Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 51 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 13 janë arrestuar në flagrancë dhe 36 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 4 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Durrës, ku po punohet për kapjen e autorit.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 7 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 13 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Është proceduar penalisht dhe një shtetas tjetër, për “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Në Lezhë janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për armëmbajtje pa leje, dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për “Fshehja e të ardhurave”.
Në Kukës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”.
Në Tiranë dhe në Gjirokastër janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 9 aksidente, me 1 viktimë dhe 10 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë proceduar penalisht 5 shtetas dhe është arrestuar në flagrancë 1 tjetër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë proceduar penalisht 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.