U kap duke transportuar 83 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O. A., 31 vjeç, banues në fshatin Pirg, Maliq.
Shtetasi i mësipërm është kapur nga shërbimet e policisë, në dalje të qytetit të Pogradecit, me mjetin kamion tip trailer, duke transportuar 83 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 1150 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.