Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Kapen duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm, arrestohen në flagrancë 2 shtetas.
Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, shërbimet e FRONTEX-it, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Devoll, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve F. K., 22 vjeç, banues në Tiranë dhe R. B., 25 vjeç, banues në fshatin Stropan, Devoll.
Shtetasit e mësipërm, janë kapur nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Bilisht-Korçë, në afërsi të fshatit Eçmenik, duke transportuar në drejtim të Tiranës me mjetin tip “Volkswagen”, 4 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt fitimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.