Krujë/Finalizohet operacioni i koduar “Implikimi”.
Gjenden në hotelin në pronësi të një shtetasi, armë zjarri, municion, jelek antiplumb dhe 20 000 euro me burime të dyshimta.
Arrestohet 40-vjeçari me precedent të mëparshëm penal.
Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të intensifikuara ndaj shtetasve me precedentë kriminalë, të cilët përbëjnë rrezik për përfshirje në vijim në ngjarje kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në DPPSh, finalizuan operacionin e koduar “Implikimi”.
Në kuadër të operacionit u kryen kontrolle në subjektin (hotel) në Krujë, në pronësi të shtetasit A. Gj., 40 vjeç, me precedent të mëparshëm penal.
Gjatë kontrolleve në këto ambiente u gjetën 1 armë zjarri (pistoletë), 1 krehër me 20 fishekë luftarakë, 1 jelek antiplumb dhe 20 000 euro të dyshuara të përfituara nga veprimtari të kundërligjshme.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin u kryen arrestimi në flagrancë i 40-vjeçarit dhe sekuestrimi i sendeve të kundërligjshme që posedonte ai.
Hetimi vijon për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
