Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit
Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet në territor, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe goditjet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat i punës hetimore, janë finalizuar 6 operacione, për goditjen e veprimtarive kriminale të armëmbajtjes pa leje, trafikimit të mjeteve dhe prostitucionit, në Tiranë; dhënies ndihmë emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit, në Korçë; shitjes së mallrave të kontrabanduara dhe informalitetit, si dhe kapjen e 1 shtetasi në kërkim, në Durrës.
Janë kapur 2 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë goditur 22 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 21 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjithashtu, u procedua penalisht për shpërdorim detyre kryeplaku i një fshati ku janë konstatuar bimë narkotike të kultivuara.
Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike të kultivuara.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste, me 2 të arrestuar dhe 9 të proceduar në gjendje të lirë.
U proceduan penalisht 2 shtetase, pasi dyshohet se kanë kanosur fqinjën e tyre dhe kanë spërkatur rrobat në ballkonin e saj, për motive të dobëta.
Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 5 raste, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
U arrestua në flagrancë shtetasi F. S., 52-vjeç, banues në fshatin Dedaj, Malësi e Madhe, pasi nga grupi i task-forcës i OSHEE Tiranë, është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike në biznesin e tij në fshatin Razëm.
Lezhë/U procedua në gjendje të lirë 1 shtetas, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në një fshat në Mirditë dhe, nga përhapja e flakëve, janë djegur sipërfaqe toke dhe pyjore.
Tiranë/U procedua penalisht 1 shtetas i mitur, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr dhe, nga përhapja e flakëve, është djegur një sipërfaqe toke me bimësi dhe shkurre dhe janë rrezikuar banesat përreth.
Krujë/U procedua penalisht 1 shtetas, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr dhe, nga përhapja e flakëve, është djegur një sipërfaqe toke me bimë të egra.
U procedua penalisht 1 shtetas dhe po punohet për kapjen e një tjetri, pasi dyshohet se i kanë marrë me forcë një shumë të vogël parash, një shtetasi, duke e kanosur me thikë, në Elbasan.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 4 raste, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, me 4 shtetas të arrestuar dhe 4 të proceduar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, janë plotësuar 5 kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 20 raste, me 19 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.
Në fushën e krimeve kibernetike janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë arrestuar 5 shtetas dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.
U proceduan penalisht 3 shtetas që dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, 1 shtetas që është larguar nga vendi i aksidentit dhe 1 shtetas që ka dhënë deklaratë të rreme mbi rrethanat e një aksidenti.
U arrestua 1 shtetas, pasi dje, në Tiranë, automjeti që drejtonte është përplasur me një motomjet. Si pasojë është dëmtuar drejtuesi i motomjetit dhe pasagjerja, të cilët janë në kujdesin e mjekëve.
U arrestua një 33-vjeçar, pasi dje, automjeti që drejtonte është përfshirë në aksident rrugor me 2 automjete të tjera. Si pasojë u dëmtuan njëri nga drejtuesit e automjeteve dhe një pasagjere, të cilët po marrin mjekim në spital.
U arrestua 1 shtetas që ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, u proceduan në gjendje të lirë 1 shtetas i dyshuar për ngacmim seksual dhe 14 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Port Durrës goditën 1 rast të kontrabandës së mallrave, me 1 shtetas të arrestuar.
Interpol Tirana/U ekstradua nga Mbretëria e Bashkuar, shtetasi në kërkim ndërkombëtar A. M., 36 vjeç, banues në Kukës, pasi Gjykata e Tiranës, me vendim penal të datës 18.11.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Tiranë/Dje, është hedhur nga ballkoni i banesës së tij, shtetasi M. D., 21 vjeç, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.
