Raporti 48-orësh i ngjarjeve, 30, 31 dhjetor 2023

Raporti 48-orësh i ngjarjeve, 30, 31 dhjetor 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Shkodër – Punë e vazhdueshme policore dhe hetimore, po kryhet në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, për të shkatërruar plotësisht produktet e veprimtarisë së një grupi kriminal në fushën e narkotikëve. Gjenden në një zonë të thellë dhe të pyllëzuar të fshatit Plan, rreth 32.7 kg lëndë narkotike cannabis sativa, e tharë dhe e ndarë në thasë për t’u transportuar. 32.7 kg cannabis dhe 10 274 bimë cannabisi (të asgjësuara më parë), në pronësi të këtij grupi kriminal. Deri më tani, Policia ka identifikuar 11 pjesëtarë të grupit dhe ka vënë në pranga 5 prej tyre. Si rezultat i punës së inteligjencës policore, kontrolleve në çdo skaj të qarkut dhe hetimeve të ndjekura në vazhdimësi, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, realizuan në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, një tjetër goditje kundër veprimtarisë së një grupi kriminal në fushën e narkotikëve. Shërbimet gjetën në një zonë të thellë dhe të pyllëzuar të fshatit Plan, 2 thasë me rreth 32.7 kg lëndë narkotike cannabis sativa, e tharë dhe e bërë gati për t’u transportuar me qëllim shitjen.  Nga veprimet hetimore dyshohet se kjo lëndë narkotike i përkiste një grupi kriminal prej 11 pjesëtarësh të identifikuar deri më tani, të implikuar në veprimtaritë e kultivimit, prodhimit dhe shitjes së cannabisit. Gjatë këtij viti, Policia e Shkodrës ka vënë në pranga 5 pjesëtarë të grupit, si dhe ka gjetur në fshatrat Kir dhe Plan, dhe asgjësuar në total 10 274 bimë narkotike, në pronësi të këtij grupi.Vijon puna për të kapur pjesëtarët e tjerë të grupit kriminal. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Elbasan – Patrullimet 24/7, gjatë ditëve festive, konstatojnë 2 raste të veprimtarisë së kundërligjshme, të shitjes në rrugë, të lëndëve piroteknike të kontrabanduara. Procedohen penalisht 2 shtetas dhe sekuestrohen kuti me fishekëzjarrë dhe kapsolla. Gjatë kontrolleve të vazhdueshme në terren, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, konstatuan se në rrugë, në lagjet “Emin Matraxhiu” dhe “Brigada 17 Sulmuese”, 2 shtetas shitnin lëndë piroteknike të dyshuara të kontrabanduara dhe se fshiheshin të ardhurat e përfituara nga ky biznes. Për këto paligjshmëri, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit të DVP Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për këta 2 shtetas, konkretisht: Sh. B., 25 vjeç dhe L. T., 44 vjeç, të dy banues në Elbasan. Gjithashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, disa kuti me fishekëzjarrë dhe kapsolla. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Kukës/Ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon një ngjarje të mundshme kriminale, në fshatin Shtanë. Kanosën me armë dhe plagosën fqinjin, në banesën e tij, për motive të dobëta, arrestohen në flagrancë 3 shtetas (familjarë të njëri-tjetrit). Sekuestrohen 1 armë gjysmë-automatike, 1 automjet dhe 3 celularë. Pas njoftimit se në fshatin Shtanë, disa shtetas po konfliktoheshin me njëri-tjetrin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje. Nga ndërhyrja e shpejtë dhe profesionale e shërbimeve të Policisë, e kryer në kuadër të operacionit policor të koduar “Fundviti”, u bë i mundur parandalimi i një ngjarjeje të mundshme kriminale, si dhe arrestimi i shtetasve të përfshirë në konflikt, konkretisht D. (B). V., 48 vjeç, si dhe S. V., 44 vjeç dhe J. V., 20 vjeç, përkatësisht vëllai dhe djali i 48-vjeçarit, të tre banues në fshatin Shtanë. Këta shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta, me fqinjin e tyre, shtetasin I. D., 53 vjeç, kanë shkuar në banesën e 53-vjeçarit, ku e kanë kanosur me armë dhe e kanë goditur me grushte. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë gjysmë-automatike, 1 automjet dhe celularët e 3 të arrestuarve. Vijojnë hetimet për të individualizuar dhe dokumentuar ligjërisht, përgjegjësinë penale të secilit prej të arrestuarve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.      

Gjatë 48 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 103 shtetas, konkretisht: 19 shtetas janë vënë në pranga, 7 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste- 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste- 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste- 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.   

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 8 raste- 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 10 raste, 4 prej të cilëve me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.  

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste- 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 14 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-5 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i krimeve kompjuterike, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Dhunimi i banesës”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Korrupsioni aktiv”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

1 rast i veprës penale “Marrja pa të drejtë e fëmijës”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

1 rast i veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 14 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 14 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 30 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 11 shtetas janë vënë në pranga dhe 19 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.