Qarku Korçë – Falsifikoi kundrejt fitimit, formularët për hyrjen në Greqi të 33 shtetasve shqiptarë, arrestohet në flagrancë 41-vjeçari

Falsifikoi kundrejt fitimit, formularët për hyrjen në Greqi të 33 shtetasve shqiptarë, arrestohet në flagrancë 41-vjeçari.

Specialistët për hetimin e krimit ekonomik-financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. B., 41 vjeç, banues në Pogradec.

Shërbimeve të Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në dalje të Republikës së Shqipërisë, gjatë verifikimit dhe kontrollit të dokumentacionit të 33 shtetasve shqiptarë dhe konkretisht të formularëve të hyrjes për në shtetin grek, iu kanë lindur dyshime se mund të ishin dokumente të falsifikuara.

Gjatë veprimeve të mëtejshme hetimore e proceduriale të kryera nga Seksioni për krimin ekononik-financiar në DVP-Korçë, rezultoi se shtetasi E. B., nëpërmjet mashtrimit, iu kishte plotësuar formularët këtyre shtetasve në agjensinë e tij në qytetin e Pogradecit, duke përfituar për secilin prej tyre shumën nga 1000 deri në 1500 lekë.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Mashtrimi, kryer më shumë se 1 herë” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
—————

Në vijim të operacionit policor “Perimetri” është goditur një tjetër rast i aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Gj., 40 vjeç, banues në Lezhë.

Shtetasi i mësipërm, është kapur nga shërbimet e policisë në vendin e quajtur “Enkelana” në Pogradec, duke transportuar me mjetin tip “Ford”, dy emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit prej 250 euro iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.