Përmbyllet Projekti “Mbështetja e autoriteteve të zbatimit të ligjit të Shqipërisë, për të forcuar kapacitetet e menaxhimit dhe hetimit të provave kriminale të armëve të zjarrit”

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua ceremonia përmbyllëse e Projektit të UNDP, me financim të Qeverisë Gjermane prej 1,185,471 dollarë.
Në ceremoni morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, zv/ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, përfaqësuesja rezidente e UNDP në Shqipëri zj. Monica Merino, drejtuesja e SEESAC zj. Bojana Balon, përfaqësues të Ambasadës Gjermane në Tiranë, Drejtori i Institutit të Policisë Shkencore Niko Brahimaj dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.
Drejtori Gledis Nano:
“Që nga fillimi i funksionimit të këtij projekti janë përmirësuar procedurat standarde për Policinë Shkencore, janë siguruar mjete dhe pajisje të reja për këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe ekzaminime të ndryshme, si dhe janë instaluar sisteme të standardizuara të proceseve të punës të këtij sektori. Falë ndërhyrjeve të realizuara nga ky projekt, procesi i kërkimit, administrimit dhe ekzaminimit të provave është më efektiv dhe më i sigurt. Ne besojmë se përfshirja në projekte të tilla do vazhdojë edhe në të ardhmen, të cilat përmirësojnë kapacitetet tona, në drejtim të zbulimit, dokumentimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale. Duke ju falënderuar për kontributin e mbështetjen, dëshiroj të shpreh bindjen se, falë edhe këtij bashkëpunimi, ne do të rrisim më tej rezultatet tona, duke u bërë në këtë mënyrë partner të denjë me agjencitë ligjzbatuese në rajon dhe ato të Bashkimit Evropian”.
Monica Merino, përfaqësuese e përhershme e UNDP në Shqipëri:
“Projekti ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në modernizimin e Institutit të Policisë Shkencore IPSH, një element thelbësor për përmirësimin e cilësinë se hetimeve dhe për të mundësuar një gjykim te drejtë. Kjo do të ndihmojë procesin e akreditimit të Institutit të Policisë Shkencore IPSH. Ne kemi mundësuar një sërë pajisjesh të specializuara për sektorin balistik, ekipet e vendit të ngjarjes (CSI) dhe sektorin e ADN-së. Jam shumë e kënaqur që së shpejti do të keni një Sistem të Menaxhimit të Informacionit Laboratorik për të përmirësuar përpunimin e provave. Ne kemi trajnuar 80 punonjës të njësive të ISHC-së në të gjithë vendin dhe të Institutit të Policisë Shkencore, për përdorimin e kësaj procedure të re”.
Drejtuesja e SEESAC, zj. Bojana Balon:
“SEESAC ka ofruar një mbështetje gjithëpërfshirëse për Ministrinë e Brendshme Shqiptare dhe Policinë e Shtetit në disa fusha të kontrollit të armëve dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë me mbështetje të konsiderueshme financiare nga Bashkimi Evropian. Fushat kryesore të mbështetjes përfshijnë: forcimin e kapaciteteve të Policisë Kufitare dhe Kriminale në luftën kundër trafikut të armëve të zjarrit, vënien në funksionim të plotë të Njësisë Qendrore të Armëve të Zjarrit në PSH, si dhe rritjen e sigurisë së magazinave të armëve dhe municioneve.”
Zv/ministri i Brendshëm Besfort Lamallari:
“Qeveria shqiptare dhe Kryeministri Edi Rama e konsiderojnë luftën kundër krimit, të çfarëdo natyre dhe forme të tij, prioritet mbi prioritetet. Për këtë qëllim, vëmendje e posaçme i është kushtuar mbështetjes të shtuar financiare në drejtim të forcimit dhe trajtimit të kapaciteteve njerëzore dhe investimeve në teknologji të avancuara. Në emër të Ministrit të brendshëm, z. Çuçi, përcjell vlerësimet për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë dhe angazhimet e mëtejshme mbi këtë qasje nga partnerët dhe donatorët. Në cilësinë e kryetarit të Komisionit Kombëtar për Armët e Vogla dhe të Lehta dëshiroj të theksoj rëndësinë e nevojës për mbështetje të vazhdueshme në këtë drejtim. Falënderoj Qeverinë Gjermane që ka financuar këtë projekt dhe ekipin e UNDP që realizoi zbatimin e tij. Jam i lumtur që sot kemi më shumë besim të partnerëve tek Policia e Shtetit, operacione të përbashkëta të suksesshme, si dhe vëmendje dhe mbështetje të Policisë së Shtetit”.
Në përfundim të ceremonisë, të pranishmit panë nga afër pajisjet e dhuruara nga UNDP, për Institutin e Policisë Shkencore.
Ky projekt startoi në shtator të vitit 2019, me synim përmirësimin e pajisjeve dhe sistemeve në përdorim nga Policia Shkencore, me fokus sektorët e kriminalistikës dhe balistikës, në përputhje me prioritetet e parashikuara në Strategjinë Kombëtare për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të lehta (AVL) dhe Udhërrëfyesin, për një zgjidhje të qëndrueshme për zotërimin e paligjshëm dhe trafikimin e armëve të vogla dhe të lehta (AVL) në Ballkanin Perëndimor.