Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.
Në vijim të këtij operacioni goditen edhe dy raste të tjera të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Kapen duke transportuar 18 emigrantë të paligjshëm, arrestohen në flagrancë 5 shtetas.
Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur dy raste të tjera të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, me qëllim dërgimin drejt vendeve të BE-së. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i pesë shtetasve, konkretisht:
– M. K., 35 vjeç, F. F., 20 vjeç dhe E. L., 23 vjeç, të tre banues në Laç, të cilët u kapën nga shërbimet e Policisë Rrugore në afërsi të fshatit Zëmblak, duke transportuar me tre mjete në drejtim të Tiranës, kundrejt shumës 1000 euro, 15 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm.
– E. Xh., 21 vjeç, banues në Pogradec dhe F. D., 24 vjeç, banues në Korçë, të cilët në hyrje të qytetit të Pogradecit, u kapën nga Policia duke transportuar me një mjet në drejtim të Tiranës, kundrejt shumës 500 euro, 3 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm.
Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec e Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.