Kontrolle të pandërprera për respektimin e vetëkarantimit nga personat e prekur me COVID-19, si dhe për respektimin e protokolleve të sigurisë në ambientet publike dhe në subjektet tregtare.
Në kuadër të masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe të Komisariateve në varësi të saj kanë ushtruar kontrolle të njëpasnjëshme në banesat e personave të prekur nga COVID-19, me qëllim respektimin e rregullave të vetëkarantinimit.
Strukturat e Policisë disponojnë listat e përditësuara me emrat e personave të prekur dhe rastet e reja. Në orare të ndryshme gjatë ditës dhe mbrëmjes, shërbimet e Policisë ushtrojnë kontrolle në banesat e këtyre shtetasve.
Gjithashtu kontrollet kanë vijuar dhe në biznese, lokale, markete e tregje të qarkut të Dibrës, për zbatimin e protokolleve të sigurisë për masat kufizuese të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon për qytetarët e prekur nga COVID-19 që të mos thyejnë karantinën, të gjithë qytetarët të respektojnë rregullat e distancimit social, lokalet dhe bizneset të respektojnë protokollet e sigurisë, në mënyrë që të gjithë të kontribuojmë në mbrojtjen nga COVID-19.