Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”

Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.

Në kuadër të këtij operacioni, goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Kapen duke transportuar 20 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 3 shtetas, dy prej të cilëve gjatë ndjekjes nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Komisariatet e Policisë Korçë, Devoll, Maliq, Pogradec, Forcat e Posaçme Operacionale në DVP Korçë dhe FNSH, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast si rezulat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

• K. Sh., 28 vjeç, banues në Tiranë.

• R. R., 29 vjeç, banues në Sauk, Tiranë.

• K. B., 27 vjeç, banues në Sauk, Tiranë.

Shtetasit e mësipërm janë kapur duke transportuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nga fshati Eçmenik-Devoll, në drejtim të Tiranës, 20 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit prej 500 euro iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Transportimi i shtetasve të huaj kryhej me mjetin tip “Roulotte”, me drejtues shtetasin K. Sh., ndërsa dy shtetasit e tjerë R. R., dhe K. B.,udhëtonin me mjetin tip “Volkswagen Golf”, të cilët në afërsi të fshatit Gështenjas, gjatë ndjekjes së tyre nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar, por u kapën dhe u ndaluan.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.