 7 të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 4 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 3 në Tiranë, 1 në Fier, 1 në Durrës dhe 1 në Kukës.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.